Italiani në Prokurori: Fola me Edi Ramën për tenderin e TAP!

Me ose pa dijeninë e tij, Edi Rama është përfshirë në skandalin e mashtrimit të një shtetasi italian nga Eduart Ndocaj, ish- deputeti socialist i Lezhës.
Burime nga Policia e Lezhës për Lapsi.al thanë se, biznesmeni italian e ka takuar Eduart Ndocajn në Milano, gjatë kohës që ky ishte deputet. Në bisedën që kanë bërë në Milano, “kaubojsi” i premton italianit se do ta ndihmonte, që ai të fitojë tenderin për shtrimin e tubave të gazsjellësit TAP. Por për këtë “nder”, Ndocaj kërkoi 50 mijë euro. Italiani tregon se ka paguar dy herë nga 25 mijë euro, por një tender i tillë nuk u zhvillua kurrë. Pasi priti t’i kthehen parate, bëri kallëzim në Prokurori për Eduart Ndocajn.
Burime nga Policia e Lezhës thanë për Lapsi.al se, Ndocaj ka arritur t’i sigurojë biznesmenit italian edhe një takim me kryeministrin Edi Ramën. Nuk dihet kur dhe ku është zhvilluar takimi, por italiani e ka hapur bisedën e tenderit të tubave të TAP edhe me Edi Ramën.
Duke qenë se kishte paguar paratë tek Eduart Ndocaj, italiani nuk ka pasur komplekse të flasë për një aferë korruptive edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Nuk dihet nëse Rama është habitur nga biseda apo nëse kishte dijeni paraprakisht për premtimet e Eduart Ndocajt, por sipas deklarimit të biznesmenit në Prokurori, Edi Rama i ka thënë që për këtë çështje të takohet me ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri.
Eduart Ndocaj u bë deputet i Partisë Socialiste, pasi shpenzoi gati 500 mijë euro në fushatë. Këtë e ka pranuar vetë në një intervistë në televizion. 500 mijë eurot që investoi për Rilindjen e Lezhës, në një formë ose tjetër, biznesmeni Eduart Ndocaj duhej t’i rifitonte. A e dinte kryeministri përse po e takonte biznesmenin italian? Apo Ndocaj e mashtroi edhe shefin, njësoj si italianin?
Afera sapo ka shpërthyer dhe ngre shumë pikëpyetje. I takon kryeministrit, Edi Rama të sqarojë çështjen dhe nëse mundet, të dalë nga kazani, ku e ka futur “Kaubojsi”.
Ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Eduard Ndocaj është ndaluar mbrëmjen e së martës nga policia, pasi ndaj tij ka ngritur kallëzim një shtetas italian dy ditë më parë. Italiani ka bërë denoncim në Policinë e Lezhës, duke deklaruar se, Eduard Ndocaj i ka vjedhur një shumë të konsiderueshme eurosh nëpërmjet mashtrimit në Itali. Paraprakisht flitet se bëhet fjalë për një shumë prej 78 mijë eurosh, përballë një tenderi që Ndocaj i ka premtuar italianit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, për shtrimin e një gazsjellësi në Shqipëri. Menjëherë pas këtij njoftimi, Ndocaj është ndaluar nga Policia në pikën kufitare të Portit të Durrësit më 9 tetor, ndërsa rezultonte i shpallur në kërkim prej datës 7 tetor. Policia e Lezhës ka kryer veprimet në komisariat me ish-deputetin, dhe në përfundim të verifikimeve, është vendosur që Ndocaj të hetohet në gjendje të lirë, dhe dosja me materialet proceduriale në ngarkim të tij të kalojë për hetim të mëtejshëm në Prokurori. “Më datë 09.10.2017, në PKK Port, Durrës, u kap shtetasi në kërkim E.N, vjeç 42, banues në Manati Lezhë, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit në Itali, i ka vjedhur një shtetasi italian një shumë eurosh. Në përfundim të veprimeve të kryera nga D.V.P Lezhë ndaj shtetasit E.N u referuan materialet në Prokurori dhe ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal”. thuhet në njoftimin e Policisë.

Artikulli paraprakKush është Carles Puidgemont?
Artikulli tjetërMë pak nxënës, më pak shkolla, Shqipëria po rrudhet nga viti në vit