Ivanka Trump, çfarë do të sjellë vajza e parë për Amerikën?

Annie Karni

Gjatë muajit shtator, teksa Donald Trump sulmonte mediat dhe e përshkruante veten si kandidati i amerikanëve të harruar, Ivanka Trump u fut brenda në strofullën e mediave liberale dhe në elitën e pushtetshme që qeshte me babain e saj. Ajo u nis me avion drej Aspenit së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, për ta marrë pjesë në eventin “Fundjavë në Charlie Rose”, një mbledhje jo zyrtare ku 90 për qind e të ftuarve e urrenin Trump-in.
Eventi i përvitshëm është tipikisht i mbushur me të diplomuar Nobel, ish-zyrtarë të qeverisë, fisnikëri nga jashtë vendit, manjatë të biznesit dhe njerëz të famshëm që bëjnë diskutime për politikat ekonomike dhe ato të jashtme. Mund të thuhet që shumica e pjesëmarrësve ishin të gjithë antiTrump.
Nëse njerëzit mendonin se përfshirja e thellë e Ivankës në fushatën përçarëse të babait do të shkatërronte qëndrimin e saj ndërmjet liberalëve, atëherë duhet ta mendojnë edhe një herë. Më pak se dy muaj përpara ditës së zgjedhjeve ajo ishte përsëri anëtare e respektuar e klubit të tyre.
35-vjeçarja Ivanka, e dërguara e Trump-it në elitën e pasur të të majtëve, pritet të jetë “vajza e parë” në historinë moderne që luan një rol publik më të rëndësishëm se Zonja e Parë. Ajo po e pozicionon veten pikërisht aty ku nevojitet, si urë takimi ndërmjet të moderuarve dhe liberalëve, por e pajisur me qëndrimin dhe tonin e liderit të ri të Shteteve të Bashkuara.
Vajza ambicioze e presidentit, e cila e ka ngritur karrierën e saj mbi dominimin ndërkombëtar të markës, po planifikon të marrë përsipër një barrë shumë të rëndë. Ivanka dëshiron të bëhet avokatja e ndryshimit të klimës – një çështje që babai i saj e quajti mashtrim të sajuar nga kinezët – dhe do të bëjë të pamundurën për t’ia arritur qëllimit, tha një burim i ngushtë i saj për “Politico”. I njëjti burim tha se Ivanka është në fazat e para të eksplorimit të mundësive të jashtëzakonshme që i ofron pozicioni i saj për të mbrojtur këtë çështje.
Nëse arrin ta bëjë, mbështetja e saj për ndryshimin e klimës mund të jetë një psherëtimë lehtësimi për shumë amerikanë të frikësuar. Gjatë javës së kaluar, njujorkezët e shqetësuar për deklaratat e mëparshme të Trump-it kanë postuar letra të hapura të titulluara “E dashur, Ivanka” në rrjetet sociale dhe jashtë Puck Building në Manhattan në pronësi të bashkëshortit të saj. Një nga temat e këtyre letrave është frika se, Trump-i mund të zhbëjë politikat e ndryshimit të klimës të administratës Obama.
Shprehja e kundërshtimit për emetimet e karbonit dhe lëndët djegëse fosile do të krijojnë pa dyshim një tjetër sferë influence në orbitën e Trump-it. Shefi i stafit Reince Priebus ka qartësuar gjatë ditëve të fundit se, qëndrimi i Trumpit për çështjen e klimës nuk është plotësisht ajo që ka shprehur gjatë fushatës.
Askush nuk qëndron më afër presidentit të ri se vajza e tij e madhe dhe ky nuk do të ishte pozicioni i parë liberal që ajo përpiqet t’i shesë konservatorëve. Gjatë Konventës Kombëtare Republikane në korrik, Ivanka drejtoi çështjet e barazisë së pagës dhe lejet prindërore, çështje familjare që ka ndërmend t’i ndjekë në këtë platformë unike që përfaqëson rolin e saj si një këshilltare, zëvendësuese dhe Zonjë të Parë funksionale.
