Itali, operacion kundër terrorizmit, arrestohen 3 qytetarë të Kosovës

Policia italiane tha se ka arrestuar tri persona dhe ka ndaluar një të mitur gjatë një operacioni për shkatërrimin e një celule të dyshuar ekstremiste në qendër të Venecias.
Policia tha se dymbëdhjetë bastisje janë kryer në qendrën historike të qytetit, si dhe qytetet aty pranë Mestre dhe Treviso.
Të gjithë të arrestuarit janë me prejardhje nga Kosova, por me leje qëndrimi në Itali. Ata ishin vëzhguar për një kohë nga policia nën dyshimet se mund të jenë përfshirë në veprimtari radikale fetare. Operacioni është bashkërenduar nga Drejtoria Rajonale e Antimafias dhe Antiterrorizmit në qytetin e Venecias.
Italia ka deportuar 153 të dyshuar për terrorizëm që nga janari i vitit 2015 dhe 21 syresh që nga fillimi i këtij viti.
Më herët gjatë këtij muaji, Italia dëboi një tunizian që dyshohej për lidhje me Anis Amrin, autor i një sulmi me kamion në një treg të Berlinit në muajin dhjetor, që la pas vetes 12 të vrarë. Amri qe vrarë nga policia italiane disa ditë më pas në Milano.
Në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2015, policia italiane kishte arrestuar në dy operacione të ndryshme katër shqiptarë nga Kosova nën dyshimet për përfshirje në nxitjen e terrorizmit.
Kosova është përballur me dukurinë e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat e huaja që nga fillimi i konfliktit në Siri. Që atëherë rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe rreth 60 veta kanë humbur jetën. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Edhe më tej, në atë zonë besohet se janë rreth 140 qytetarë të Kosovës.

Artikulli paraprakÇfarë po kërkon Serbia në Kinë?
Artikulli tjetërNdëshkimi për Brexit do të ishte gabim