Janari i 27 dhe 27 janari

Endri HASA

27 vjet me parë qytetarët të Elbasanit, vendit të kulturës dhe mençurisë u bashkuan për t’u bërë pjesë e historisë, duke themeluar degën e Partisë Demokratike në Elbasan.
27 vjet më parë PD u themelua si bashkim i vlerave, bashkim i njerëzve që donin lirinë, bashkim i njerëzve që e donin Shqipërinë si gjithë Evropa.
Kujtoj gjithmonë me nostalgji godinën e parë të selisë së degës Elbasan, kujtoj si dhe unë në atë kohë punoja te ato zyra në kompjuter në fillimet e mia të pasionit për teknologjinë që u ndërthur që në fillim me angazhimin për PD.
Kjo degë ka patur gjithmonë njerëz me vlera dhe kontribute, ndaj sot në radhë të parë është një ditë reflektimi dhe falënderimi për kontributin dhe sakrificën e të gjithë atyre njerëzve që me pasion dhe dashuri kanë punuar për PD, kanë punuar për një të ardhme më të mirë për Elbasanin.
Por sot njësoj si 27 vjet më parë vendi është përsëri në dorën e një pushteti arrogant që asgjë nuk po e dallon më nga diktatura.
Prandaj miqtë e mi, arsyet për ta kthyer 27 janarin në një ditë të madhe të demokracisë, në një ditë të njerëzve, të qytetarëve, në ditën e atyre që janë nëpërkëmbur, janë të shumta, janë ulëritëse dhe i gjeni në tryezat tuaja, në xhepat tuaj, i gjeni tek të afërmit, miqtë, tek kushdo që prej 5 vitesh, po jeton çdo ditë e më keq.
Arsyet i gjeni tek besimi i vrarë dhe dëshira e shumicës së njerëzve për të ikur nga ky vend.
Arsyet i gjeni sidomos tek fakti, se me Edi Ramën jo vetëm gjërat nuk janë mirë, por ato përkeqësohen çdo ditë e më shumë për sa kohë që ai qëndron në pushtet.
Pse ndodh që gati gjysma e shqiptarëve, gjysma e juaj, e njerëzve që njihni e takoni çdo ditë, nuk paguajnë dot dritat dhe ujin.
Kjo miq, nuk është një statistikë, është një gjendje reale e prekshme dhe mjerane, sepse njerëzit në Elbasan e kudo po bëjnë një jetë të padurueshme dhe mezi arrijnë të sigurojnë ushqimin.
Arsyet për të protestuar do t’i gjeni në çdo aspekt të jetës, dhe sidomos do t’i gjeni nëse me të drejtë mendoni për të një të ardhme më të mirë për ju dhe fëmijët tuaj.
Shqipëria përfundoi në këtë gjendje të rëndë, në këtë varfëri të pahasur më parë, jo sepse kemi qenë në lufte, apo sepse jemi goditur nga ndonjë fatkeqësi natyrore. Jemi sot në këtë gjendje vetëm për shkak të zgjedhjeve që ka bërë qeveria, për shkak të zgjedhjeve që ka bërë Edi Rama. Ai ka zgjedhur të ketë në mendje, të ketë prioritet, një grusht njerëzish që e rrethojnë. Ai nuk do t’ia dijë për askënd tjetër. Ai grusht njerëzish që e rrethojnë, nuk ankohen, sepse ata jetojnë më mirë dhe e shtojnë pasurinë çdo ditë në kurriz të shqiptareve.
I ka bërë llogaritë mirë për vete, që të bëhet vetë prokuror dhe Gjykatës që të rrijë mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën, të bëhet i paprekshëm, se ky është meraku i tij, dhe për asnjë moment nuk shqetësohet për varfërinë e njerëzve, papunësinë dhe skamjen.
Por i ka shpëtuar diçka, të cilën nuk e ka llogaritur.
Bashkimin e njerëzve kundër së keqes.
Bashkim që po ndihet kudo, në çdo cep të Shqipërisë.
Me 27 janar populli do t’ia tregojë që ka një forcë superiore mbi gjithë kalkulimet, djallëzitë dhe hilet e tij. Populli dhe kauza e drejtë.
Populli dhe bashkimi i qytetarëve në një kauzë të drejtë janë të pandalshëm nga asgjë dhe nga askush.
Të dashur miq!
Me paligjshmëri, me blerje vote, kërcënim të qytetarëve dhe në aleancë me krimin, Edi Rama arriti të mbajë pushtetin me 25 qershor.
Tërësisht në paligjshmëri, e faktuar e njohur botërisht, e shkruar e zezë mbi të bardhë në raportin e OSBE-ODIHR.
Po çfarë bëri ky kryeministër, produkt i paligjshmërisë.
A reflektoi?
A u kujdes më shumë për njerëzit, a tregoi ndonjë pendesë.
Ai nuk ndryshon, bën vetëm atë që di të bëjë, ose më saktë, atë që ai është. Shkel ligjin, shkel Kushtetutën, shkel mbi qytetarët e vendit. Elbasani sot nga qytet i dijes dhe i kulturës që njihej më parë ka marrë damkën e qytetit të bandave.
Po kjo ka një masë.
Ejani të bashkohemi më 27 janar, në orën 12:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, t’i tregojmë se kur shkel mbi qytetarët, kur i sundon e varfëron ata, nuk ka para, forcë, oligarki e organizatë kriminale që të mban në pushtet.
Bashkohuni më 27 janar, që t’i tregojmë bandës në pushtet që asgjë nuk mund t’i ndalë qytetarët, askush nuk mund t’i ndalë shqiptarët dhe idetë e tyre të drejta.

 

Artikulli paraprakShifra 300 milionë euro e aferës së Ramës me Beson
Artikulli tjetërNderimi i Bob Dole