“Çështjet për të cilat ajo po flet janë të njëjtat që ka pasur për zemër gjithmonë”, thotë një burim i ngushtë i Ivankës. “Këto janë çështje që përputhen më së miri me mënyrën se si ajo ka krijuar dhe zhvilluar imazhin e saj. Ivanka po luan një rol kritik duke i ndjenjur afër grave të moderuara dhe liberale, duke krijuar një urë me anën tjetër”. Ivanka nuk pritet momentalisht të transferohet nga Manhattani në Washington, por është vënë në kërkim të një shefi stafi dhe punonjës të tjerë që do ta ndihmojnë të krijojë rolin e saj. “Natyrisht kjo është diçka e paprecedent në epokën moderne”, thotë Katherine Jellison, eksperte e studimit të Zonjave të Para në Universitetin e Ohios. “Nuk kemi parë një gjë të tillë që pas Luftës së Parë Botërore”.
Bashkëshortja e tretë e Trump-it, Melania, nuk ka bërë shfaqje ose deklarata publike që pas ditës së zgjedhjeve, përveç intervistës së përbashkët familjare “60 minuta”. Ish-modelja e lindur në Slloveni është parë jashtë shtëpisë së saj në Kullën Trump vetëm dy herë. Është Ivanka, me pamjen e saj pa asnjë të metë, ajo që po shfaqet kudo për mbështetje dhe aprovim në rrethet sociale dhe po luan rolin drejtues të familjes për presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara.
Por teksa Trumpi përpiqet të evitojë konfliktet e biznesit, Ivanka pritet të ketë përgjegjësi më të madhe edhe në kompaninë e familjes dhe është ende e paqartë se si do të përçojë mesazhet e saj politike duke mbikëqyrur edhe kompaninë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme.
“Bëhet konflikt nëse ajo do të ishte në pozicionin e politikëbërjes apo këshillimit”, tha Jaellison. “Nëse do të ishte e aftë të ishte vetëm pritëse për Shtëpinë e Bardhë dhe do ta përcaktonte me shumë kujdes rolin e saj, atëherë do të jetë e sigurtë. Në çdo rast, nëse njerëzit e saj të afërt do ta shikojnë të rrëshqasë në role të politikëbërjes dhe këshillimit, atëherë do të ketë akuza për konflikt interesi”.
Tani, e mësuar në një familje që tradicionalisht ka promovuar marka të ndryshme nëpër botë dhe përmes konflikteve të ndryshme të interesit, Ivanka duket se po zbulon me ngadalë kufijtë e imponuar nga pozicioni i saj i ri. Në fillim të këtij muaji, ajo u ul në takimin e parë të Trump-it ballë përballë me një lider të huaj, kryeministrin japonez, Shinzo Abe, duke ngritur edhe një herë pikëpyetje për konflikte interesi ndërmjet qeverisë dhe aktivitetit të biznesit privat.
“Ky ka qenë gjithmonë një biznes familjar”, thotë një burim i Ivankës pas takimit. “Familja tashmë duhet të përshtasë edhe mentalitetin e vjetër. Po i jepet rëndësi të veçantë mënyrës se si do të trajtohen këto çështje në të ardhmen dhe jemi të sigurt që nuk do të ketë probleme”.
Forca më e madhe e Ivankës nën dritat e projektorëve teksa përpiqet të promovojë një anë më të moderuar të presidencës, teksa drejton edhe markat ndërkombëtare të familjes, është gjakftohtësia e saj. Ajo nuk e ngre kurrë zërin. Nuk kritikon kurrë asnjë anëtar të familjes në publik. Siç ka thënë një ish-bashkëstudent i saj në kolegj: “Ajo është njeriu më i qetë dhe i përkushtuar që kam njohur në jetën time. Edhe kur është e inatosur, është një model i vërtetë i vetëpërmbajtjes. Është e pabesueshme”.
“Ajo gjen gjithmonë kohën për të nisur një shënim të shkurtër pas një eventi apo projekti të madh, duke shprehur mirënjohjen e saj për punën tonë”, thotë Amanda Miller, zv.presidente marketingu në organizatën Trump, e cila u bashkua me markën e familjes që në moshën 15-vjeçare kur filloi të punonte në klubin Trump të golfit. “Kjo është ajo që na bën të dëshirojnë të vijmë në punë çdo mëngjes”.
