Jeta e dhembshme e Asensios

Vetëm tri vite më parë Marko Asensio, atëherë një 18-vjeçar me shpresa të mëdha për të ardhmen te Majorka, fitonte pak më shumë se 1 mijë euro në muaj. Sot pritet të firmosë me Realin një kontratë prej 3.5 milionë eurosh neto në sezon. Ka fituar një Champions përveç titullit kampion, një Superkupë Spanje dhe Botërori, në të cilin mori pjesë.
Debutoi në kombëtare dhe është fari i U-21 i Furive të Kuqe, që është edhe ekipi favorit për të triumfuar në Europianin që po zhvillohet këtë verë në Poloni. E nisi sezonin duke shënuar golin e parë për Realin në Superkupën e Europës kundër Sevijes (3-2) dhe e mbylli duke firmosur golin e fundit për klubin e Zinedin Zidanit në fitoren 4-1 në finalen e Champions-it, ndaj Juventusit në Kardif. Shënoi me fanellën e “galaktikëve” edhe në debutimin në La Liga, në ndeshjen e parë që startoi si titullar dhe në debutimin në Champions kundër Legias së Varshavës.
Në ndeshjen e parë të Europianit U-21 firmosi tripletën e tij të parë në suksesin 5-0 ndaj Maqedonisë. Me pak fjalë, një lojtar që ngrihet në lartësinë e duhur përpara përgjegjësive. Por Asensio është edhe një djalë modest, serioz dhe i pjekur për shkak të vështirësive që i ka sjellë jeta dhe lotëve të sinqerta në kujtim të nënës së tij të ndjerë, një vajzë holandeze, e cila humbi betejën me kancerin në vitin 2011.
Marko u rrit nga babai i tij, një shitës në një supermarket së bashku me të vëllanë, që hyri më pas në polici. Një histori e dhembshme, një tragjedi e kaluar me forcë, ndjenjë dhe pasion.
Marko është nga Majorka dhe në vitin 2006 kur babai i tij u takua rastësisht me Florentino Perezin i tha: “Ky është djali im, Marko, i cili një ditë do të luajë për Realin”. Parashikim i saktë edhe për shkak të zgjedhjes së Andoni Zubizaretës, i cili refuzoi që të paguante 4.5 milionë eurot e nevojshme për ta transferuar te Barcelona.
Ishte viti 2014. Barcelona dhe Majorka ishin dakord mbi gjithçka dhe Asensio kishte nisur të kërkonte shtëpi në Kastejdefels, pranë Barcelonës. Majorka i donte paratë të gjitha menjëherë, Barcelona donte të paguante në 3 këste. Marrëveshja u prish dhe Asensio u bë talenti i së ardhmes i Realit dhe Spanjës.

Artikulli paraprakMediu: Nuk lejojmë blerjen e votave nga klanet qeveritare
Artikulli tjetërValencia në ndjekje të Gabriel Palleta