Italia sot voton djathtas dhe esktremisht djathtas

Rezultati i votimit, që pritet të bëhet publik mëngjesin e së hënës, mund ta riktheje Silvio Berluskonin dhe partinë e tij në pozitat e forcës dominuese të politikës vendase.
Por ato mund të tregojnë gjithashtu një rritje të mbështetjes për dy partitë populiste të Italisë, lëvizjen 5 yjet dhe Lega Nord-in e ekstremit të djathtë; që të dyja euroskeptike, pro-Kremlinit dhe kundërshtarë të tregtisë së lirë e vaksinimit të detyrueshëm, edhe pse vendi aktualisht po përballet me një epidemi fruthi.
La Lega e përqafon hapur ideologjinë “italian’s first”, ndërsa Pesë Yjet fokusohet tek korrupsioni, edhe pse ngjitja e saj vitet e fundit nga parti periferike në lojtarë të rëndësishme të politikës vendase ka nxjerrë në pah thellësinë e zemërimit brenda radhëve të elektoratit. Qendra e majtë, e drejtuar nga ish kryeministri Matteo Renzi, tentoi të premten të lëshonte një apel të fundit për gjakftohtësi në zgjedhje, duke i bërë thirrje votuesve të pavendosur, që janë aktualisht në nivelin 30%, të mendojnë mire se çfare do të bëjnë të dielën.

Zgjedhjet e nesërme në Itali po prezantohen si sfida më fundit e Bashkimit Evropian ndaj rritjes së pakënaqësisë për emigracionin dhe stabilimentin e vjetër politik, teksa radikalët e djathtë dhe euro-skeptikët vazhdojnë të zotërojnë shumicën e mbështetjes elektorale.
Lëvizja 5-Yje, fillimisht partia më e madhe anti-stabiliment në Itali por e moderuar pas rritjes së konsiderueshme të profilit, qëndronte në krye të mbështetjes në sondazhet e djeshme si subjekt i vetëm, e ndjekur nga radikalët e djathtë të Lega Nord, të cilët kanë kërcënuar me dalje të Italisë nga monedha euro, në rast të mungesës së reformave në BE. Këta të fundit konkurrojnë në koalicion me partinë e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, Forza Italia. Zyrtarët e sondazheve thonin se 5 Yje mund të arrijë më shumë se 30 për qind të mbështetjes megjithëse konkurron si subjekti vetëm.

Të pavendosurit mund të shkojnë djathtas
“Ka mundësi që në momentin e fundit shumë zgjedhës të pavendosur të zgjedhin Lëvizjen 5-Yje duke e ngritur mbi 30 për qind. Votuesit kërkojnë ndryshim dhe kjo pritet nga Lëvizja 5 Yje”, tha Federico Benini kreu i sondazheve Winpoll. Antonio Noto, kreu i anketuesve Noto gjithashtu tha se nuk do të habitej nëse 5-Yje kalon 30 për qind të votës. Lëvizja 5-Yje ka qenë që më parë në krye të shifrave të mbështetjes me 28 për qind të votës së parashikuar, por koalicioni kryesor mbetet ai i Lega Nord dhe Forza Italia e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, të cilët bashkë me partinë me origjinë fashiste Fratelli D’Italia, zotërojnë të paktën 37 për qind të mbështetjes. Koalicioni i majtë me Partinë Demokratike të ish-kryeministrit Matteo Renzi renditej në 27 për qind të mbështetjes. Ish-ministrja italiane e integrimit, zyrtare e lartë e PD, Cecile Kyenge, tha se Berlusconi dhe aleatët e tij po investojnë te racizmi në fushatën e tyre. “Fushata e tyre tregon se këto parti punojnë dhe investojnë në një pakicë njerëzish dhe vendi ynë duhet të marrë masa për të sanksionuar liderët dhe partitë politike që investojnë te racizmi”, tha ajo.

Salvini: Italia do ndjekë shembullin britanik
Kreu i Lega Nord, Matteo Slavini i dha dje një paralajmërim të ashpër Brukselit, duke thënë se vendi i tij do të ndjekë shembullin e Britanisë nëse BE nuk dëgjon kërkesat e Italisë. “Unë personalisht gjithmonë kam mbështetur parimin e shprehjes me referendum. Rasti i Britanisë është akoma më emblematik pasi ishte hera e parë që qytetarët e shprehën veten mbi anëtarësinë në Bashkimin Evropian. Ata e refuzuan dhe unë nuk u habita. Nuk ka përse njerëzit të dëshirojnë të mbyllen në një kafaz absurd rregullash e legjislacioni, që në fakt shtrëngojnë dhe turpërojnë nevojat e vërteta të popullit e vendit të tyre. Prandaj vota e të dielës në Itali është shansi i fundit që BE të reformojë veten. Ndryshe, Brexit do të jetë vetëm nisja e një procesi të paevitueshëm të shembjes, me të gjitha pasojat dhe rreziqet që vijën me të”, tha Salvini në një intervistë.
Partia e tij ka vendosur që nëse koalicioni fiton, ajo që merr më shumë vota të zgjedhë kryeministrin. Aleati i tij Berlusconi nuk mudn të pretendojë postin e kryeministrit prej një dënimi për evazion fiskal. Por dje Berlusconi ka marrë pranimin për ftesën që i bëri për postin, presidentit të Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

64 vjeçari Tajani është i propozuar disa herë për pozicionin e kreut të qendrës së djathtë nga ish-kryeministri Silvio Berlusconi, por deri tani kishte thënë se dëshiron të qëndrojë në detyrën aktuale. Dje ai iu bind veteranit të politikës italiane. “Falënderoj presidentin Berlusconi për vlerësimet ndaj meje. E njoftova se jam i gatshëm t’i shërbej Italisë”, tha Tajani gjatë një postimi në Twitter. Ai duket si nga elementet më të moderuar te e djathta aktuale, si një politikan që kërkon konsensus, me karrierë të gjatë në institucionet e BE. Një monarkist në rininë e tij, ai ka qenë një nga anëtarët themelues të partisë “Forza Italia” të Berlusconit dhe ka shërbyer si zëdhënësi i ish-kryeministrit në vitet 1994-1995.

Artikulli paraprakDy taksat e reja që ju zhvatin një pagë
Artikulli tjetërKush është bosi i 613 kg kokainës në Durrës, flet ministri i Mbrojtjes së Kolumbisë: Droga u kap nga agjencitë ndërkombëtare