Jeruzalemi dhe strategjia e Tump

Njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-ja dhe reagimi që po shkakton në të gjithë botën na kujton statusin unik të këtij qyteti të shenjtë për të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët dhe në zemër të një prej konflikteve më të gjatë të historisë së planetit.
Jeruzalemi mban në vetëm disa qindra metra katrore, brenda mureve të Qytetit të Vjetër, vende të shenjta për miliarda njerëz.
Sheshi i Xhamive quhet Haram al-Charif (Shenjtorja Fisnike) nga myslimanët dhe Mali i Tempullit nga hebrenjtë.
Ky është vendi i tretë i shenjtë për Islamin.
Sipas traditës myslimane, kjo është shenjtorja më e largët ku profeti Muhamet ka vajtur. Kubeja emblematike e Shkëmbit, me kupolën e saj të artë, ndodhet në shkëmbin ku profeti u ngjit në qiell, i hipur mbi devenë e tij me krahë.
Ky vend shpesh herë merr edhe emrin e xhamisë Al Aqsa që ndodhet aty. Por, është gjithashtu edhe vendi më i shenjtë për hebrenjtë si vendi ku ndodhej tempulli i tyre. Më poshtë gjendet Muri i Lotëve, një mur mbajtës i vjetër dhe mbetja e fundit e Tempullit të Dytë hebre në vitin 70 pas Krishtit, i shkatërruar nga romakët. Ky është vendi më i shenjtë ku hebrenjtë luten.

Kryeqytet për izraelitët…
Hebrenjtë e konsiderojnë Jeruzalemin, ish-kryeqytet të mbretërisë së Izraelit të mbretit David (Shek. X para Krishtit), si kryeqytetin e tyre historik prej më shumë se 3 000 vite për arsye fetare dhe politike. Që prej shkatërrimit të Tempullit të Dytë, judaizmi ka kërkuar gjithnjë një rikthim në Jeruzalem.

Edhe për palestinezët
Palestinezët pretendojnë Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të cilin duan të krijojnë. Ata përbëjnë një të tretën e një popullsie prej rreth 882 000 personash (sipas statistikave izraelite), por që shumica ndodhen në Jeruzalemin Lindor.
Jeruzalemi Lindor, që ka qenë nën kontrollin e Jordanisë, u pushtua nga Izraeli gjatë Luftës Gjashtëditore në vitin 1967 dhe më pas u aneksua. Për Izraelin qyteti u “ribashkua”. Një ligj themeltar i vitit 1980 ka vendosur statusin e Jeruzalemit si kryeqyteti “i përjetshëm dhe i pandashëm” i Izraelit.

Një vend tensionesh të vazhdueshme
Për izraelitët dhe palestinezët, Jeruzalemi është një simbol kombëtar dhe fetar i fuqishëm. Për palestinezët që kërkojnë pavarësi, mbrojtja e Jeruzalemit dhe Al Aqsa shërben si thirrje për bashkim.
Sheshi është vazhdimisht burim tensionesh. Për arsye historike, ai mbetet nën mbrojtjen jordaneze, por të gjitha hyrjet kontrollohen nga forcat izraelite. Hebrenjtë janë të autorizuar që ta vizitojnë, por jo të luten. Megjithatë, disa përpiqen vazhdimisht ta shkelin këtë ndalim, duke shkaktuar incidente. Palestinezët druhen se, ajo që kritikojnë si cënime izraelite në këtë vend mund përfundojë me një marrje të plotë të kontrollit nga hebrenjtë.
Vizita e kreut izraelit, Ariel Sharon në shesh në vitin 2 000 do të shërbente për të filluar Intifadën e Dytë. Instalimi në vitin 2017 nga Izraeli i detektorëve të metaleve në hyrje të këtij vendi kishte shkaktuar dy javë dhunë.

Pence do të takohet me liderët palestinezë

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar palestinezët të mos bëjnë asnjë veprim për të anuluar bisedimet me zv/Presidentin amerikan Mike Pence. “Një zyrtar i lartë palestinez më herët kishte deklaruar se zoti Pence nuk do të ishte i mirëpritur, pasi Uashingtoni e njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit”, raporton BBC. Bëhet fjalë për Jibril Rajoub, një zyrtar i lartë në partinë “Fatah”, i cili tha se z. Pence “nuk ishte i mirëpritur” në territoret palestineze dhe se takimi nuk do të ndodhte.
SHBA ka deklaruar se do të ishte kundërproduktive anulimi i bisedimeve mes zv/Presidentit Pence dhe Presidentit të Palestinës, Mahmoud Abbas, të planifikuara gjatë këtij muaji.
“Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj, duke thënë se zoti Pence ende ka në plan të takohet me udhëheqësit e palestinezëve dhe mendon se çdo vendim për të dalë nga takimi do të ishte kundërproduktiv”, shkruan BBC. Gjatë vizitës së tij, të planifikuar për gjysmën e dytë të dhjetorit, Pence do të udhëtojë gjithashtu në Izrael dhe Egjipt.

