Ish të pëndjekurit: Filmat propagandistikë të diktaturës nxisin urrejtjen

Shoqatat e ish të përndjekurve politikë i janë drejtuar me një letër instancave më të larta shtetërore për të ndaluar shfaqjen e filmave propagandistikë të diktaturës komuniste. “Ditët e fundit në vendin tonë është hapur debati në opinionin publik për transmetimin apo jo të filmave të diktaturës. Këta filma propagandistikë të diktaturës komuniste nxisin urrejtjen midis shqiptarëve, u bëjnë jehonë gjyqeve të Partisë së Punës, që shajnë dhe fyejnë shtresën e persekutuar politike, fenë dhe besimet fetare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vatikanin, Britaninë e Madhe dhe vendet perëndimore si dhe ngrenë lart në piedestal figurën e diktatorit dhe regjimin komunist. Këto filma duke u parë nga shikuesit sidomos brezi i ri mbajnë gjallë dhe aktivizojnë kanalin nostalgjik të komunizmit”, thuhet në letrën e shoqatave të ish të përndjekurve politikë.
“Këto filma janë edhe një fyerje e madhe për shtresën tonë të përndjekurve politikë, që na paraqesin neve si armiq të klasës, të popullit, të partisë, shërbëtorë të imperializmit, të borgjezisë dhe të shërbimeve sekrete të huaja etj., duke cenuar integritetin moral të shtresës tonë. Këto filma të diktaturës janë një ridënim për ne, kur mijëra familje nuk kanë gjetur eshtrat e njerëzve të tyre të pushkatuar nga diktatura komuniste si dhe na rikujtojnë xhelatët dhe torturat.
Ata që kanë përjetuar komunizmin e dinë shumë mirë që nuk është ashtu siç jepet nëpër këto filma ku pulat, vezët e ushqimet jepeshin me tollona, ku nuk kishte ilaçe dhe fëmijët e vegjël vdisnin për një antibiotik, ku nënat rrinin gjithë natën në radhë për të blerë një shishe qumësht, ku rinia riedukohej nëpërmjet aksioneve apo zboreve ushtarake apo duke lexuar librat e diktatorit, po të kaloje kufirin të vrisnin sikur të ishe kafshë e egër dhe ngjarje të pabesueshme.
I harruan këto gjëra drejtuesit dhe stafi i stacioneve televizive që po të ishte sot në fuqi regjimi i kaluar ndoshta do të ishin punëtorë të thjeshtë dhe të varfër pa makina dhe shtëpi luksoze.
Diktatori komunist e konsideronte kinematografinësi artileri e rëndë e regjimit të tij për të shkatërruar dhe helmuar mendjen e njerëzve. Eshtë ky diktator që në fjalimet e tij shante dhe fyente SHBA, Vatikanin dhe vendet perëndimore, gjoja si vende armike të Shqipërisë, kur sot ato janë aleatët më strategjikë dhe vendet më mike të vendit tonë”, thuhet më tej.
Shoqatat e ish të përndjekurve politikë shprehen se, filmat nuk mund të zhduken, sepse ata janë pjesë e arkivave dhe objekte studimi. Ato duhet të kenë të drejtën e autorit dhe janë trashëgimi shtetërore. Shoqëria e sotme demokratike nuk duhet të qëndrojë indiferente ndaj transmetimit të tyre, sepse këto filma janë në kundërshtim më parimet e Kushtetutës së Shqipërisë. Kjo sepse këto filma janë megafona të propagandës së Partisë së Punës, që po ringjallin dhe ripërtërijnë nostalgjinë për diktatorin, diktaturën dhe realitetin e shtetit totalitar komunist. Shikimi i tyre nga rinia dhe fëmijët është tepër i dëmshëm.
“Duhen seleksionuar një pjesë jo e vogël filmash me shkallë më të pakët propagande dhe me vlera të spikatura artistike, duke e shoqëruar para shfaqjes me një bisedë në studio ku të tregohen vlerat negative të tyre. Duhet të veprohet me ligj që të parandalojmë propagandën komuniste në mënyrë që të distancohemi nga e shkuara diktatoriale komuniste ashtu siç bënë të gjitha ish-vendet komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore si Polonia, Gjermania, Çekia, Hungaria etj.
Si përfundim të gjitha shoqatat tona të Ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë edhe në përkrahje të Institutit të Studimeve të Krimeve Komuniste etj., kërkojmë të ndalohet transmetimi i filamve propagandistikë të diktaturës komuniste në stacionet televizive të vendit tonë”, thuhet ndër të tjera.

Artikulli paraprakPushojnë nga puna burrë e grua për motive politike dhe i heqin pensionin vjehrrës
Artikulli tjetërSkandal, pacientët në dorë të infermierëve ngelës e me leje të falsifikuar