Jam Spiderman! Hidhet nga tarraca e terminalit, vdes emigranti 23-vjeçar

Një akt vetëvrasje u regjistrua pasditen e djeshme brenda ambienteve të Aeroportit të Rinasit, duke shkaktuar frikë e panik mes udhëtarëve dhe duke vënë në alarm autoritetet e sigurisë. 23- vjeçari, Juglend Kapllanaj, i dha fund jetës duke u hedhur nga një lartësi, vetëm disa minuta, pasi kishte zbritur nga një fluturim i linjës Mynih-Tiranë.
Në njoftimin e policisë thuhet se, forcat e Policisë të Komisariatit të Policisë Rinas janë njoftuar se një person i paidentifikuar ka hypur mbi tarracën e zyrave të kompanive ajrore, dhe prej aty është hedhur duke pësuar dëmtime të rënda dhe si pasojë më pas ka vdekur në Spitalin Ushtarak. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se personi quhet Juglend Kapllanaj, 23 vjeç, lindur dhe banues Tiranë. Ky shtetas ka ardhur në 15:30 me linjën ajrore Adria Airways nga Mynihu.
Pasi ka kaluar kontrolloin kufitar në hyrje të Republikës së Shqipërisë, ai është drejtuar tek informacioni i administratës së TIA-s, ku nga deklarimet e para rezulton se ai është shprehur se është Spiderman (protagonist i filmave fantashkencë).
Pas kësaj, ky shtetas është konstatuar mbi taracën e zyrave të kompanive ajrore, prej nga ku më pas është hedhur nga një lartësi prej 7-8 m. Forcat e policisë janë afruar menjëherë me marrjen e njoftimit për këtë shtetas, por ai nuk ka komunikuar me asnjë, por menjëherë është hedhur.
Akti i të riut ka krijuar panik mes pasagjerëve të tjerë, të cilët kanë dhënë alarmin. Në këtë kohë, forcat e Komisariatit të Rinasit i janë afruar 23-vjeçarit dhe kanë tentuar të negociojnë, por ai nuk ka komunikuar dhe është hedhur nga afro 8 metra lartësi.
Juglend Kapllanaj është dërguar me urgjencë për në Spitalin e Traumës, por ka mbërritur atje i pa jetë për shkak të plagëve. Policia thotë se po heton për shkaqet që e çuan të riun shqiptar drejt këtij akti ekstrem, ndërsa paraprakisht mendohet  se 23-vjeçari vuante nga depresioni, dyshime këto të ngritura mbi bazën e dëshmive dhe sjelljeve të tij menjëherë pas zbritjes në tokën shqiptare. Pas ngjarjes në Aeroportin e Rinasit u punua vetëm me një anë të check-in-it deri në përfundim të kontrolleve në vendngjarje.

Artikulli paraprakProkuroria siguron 7 dëshmi që faktojnë se Ardit Gjoklaj ka punuar në landfill
Artikulli tjetërKur live të nxjerr edhe bllof, jo vetëm king