Pse Trump ndryshoi politikën amerikane?
Në të vërtetë, njoftimi i Presidentit Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, përmbys qëndrimin e mbajtur nga vetë politika amerikane gjatë disa dekadave për statusin e këtij qyteti.
Teksa njoftonte këtë ndryshim rrënjësor në politikën e SHBA, Presidenti amerikan tha: “Unë e kam gjykuar këtë rrugë veprimi të jetë në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe instalimin e paqes midis Izraelit dhe palestinezëve”.
Në të vërtetë, vetëm për paqe nuk mund të flitet në këto momente.
Në përleshjet e djeshme mes palestinezëve dhe ushtrisë izraelite, raportohet për të paktën 31 të plagosur, ndërsa përplasje edhe më të forta priten në vijim. Grupi islamik palestinez, Hamas, ka bërë thirrje për një intifadë të re, ose kryengritje.
Por vendimi i Presidentit Trump duket se ka të bëjë më shumë me një politikë të brendshme sesa të jashtme. BBC raporton se, pavarësisht paralajmërimeve për trazirat që do të përfshinin rajonin, vendimi përmbush një premtim të fushatës dhe kërkon të kënaqë bazën e krahut të djathtë të zotit Trump si dhe grupimet hebraike në SHBA.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se Izraeli ishte thellësisht mirënjohës ndaj z. Trump, i cili “e lidhi veten përgjithmonë me historinë e kryeqytetit”. Ndërkohë, partia palestineze Fatah po paraqet një ankesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke nxitur edhe Lidhjen Arabe për të mbajtur një qëndrim të fortë.
Zoti Trump tha se SHBA do të mbështesin një zgjidhje dy shtetesh, që parashikon krijimin e një shteti të pavarur palestinez brenda linjave të armëpushimit para vitit 1967 në Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor, duke jetuar në paqe përbri Izraelit. “Nëse bien dakord të dyja palët”, shtoi Presidenti amerikan.
Por palestinezët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i çdo shteti të ardhshëm palestinez.

Reagimet ndërkombëtare
Vendimi i Presidentit Trump ka shkaktuar një zinxhir reaksionesh në arenën ndërkombëtare. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e paralajmëroi z. Trump se ai ishte “duke e hedhur rajonin në një unazë zjarri”. Shumë nga aleatët më të afërt të Uashingtonit kanë thënë se nuk pajtohen me njoftimin e SHBA. Si Këshilli i Sigurimit i OKB dhe Liga Arabe do të takohen në ditët në vijim për të vendosur përgjigjen e tyre.

Pse është kaq i rëndësishëm Jeruzalemi

Jeruzalemi ka një rëndësi të madhe për Izraelin dhe palestinezët. Ajo përmban vende të shenjta për tre besimet kryesore monoteiste: judaizmin, islamin dhe krishtërimin.
Sovraniteti izraelit mbi Jeruzalemin nuk është njohur ndërkombëtarisht dhe të gjitha vendet i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv.
Jerusalemi Lindor, që përfshin Qytetin e Vjetër, u aneksua nga Izraeli pas Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967, por më parë nuk është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Izraelit.
Kjo pjesë vijon të njihet ndërkombëtarisht si “territor i pushtuar”, i denoncuar si i tillë edhe nga OKB.
Në vitin 1980, Parlamenti izraelit deklaroi se “Jerusalemi, i plotë dhe i bashkuar, është kryeqyteti i Izraelit”, por ky ligj u shpall i pavlefshëm nga OKB-ja, e cila bëri thirrje për largimin e ambasadave të mbetura në qytet.
Deri më sot, asnjë vend nuk ka një ambasadë në Jeruzalem, edhe pse Bill Klinton, George W. Bush dhe Donald Trump kanë bërë thirrje për të lëvizur ambasadën e SHBA në Jerusalem. Dy presidentët e parë, u tërhoqën nga plani për të lëvizuar ambasadën nga Tel Avivi për në Jeruzalem.
OKB ka rikonfirmuar së fundmi edhe në 2009 se Jeruzalemi duhet të jetë kryeqyteti i të dyja shteteve, Izraelit dhe Palestinës, duke i rikthyer pjesën lindore Palestinës. Por Izraeli ngulmon se i gjithë qyteti është i tyre.
Sipas marrëveshjeve të paqes Izrael-Palestinë të vitit 1993, statusi përfundimtar i Jerusalemit duhet të diskutohet në fazat e fundit të bisedimeve të paqes.

Artikulli paraprakMarina Popoviç dhe ëndrra hapësinore e mohuar
Artikulli tjetërVoller: Të paprekshimit të japin llogari, veçanërisht në luftën kundër drogës