Jep dorëheqjen Prokurori që mbylli hetimet për vrasjen e Ardit Gjoklajt

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Petrit Fusha dha sot dorëheqjen, duke shmangur procesin e vetingut.
Ish-drejtuesi i Prokurorisë Tiranë ka dorëzuar dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në letrën e dorëheqjes, Fusha shkruan se “Prokuroria nuk është më vendi ku mund të shërbej me përvojën 32 vjeçare”.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur hetimet për pasurinë, figurën dhe profesionalizimin e Fushës që më 15 janar 2018, por deri më tani prokurorit nuk i ishte caktuar një datë për seancën dëgjimore.
Me dorëheqjen, pritet që KPK të ndalojë procesin e rivlerësimit të Fushës.
Petrit Fusha njihet si prokurori që mbylli çështjen e Ardit Gjoklajt, 17-vjeçarit të vrarë në landfillin e Sharrës në gusht 2016. Në këtë çështje përfshihej dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj, i akuzuar për për lidhje klienteliste me kompaninë që së bashku me Bashkinë Tiranë menaxhon landfillin e mbetjeve në Sharrë.
Në dhjetor 2016, kohë gjatë së cilës prokurori Fusha po hetonte vdekjen e Gjoklajt, Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe prokurori Petrit Fusha u fotografuan duke drekuar së bashku në një nga restorantet e Tiranës.
Çështja e Ardit Gjoklajt u mbyll përfundimisht në shkurt 2019, kur gjykata shpalli të pafajshëm Dëfrim Hakramën, mbikëqyrës i punonjësve në landfill, dhe Edmond Kallarin, shofer i ekskavatorit, të dy të akuzuar nga prokuroria e Tiranës si përgjegjës për vrasjen e 17-vjeçarit.

Artikulli paraprakPaloka i përvishet Ramës: Shkoi pak deri në Romë për të mashtruar dhe italianët! Pallosh, bëju gati më 16 mars…
Artikulli tjetërParalajmërimi i gazetares: Vini re…! Një i burgosur për jetë do të lirohet këto ditë