Investigimi, si i fsheh italiani Carlo Bollino 7 kompanitë që ka ngritur në Shqipëri

Me origjinë nga Puglia, Carlo Bollino ka shtrirë në Shqipëri tentakulat në sektorin ekonomik falë mbështetjes së qeverisë së Edi Ramës, mbështetje që italiani i shqiptarizuar e ka marrë pasi, ai ka qenë në krah të kryeministrit të tanishëm, kur ai ishte kryebashkiak i Tiranës. Nga një hulumtim i Boldnews.al, italiani i shqiptarizuar zotëron 7 kompani, të hapura kryesisht në emrat e bashkëpunëtorëve të tij. Kompania më e fundit është ajo e krijuar më 11 shkurt të 2016 dhe që mban emrin e Carlo Bollinos. Nuk dihet qëllimi i kësaj kompanie, por të dhënat e publikuara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit thuhet se fusha e veprimtarisë është konsulencë dhe asistencë në implementimin e projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Duke ditur edhe marrëdhënien e afërt të Bollinos me qeverinë, kjo lë dyshime se italiani mund të përfitojë fonde publike duke dhënë asistencë për projektet që do të zbatohen në Shqipëri.
Një tjetër kompani e krijuar në 2014, “Spazio Eventi” është në pronësi të Carlo Bollinos. Edhe pse nuk rezulton si aksioner në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, kompania është themeluar nga Lindita Dode, e cila njihet si një bashkëpunëtore e vjetër dhe financiere e Bollinos. Tjetër themelues po në këtë kompani është edhe italiani Francesco Milella, i cili gjithashtu ka një biznes tjetër në bashkëpronësi me vjehrrin e Carlo Bollinos. “Spazio Eventi” ka qenë në qendër të akuzave për fondet publike të përfituara nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Kulturës për restaurimin e Bunk’art. Gjithashtu kjo kompani ka realizuar disa aktivitete me taksat e qytetarëve në kuadër të fushatës kundër kancerit të gjirit.
“Media content” është një tjetër kompani e krijuar nga italiani kontrovers. Sipas të dhënave, kompania rezulton në emër të bashkëshortes së Bollinos, Alba Malltezit dhe ka si fushë veprimtarie krijimin e rrjeteve televizive analoge e digjitale si dhe përgatitjen e programeve apo reklamave televizive.
Edhe “FFM Group” është në pronësi të Alba Malltezit, ndërsa ka për ortakë edhe financieren e Carlo Bollinos. E krijuar në 2011, kjo kompani ofron auditime dhe konsulencë në fushën e medias. Një nga pikat kyçe të kësaj kompanie është edhe trajnimi i gazetarëve, operatorëve dhe fotografëve në mediat elektronike si dhe krijimin e website-ve. Deri tani nuk dihet kush gazetar apo operator ka dalë i trajnuar nga kjo kompani, por e sigurtë është që në mediat e Bollinos shfaqen pakënaqësi për vonesat në pagesa dhe mosrespektim të kodit të punës.
Edhe pse është ndarë jo mirë me Koço Kokëdhimën, Bollino vijon të ketë aksione tek televizioni i ish-deputetit socialist. Referuar QKR, kompania “TV Ballkan” (aktualisht A1 News, ende s’ka nisur transmetimet) ka për aksioner me 35% “Media Content” e cila ndodhet në pronësi të Alba Malltezit. Nuk dihet se përse Bollino mban peng aksionet në këtë televizion dhe a është e qëllimshme kjo për të bllokuar nisjen e transmetimeve për televizionin e ri.
Një mungesë transparence shihet edhe në kompanitë që përfaqësojnë mediat e Carlo Bollinos. “Report TV” nuk është regjistruar me emrin autentik në QKR, ashtu siç regjistrohen televizionet e tjera si Klan, Top Channel apo Ora News. Bollino ka përdorur emrin “Multiscreen” për të krijuar televizionin e tij, ndërkohë që këtë kompani e ka përdorur në mënyrë të maskuar për të marrë edhe fonde publike për reklamat televizive. Maskimi shkon deri aty sa kompania është në emër të Lindita Dode, financieres dhe bashkëpunëtores së Carlo Bollinos.
Edhe gazeta “Shqiptarja.com” publikisht dihet që është media e Carlo Bollinos. Por italiani puljez është kujdesur që të mos lërë emrin e tij, por të bashkëshortes Alba Malltezi. Sipas QKR, ortakë në “Shqiptarja.com” është FFM Group, kompania në pronësi të Malltezit. Ndërsa administrator është Genc Kondi, një njeri shumë i afërt me Carlo Bollinon.
Më herët, Boldnews.al investigoi sesi vjehrri 73-vjeçar i Carlo Bollinos ishte aksioner në një lokal luksoz tek ish-blloku. Bëhet fjalë për restorantin “In Puglia” i cili përveç babait të Alba Malltezit, ka për aksioner edhe italianin Francesco Milella. Emri i këtij të fundit është lakuar edhe tek fondet e përfituara për restaurimin e Bunk’Art dhe realizimin e disa fushatave sensibilizuese për kancerin e gjirit.
Dyshimet për aktivitetin financiar të Carlo Bollinos janë të forta, pasi të gjitha kompanitë e tij kanë një adresë të përbashkët. Boldnews.al do të publikojë në vijim fakte të pakontestueshme për financimet e dyshimta nga kompani offshore për mediat e Carlo Bollinos.
Boldnews
Bollino i preferuari i qeverisë, mori reklama më shumë se mediat e tjera

