Itali, tronditja e bankave, kriza e ardhshme europiane

Investitorët anembanë janë të shqetësuar. Kthimet nga bonot 10-vjeçare ranë në nivelet e tyre më të ulëta këtë javë, mbajtësit e bonove 50-vjeçare zvicerane janë të përgatitur për kthime negative. Disa prej këtyre shqetësimeve rrjedhin nga vendimi i Britanisë. Paundi, që arriti nivelet më të ulëta kundrejt dollarit në 31 vitet e fundit, nuk e ka prekur ende fundin, disa prej fondeve britanike që merren me tregtimin e pasurive kanë pezulluar aktivitetet, si rrjedhojë e tronditjes së vlerës së aktiveve. Por, vota pro daljes së Britanisë nga BE nuk e shpjegon të gjithë këtë shqetësim. Një tjetër kërcënim financiar, edhe më i rrezikshëm, gëlon në anën tjetër të kanalit, sikurse kreditorët italianë po lëkunden në prag të një krize bankare, shkruan The Economist.
Italia është ekonomia e katërt europiane, si dhe një nga më të dobëtat. Borxhi publik është 135% e PBB, norma e punësimit është më e ulëta se në çdo vend tjetër të BE-së. Ekonomia ka qenë në “agoni” për shumë vite, mbytur nga mbirregullat dhe produktiviteti i dobët. Në mes të një periudhe stanjacioni dhe deflacioni, bankat italiane janë në telashe të mëdha, ngarkuar me një kredi problematike prej 360 miliardë eurosh (400 miliardë dollarë), e barabartë me një të pestën e PBB të vendit. Bashkërisht, ata kanë provizionuar 45% të asaj shume. Në rastin më të mirë, bankat e brishta italiane do të mbytin rritjen ekonomike, në më të keqin, disa prej tyre do të falimentojnë.
Jo rastësisht, investitorët janë larguar. Aksionet e bankave më të mëdha në Itali janë përgjysmuar që nga prilli, një rënie që është theksuar që pas votimit në Britani. Shqetësimi më i madh i menjëhershëm është shpëtimi i “Monte dei Paschi di Siena”, banka më e vjetër në botë. Disa nga përpjekjet për ta pastruar kanë dështuar, tani ajo vlen sa një e dhjeta e vlerës së saj kontabël dhe mund të vlejë edhe më pak pas testimit nga Banka Qendrore Europiane në muajt në vijim.
Kjo jo vetëm e bën rrëmujën e bankave italiane të rrezikshme, por është edhe një rast i sëmundjeve të zonës së gjerë të euros, tensionit ndërmjet rregullave të Brukselit dhe nevojave emergjente të politikave kombëtare, si dhe të konfliktit të kreditorëve dhe debitorëve. Të dyja këto janë pasojat e reformave të papërfunduara financiare. E keqmenaxhuar, çështja italiane mund të kthehet në një degradim të Eurozonës.
Italia ka urgjentisht nevojë për një pastrim të fortë të bankave. Me ikjen e kapitalit privat dhe me përdorimin e madh të fondeve të shpëtimit, do të lindë nevoja e injektimit të parave qeveritare. Problemi qëndron se kjo është politikisht e pamundur. Rregullat e reja të Eurozonës nuk lejojnë që shteti t’i shpëtojë bankat, në qoftë se nuk kanë mbartur humbjet më parë. Parimi për të rënduar kreditorët dhe jo taksapaguesit është një gjë e mirë. Në shumicën e shteteve, obligacionet bankare mbahen nga institucione investuese, të cilat njohin riskun dhe përballojnë humbjet. Por, në Itali, falë hapësirës në kodin tatimor, një sasi prej 200 miliardë eurosh e bonove bankare mbahen nga investitorët në tregun e pakicës. Kur disa prej bankave u rregulluan nën ligjet e reja në nëntor, një prej këtyre investitorëve kreu vetëvrasje. Kjo shkaktoi një furtunë politike. T’i imponosh italianët për të mbartur përsëri mbi vete humbjet do ta dëmtonte Matteo Renzin, kryeministrin italian, që shpreson të fitojë referendumin për reformën kushtetuese. Kryeministri dëshiron që këto ligje të aplikohen në mënyrë fleksibël.
Por, politika vazhdon të qëndrojë në lojë me vendet kreditore të Eurozonë. Gjermania, me të drejtë thotë se problemet e Italisë, janë kryesisht pasojë e vendimmarrjes së vet. Ka qenë shumë e ngadaltë në mbërthimin e bankave me problem, ndoshta sepse një pjesë e borxhlinjve janë të përzierë dhe me politikë, dhe kjo është e pafalshme. Çdo sistem që lejon vendet të zgjedhin cilat ligje duan apo nuk duan të zbatojnë, sipas interesave të tyre, ka demoralizuar votuesit në Gjermani.
Ashtu sikurse Renzi ka shumë për të përfituar nga zbutja apo pezullimi i ligjeve, mëshira mund të jetë një kosto politike me Gjermaninë, ku do të zhvillohen zgjedhjet vitin që vjen.
Ne i kemi bërë ligjet për sistemin e borxhit,- tha Angela Merkel në përgjigje të kërkesës së Renzit për “shpirtbutësi”. Nuk mund t’i ndryshojmë rregullat çdo dy vjet.

Artikulli paraprakTorino bëri goditjen e madhe me Ajetin
Artikulli tjetërHuaja me probleme vijon të rritet