Por teksa presidenti i zgjedhur nis tranzicionin e tij drejt një roli më qeverisës, të njëjtët demokratë që e mirëpritën Ivankën krahëhapur edhe kur urrenin babain e saj, tani po pyesin veten se si mund të ndikojë ajo për çështjet e rëndësishme politike duke drejtuar gjithashtu markën e familjes. “Do të jetë interesante të shikojmë se si do të arrijë ta menaxhojë”, thotë një prej tyre.
Ivanka ka filluar që tani ta ushtrojë rolin e saj ceremonial, të paktën. Ajo shërbeu vakte për Ditën e Falënderimeve tek UJA-Federation në Nju Jork bashkë me djalin e saj 2-vjeçar dhe vizitoi Akademinë e Suksesit në Harlem, ku shpenzoi 90 minuta duke parë shtatë klasa dhe duke diskutuar planet e stafit akademik, mënyrën se si shkolla rekruton mësuesit dhe duke dëgjuar historitë e prindërve që u shfaqën tepër të mrekulluar pas saj.
“Më pëlqejnë shumë këpucët e tua”, i tha një prej nënave prezente. Ivanka postoi fotografi në mediat sociale të eventit. Ditën e hënë postoi në Twitter duke dërguar dashuri dhe lutje për kampusin dhe komunitetin e Universitetit Shtetëror të Ohios, pasi një student u fut me makinë mes një turme këmbësorësh dhe qëlloi njerëzit me thikë. Sipas ish-miqve të saj të shkollës, Ivanka e merr me shumë seriozitet rolin e saj dhe e shikon veten si urë lidhëse ndërmjet fronteve të përçara të babait të saj.
Është një përshtatje e madhe për vajzën e parë, e cila ia ka dedikuar jetën qëllimit për t’u bërë model ndërkombëtar në modë dhe mënyrë jetese. Por ka diçka në favorin e saj: Shumica e gabimeve potenciale që ajo mund të bëjë do të jenë të vetëshkaktuara. Ajo mban një rreth shumë të ngushtë dhe të kontrolluar njerëzish në punë dhe familje. Edhe marrëveshjet e saj të licencimit të markave që ajo promovon mbahen sekrete.
Përpara zgjedhjeve, Ivanka kaloi orë të tëra me këshilltarët duke diskutuar mënyrën se si mund të zgjeronte markën e saj për të përfshirë në të libra, dekor shtëpie dhe aksesorë luksi. Plani tashmë është shtyrë duke pasur parasysh impenjimet e mëdha që do të ketë Ivanka.
Tani, ajo do të shkelë në një territor relativisht të panjohur për të. “Margaret Truman ndonjëherë zëvendësonte rolin e të ëmës në eventet ceremoniale”, thotë Jellison. “Vajza e Pat Nixon-it, Julie, shpesh mbante përgjegjësitë e rolit të saj. Por në shekullin e fundit, nuk kemi parë asgjë të tillë, kur Zonja e Parë do të jetojë në një qytet tërësisht të ndryshëm dhe do ta lërë vajzën e saj të mbajë të gjitha përgjegjësitë që vijnë nga ky rol”.
Tani për tani, Ivanka është përqendruar të promovojë me pozitivitet çështjet që ka më për zemër dhe dëshiron të qëndrojë në heshtje për të gjithë të tjerat. Ajo shpesh e shikon veten si një zë ndryshe, ndoshta më liberal, se babai i saj. Mbetet vetëm për t’u parë se për sa kohë do të arrijë ta zhvillojë këtë rol.
Në eventin e Aspenit gjatë muajit shtator, një komedian profesionist e ndërpreu qetësinë e të pranishmëve duke iu drejtuar asaj. “I vetmi problem që kam unë me babain tënd”, tha indiano-amerikani Hasan Minhaj i “The Daily Show” gjatë eventit përpara sallës me qindra të ftuar nga bota e biznesit dhe ish-qeveritarë, “është që ai do ta dëbojë babain tim jashtë Amerikës”. Vajza e Donald Trump-it, atëherë vetëm kandidat republikan për president, nuk e humbi aspak qetësinë. Ajo buzëqeshi dhe e priti goditjen me finesën që e karakterizon.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakTrump: Mos prisni që të ndryshoj!
Artikulli tjetërBasha: Jo, taksës për rrugën e “Kombit”