Italiani i natyralizuar Carlo Bollino, i cili zotëron dy media në vendin tonë: Shqiptarja.com dhe Report TV, rezulton të jetë i preferuari i kësaj qeverie përsa i përket fondeve për reklamat. Nëpërmjet një hulumtimi në faqen Spendingdata.al, kompanitë mediatike të Bollinos kanë marrë pjesën më të madhe të fondeve publike të llogarituara nga institucionet shtetërore për spote publicitare dhe njoftime. Kjo, pavarësisht se Report TV nuk është televizioni më i shikuar, apo Shqiptarja.com nuk është gazeta më e lexuar. Referuar të dhënave, vetëm për vitin 2014, Bollino ka përfituar nëpërmjet Shqiptarja.com gati 67 milionë lekë nga buxheti i shtetit, për publikime dhe njoftime. Ndërkohë po t’i shtosh edhe të ardhurave për televizionin A1 Report (i quajtur kështu deri në 2016) kjo shifër rrumbullakoset në 68 milionë lekë, të paguara nga taksa e qytetarëve shqiptarë. Krahasuar me mediat e tjera, Bollino rezulton të jetë në toplistë për vitin 2014 për përfitimin e fondeve publike për reklama. Madje fondet për Shqiptarja.com dhe A1 Report janë gati dyfish i fondeve të marra nga të gjitha mediat e tjera po t’i mbledhësh bashkë. Kështu Focus Media News që përfshin News 24, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe Radio Rash në total kanë 2.8 milionë lekë për reklama ndërsa Vizion Plus ka përfituar rreth 13 milionë lekë për 2014. Kur shikon Top Channel, TV Klan, Ora News apo ABC News që nuk kanë marrë asnjë qindarkë për reklama për këtë vit, natyrshëm të lindin dyshime sesi dy mediat e Bollinos janë përfitueset e majme të fondeve publike. Edhe për vitin 2015-2016 institucionet qeveritare kanë përzgjedhur mediat e Bollinos për të çuar spotet publicitare apo njoftimet në shtypin e shkruar. Shqiptarja.com ka arkëtuar nga xhepat e taksapaguesve 15 milionë lekë, ndërsa A1 Report rreth 14.8 milionë lekë. Në vitin 2016, A1 Report copëzohet, ku një pjesë e merr ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima dhe pjesën tjetër Carlo Bollino. Ky i fundit regjistron në QKR median e re Report TV, por Bollino përdor një emër tjetër për të regjistruar median e tij, “Multiscreen”. Nuk dihet qëllimi i këtij maskimi, por edhe “Multiscreen” (Report TV) është një nga përfitueset e buxhetit të shtetit, duke thithur 5 milionë lekë për reklama për vitin 2016. Pra në total për këto dy vite, Bollino ka arkëtuar rreth 35 milionë lekë. Ndërkohë mediat e tjera përsëri janë mbrapa Bollinos përsa i përket përfitimit të reklamave shtetërore. Focus Media News (News 24, Panorama, Gazeta Shqiptare, Radio Rash) në total kanë marrë 25 milionë lekë, Top Channel 22 milionë lekë, Vizion Plus 5 milionë lekë, TV Klan 7 milionë lekë, ABC News 12 milionë lekë.

Artikulli paraprakShkurtim shpenzimesh për investimet publike por jo për luksin qeveritar
Artikulli tjetërGjykata Administrative injoron Veliajn, rrëzon vendimin e tij dhe i jep të drejtë kompanisë “Gener 2”