Islami: Borxhi i Ramës, 10 mijë euro për çdo familje

Deputeti i Partisë Demokratike Kastriot Islami, ka bërë një përllogaritje të borxhit përgjatë katër viteve të qeverisjes Rama. Sipas tij, në fund të mandatit të qeverisjes, çdo familje shqiptare do të ketë në kurriz një borxh prej më shumë se 10 mijë euro. “Kur Rama është ulur në karrigen e Kryeministrit, ka gjetur një borxh të grumbulluar gjatë 21 vjetëve në vlerën 898 miliardë lekë ose rreth 6.6 miliardë euro. Vetëm në katër vitet e qeverisjes së Rilindjes të drejtuar nga Rama, borxhi total arrin në 1104 miliardë lekë ose 1.104 trilionë lekë. Rritja në këto katër vite është 206 miliardë lekë ose 1.51 miliard euro. Ndryshe rritja e borxhit në katër vjet është me rreth 23 për qind ose me një të katërtën e borxhit 21-vjeçar. Me këto shifra, borxhi për çdo qytetar arrin në 2706 euro duke u rritur vetëm gjatë katër viteve të Rilindjes me 505 euro. Kurse një familje me 4 vetë do të ketë në fund të qeverisjes së Rilindjes një borxh në vlerën 10824 euro, duke u rritur në këto katër vite me 2020 euro. Këto janë rritjet më të mëdha në 25 vjet demokraci që kanë ndodhur gjatë një qeverisje 4-vjeçare. Paradoksi është se gjatë këtyre katër viteve s’janë rritur as pagat, as pensionet, as janë ndërtuar rrugë të reja, shkolla të reja, spitale të reja dhe as janë rritur ndihma sociale, asistenca e papunësisë. Shumica e parave të marra borxh kanë shkuar për makina, zyra, dieta dhe udhëtime jashtë vendit për Kryeministrinë, veçanërisht dhe ministrat e qeverisë së Rilindjes”, shprehet Islami.

Artikulli paraprakMjekët në protestë kundër koncesionit të laboratorëve spitalorë
Artikulli tjetërTransport hashashi me furgona të vjedhur, policia fsheh ngjarjen