Itali-Shqipëri në Palermo

Vendimi i italianëve që dueli i 24 marsit të ardhshëm ndërmjet “të kaltërve” dhe Shqipërisë të luhet në Palermo nxiti menjëherë dyshimet se një zgjedhje e tillë u bë për të kufizuar numrin e tifozëve kuqezi në stadium.
Hipotezë që gjen konfirmime në fjalët e Gabriele Oriali-t, menaxherit të përfaqësueses së Italisë. Ish-mesfushori i famshëm i Interit e Fiorentinës, fitues i Kupës së Botës në vitin 1982, nuk e fshehu prapaskenën e përgatitur.
“Nuk mendoj se është e nevojshme t’i bëjmë një apel publikut për të mbushur tribunat në stadiumin ‘Renzo Barbera’ në ndeshjen me Shqipërinë. Gjithmonë kur kemi luajtur aty, mbështetja masive e tifozëve nuk ka munguar. Zgjedhja e Palermos për të zhvilluar ndeshjen është bërë edhe për këtë arsye”, u shpreh Oriali.
Me fjalët e tij nga grumbullimi stërvitor që trajneri Ventura po zhvillon në Koverçano me lojtarët e rinj, kandidatë për një vend në kombëtaren italiane, Oriali konfirmoi qartë atë që shqiptarët dyshonin.
Pas miqësores së Xhenoas, të zhvilluar në nëntor të vitit 2014, ku në stadium kishte më tepër mbështetës kuqezi sesa tifozë të Italisë, zgjedhja e Palermos është bërë edhe me synimin për të kaluar balancat në tribuna në anën e skuadrës vendase. Nëse kjo do të realizohet, mbetet për t’u parë më 24 mars.

Artikulli paraprakZharrëza, 120 kilometra marshim drejt protestës
Artikulli tjetërHyka prezantohet me numrin 10 te San Jose