ISHP jep alarmin: Rritet numri i adoleshentëve që përdorin hashash

Pushteti i rrjeteve kriminale të trafikut të drogës ka përfshirë masivisht gjimnazet, duke shndërruar adoleshentët në përdorues kanabisi. Në katër vitet e fundit, falë kanabizimit të vendit, është aktivizuar fuqishëm rrjeti i trafikut të drogës në të gjitha nivelet e tij, nga ai ndërkombëtar tek ai në rang vendi, përfshirë këtu edhe të rinjtë, duke shkaktuar një problem real e social për familjet shqiptare. Raste të shpeshta janë denoncuar në lidhje me rritjen e përdorimit të lëndëve narkotike në shkolla e veçanërisht nëpër gjimnaze, ku aromën e librave e ka zëvendësuar ajo e kanabisit. Sot, ky fakt vuloset edhe zyrtarisht. Është Instituti i Shëndetit Publik, ai që ngre alarmin për rritjen masive të adoleshendëve që janë shndërruar në përdorues kanabisi, kjo për shkak të rrugëve të hapura të trafikantëve për të ofruar drogë tek adoleshentët. Sipas ISHP, nxënësit me mesatare të dobët dhe ata me prindër të ndarë janë kategoria që konsumojnë më shumë hashash. Alarmin e japin specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët në konferencën vjetore ngritën shqetësimin për shtimin e adoleshentëve përdorues të kanabisit. Numri i adoleshentëve, të cilët konsumojnë hashah është rritur ndjeshëm në vitet e fundit. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri i përdoruesve ka ardhur në rritje, ndërsa shkak për këtë është gjetja me lehtësi e lëndës narkotike. Specialistja e ISHP-së, Gentiana Qiriako, ngre shqetësimin e rritjes së numrit të përdoruesve. Sipas studimit të prezantuar në konferencën vjetore të ISHP, përdorimi i lëndëve narkotike ndikon edhe në rezultatet e mësimeve të të rinjve. Nga 197 klasa të 9 dhe të 10 që janë anketuar rezulton se nxënësit me mesataren mbi 8, nuk janë përdorues të drogërave ose janë në një numër të ulët. Teksa për ata që janë me mesatare më të ulët, numri i përdoruesve është 40 për qind më i lartë. Një tjetër faktor që sipas ISHP ndikon në përdorimin e substancave narkotike është edhe struktura familjare, ku sipas të dhënave adoleshentët që jetojnë me prindër të divorcuar apo vetëm njërin nga prindërit janë përdorues në masë të hashashit. Në këtë rast nxënësit përdorues të kanabisit janë 8.2 për qind më shumë. Sipas këtij studimi, rezulton se nga përdoruesit e kanabisit janë 8.2% e nxënësve me prindër të divorcuar, 5.3% e nxënësve që kanë dy prindërit, 40% e nxënësve me mesatare të ulët, 4.4% e nxënësve me mesatare të lartë. Rritja e konsumit të drogës tek adoleshentët dhe fuqizimi i rrjeteve që furnizojnë ata me drogë është një nga shqetësimet e ngritura edhe nga kreu i PD, Basha, i cili ka premtuar luftë pa komromis çdo grupi që po shkatërron të rinjtë shqiptarë duke i droguar ata. “Droga do të marrë fund. Çdokush që do të kapet duke shitur apo ofruar drogë fëmijëve shqiptarë, e pret burgu i gjatë dhe i vështirë. Republika e re do të jetë e ashpër me ata që helmojnë fëmijët shqiptarë me drogë, ndaj teksa hedhim themelet e saj dhe rrëzojmë Republikën e vjetër, u bëj thirrje kriminelëve që helmojnë fëmijët e shqiptarëve: hiqni dorë sepse do të uronit të kishit litarin në fyt me atë që do t’u bëjmë nëse vazhdoni të helmoni fëmijët tanë. E zeza do t’ju pijë, do t’ju shfarosim. Policia e Republikës së re do të autorizohet të ndërmarrë të gjitha veprimet, për të trajtuar çdo person që shtrin drogën drejt fëmijëve, njësoj sikur drejton pistoletën drejt policit. Do t’iu asgjësojmë”, është shprehur kreu i PD Basha.

Artikulli paraprakKriza, 30% e të rinjve as në punë as në shkollë
Artikulli tjetërParqet arkeologjike, shesh fushate elektorale dhe përshesh investimesh