Italia bllokon 3.3 tonë drogë nga skafet e Tahirit në 3 ditë

Sasi të mëdha lëndësh narkotike me prejardhje nga Shqipëria janë bllokuar 24 orët e fundit në Itali dhe Greqi. Lajmi është publikuar nga “Zëri i Amerikës”. Sipas burimeve zyrtare, Policia italiane e Brindizit bllokoi 1 ton e 350 kg marijuanë, duke arrestuar dy trafikantë shqiptarë. Rreth 80 kilogramë marijuanë u bllokuan nga Policia e Janinës në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Sipas burimeve italiane droga e sekuestruar në Brindizi po transportohej nga brigjet shqiptare me një motoskaf nga Shqipëria, ndërkohë që dy trafikantët shqiptarë u arrestuan.
Burimet italiane vlerësojnë se, nëse droga do tregtohej në tregun italian shifrat e përfituara nga tregtia me pakicë do shkonin në rreth 13 milionë euro. Policia italiane tha se lënda narkotike ishte e ndarë në 60 pako të mëdha të mbështjella për t`i rezistuar ujit. Policia e Brindizit publikoi pamjet e operacionit, ku skafistët shqiptarë përpiqen t`i shpëtojnë bllokimit në një ndjekje të rrezikshme në det nga roja bregdetare italiane.
Po ashtu, Policia italiane sekuestroi 520 kg marijuanë të futur nga brigjet shqiptare në provincën Lodi. Droga ndodhej në dy makina të vogla dhe një furgon, të cilat drejtoheshin nga tre shqiptarë. Gjatë operacionit policia italiane ka vënë në pranga tre shqiptarë. Sipas mediave vendase, vlera e lëndës narkotike në tregun me pakicë arrin vlerën prej 5 milionë euro, ndërsa kishte si synim tregun lombardez.
Policia ndërmori aksionin, pasi vuri re lëvizjet e dyshimta të shqiptarëve, ndërsa ka ndërhyrë kur shqiptarët parkuan dhe u futën në një ambient publik. Pas kontrollit, Guardia Di Finanza gjeti të fshehur brenda në njërën prej makinave dhe në furgon 520 kilogram marijuanë.
Pak ditë më parë po në Brindizi policia italiane bllokoi rreth 2 tonë marijuanë me prejardhje nga Shqipëria. Sipas mediave italiane, rreth 11 km në afërsi të Brindisit, në orët e para të mëngjesit, Guarda di Finanza në Puglia ndaloi një skaf me 2 motorë të fuqishëm. Në bordin e tij ndodhej ngarkesa me rreth 1.9 ton kanabis. Nga aksioni policor u vunë në pranga një shqiptar dhe një italian, banues në Brindisi. Ndërkohë mediat italiane njoftojnë se po vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Po ashtu më 10 janar u sekuestruan 700 kg drogë me vlerë 4 milionë euro në Leçe. Mediat italiane bënë të ditur se gjatë një operacioni në bregun e San Foca në Leçe, u bllokua një gomene me 700 kg marijuanë. Droga u gjet e ndarë. Një pjesë ishte fshehur në disa shkurre, ndërsa pjesa tjetër ishte në gomone. Sipas të njëjtave burime, gomonia e fuqishme kaloi kanalin e Otrantos mes natës së të hënës dhe të martës. Ajo u pa nga një peshkatar rreth orës 8 të mëngjesit që njoftoi karabinierët.
Ditën e djeshme policia greke ka bllokuar rreth 30 kg kanabis në dy operacione. Mbi 21 kg marijuanë u sekuestrua dje pasdite në Igumenicë, e cila ishte trafikuar nga kufiri i gjelbër. Bëhet e ditur se, sasia e lëndës narkotike u kap në autobusin e linjës Igumenicë-Athinë, ndërsa në pranga ranë dy shqiptarë, 18 dhe 29 vjeç. Deri më tani nuk dihet identiteti i shqiptarëve të arrestuar. Nga kontrollet e ushtruara nga policia greke, raportohet se droga ishte ndarë në 18 pako, me sasi totale 21 kg 708 gram. Sakaq, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje si dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë në trafik apo jo.
Po ditën e djeshme një sasi lëndësh narkotike është bllokuar nga policia greke. Në pranga është vënë një shtetas shqiptar, 56 vjeç. Sipas policisë së Janinës, 56-vjeçari e kishte kaluar në këmbë kufirin e gjelbër, teksa në duar mbante 2 çanta me nga 3 pako me 6.7 kg mariuanë.

R.POLISI

Artikulli paraprakNaftëtarët, protestë kërcënuese, Besniku i Ramës nuk u jep rrogat prej 4 muajsh
Artikulli tjetërShullazi, ballafaqim në Gjykatë për gjobëvënien 550 mijë euro