Ironia e gazetarit: Me kaq shumë lapidarë dhe heronj, jemi mall kështu si jemi…

Nga Namir Lapardhaja

Me aq shumë lapidarë në fshatrat më të thella, në malet më të lartë, në kodrat më të gjera, ku asnjëherë nuk shkeli këmba e shqiptarit, e jo më e italianit dhe gjermanit; me aq shumë heronj e buste, në qendrat e fshatrave, në qoshet e qyteteve, në mesin e shesheve; me aq shumë dëshmorë, çdo dëshmor për metër katror dhe çdo një në tre shtëpi me nga një dëshmorë për derë; me aq shumë dekorata, çdo shtëpi dëshmori me nga tre dekorata për kokë, sidomos në periudha zgjedhore dhe fushata elektorale; me aq shumë ngjarje të pangjara, luftra të pandodhura, heroizma të pa qena, beteja të pabëra, fitore të pakorrura, përplasje të paparë dhe dëgjuar; me aq shumë parada e festime, përkujtime dhe parakalime; me aq shumë kinematografi, filma, kinostudio, libra, letërsi, romane, novela, poema dhe poezi; me aq shumë ndotje ideologjike, doktrinare dhe politike; me aq shumë robërim të mendjes, shpirtit dhe zemrës; me aq baltë e llumë kundër një shtrese të tërë pasanikësh dhe bejlerësh; me aq shumë urrejtje dhe neveri ndaj tjetrit, mikut, të afërmit, komshiut, jo të ngjashmit; me aq shumë përdorje nga politika dhe ideologjia; me aq shumë mungesa shpirtërore dhe të besimit; me aq shumë dhunë dhe përbaltje, ku çdo një në tre ishte spiun dhe vigjilent për të parë nga vrima e çelësit se çpo mendonte tjetri dhe se si mendimet e kokës ishin rrezik për ekzistencën e regjimit…, jemi mirë dhe kaq, jemi mall dhe kështu si dhe sa jemi, jemi të lumtur, sepse mund të ishim edhe më keq, edhe më rëndë, mund të shkonim edhe më lart, edhe më larg, edhe më thellë; …sot do flisnim ndonjë gjuhë aziatike apo afrikane, ose mund të mos ekzistonim fare.

Artikulli paraprakPROFIL/ Gruaja e Sunak më e pasur se familja mbretërore britanike, pse babai i saj pranoi martesën me djalin brilant dhe të sinqertë
Artikulli tjetërApeli e la në burg për shpërdorim detyre, ish-kryebashkiaku i Bulqizës i drejtohet Gjykatës së Lartë