Intervista e parë e Azemit për “Zërin e Amerikës” 9 Janar ‘91

Zoti Hajdari përse u vutë në krye të lëvizjes studentore?
“Ja pse u vura në krye të Lëvizjes Studentore. Kam dëgjuar se, kanë thënë se kushedi se kush jam. Jam thjesht një student në vitin e tretë të Fakultetit të Filozofisë. Shkollën e mesme e kam mbaruar me mesatare 9 dhe këtu nuk jam keq me mësime. Kam qenë sekretar i sektorit të vullnetarëve studentë vitin e kaluar në Priskë. Si të të them. Më duket se këta që flasin këto fjalë nuk bëjnë mirë edhe ndaj shokëve të mi studentë që më kanë zgjedhur në këtë punë. Edhe familja ime është një familje e ndershme e patriote. Babai është dekoruar disa herë. Veçse këto kohët e fundit po heq keq për shkak se unë u vura në krye të demonstratës së studentëve dhe u radhita në radhët e komisionit organizues të Partisë Demokratike. Ja për shembull, vëllai im, ish-anëtar i PPSH dhe instruktor në Komitetin e Partisë së Rrethit, mbasi dorëzoi teserën e partisë e anëtarit të partisë e morën inat dhe e dërguan në një punë nja katër orë larg.
Thonë se jam shumë i pasur dhe se kam para në libreza kursimesh. I pasur? Kam punuar gjithnjë punëtor. Sigurisht aty realizoja dhe tri norma dhe nuk kam jetuar keq. Ndërsa tani jetojmë me 400 lekë rrogë të gruas sime dhe 240 lekë që marr unë si student, bursën.
Unë dhe studentët nuk dolëm në demonstratë me kërkesa të thjeshta vetëm për bukën e gojës e për ca kushte minimale. Ne dolëm për demokraci për pluralizëm politik që i mungonte njësoj gjithë popullit shqiptar. Meqë erdhi fjala tek jeta ime personale, po ju them se dëgjohen disa fjalë sikur unë merrem me femra, se paskam ndarë tri gra etj. Ja pra, që kam vetëm një grua me të cilën jam rritur. Jemi martuar, unë isha 17 vjeç dhe ajo 15. Fëmijët do të na bëhen shokë.
Të gjithë thonë se në familjen tonë sillemi mirë me njëri-tjetrin. Unë, gruaja dhe dy fëmijët. Dobësi të veçantë kam nënën e babën. Më kanë rritur me një mijë mundime, njëri punëtor dhe tjetra pastruese. Nuk e di sesa do ta plotësoj dëshirën e tyre për t’u shërbyer atyre sa më mirë.
Kam edhe unë të metat e mia padyshim. Por nuk më ka rastisur kurrë që të më dërgojnë në Degën e Punëve të Brendshme ose të dënohem ndonjëherë nga organet e gjykatës. Shokë kam shumë, shumë. I dua të gjithë dhe më duan shumë. Kjo besoj se nuk është e metë. E thashë këtë të shokëve edhe me synimin për të sqaruar atë moment të kohëve të fundit të jetës sime, çastin e demonstratës, kur u ndodha në krye të masës të studentëve. Aty më nxorën dëshira të mëdha demokratike, forca shpirtërore krejt të pastra dhe studentët që më besojnë si shok. Nuk kam menduar kurrë për t’u bërë udhëheqës i kësaj lëvizjeje.
Ndjeva se kërkesat e studentëve ishin të sinqerta dhe i mbështeta me jetën time. Unë atyre jua di për nder që më besuan që ta vë jetën dhe sinqeritetin tim në shërbim të çështjes së tyre të lartë. Dua të flas edhe për problemin e studentëve dhe të shpreh një dëshirë. Dëshira është që të jem gjithmonë i lidhur me ta. Shkoj çdo ditë në Qytetin ‘Studenti’ dhe i takoj. Më vjen keq që nuk mund të jem në auditor me ta.
Kam vendosur ta lë shkollën. Unë studioj filozofi, por e shoh se në të vërtetë mësoj vetëm politikë. Politika e PPSH është futur në çdo rresht të leksioneve të filozofisë. Po studentët i kuptoj dhe do t’i kuptoj gjithnjë. Por dua të theksoj se kjo nuk kuptohet mirë nga disa qarqe burokratike. Por vazhdon që studentët të mos përfillen në kërkesat e tyre të drejta e nuk ka asnjë ndryshim në jetën e studentëve nga ajo ditë kur ata u ngritën në demonstratë. Po ai ushqim, po ato baltra si kantier ndërtimi në degradim. Kam edhe një dëshirë, që të vazhdoj më vonë studimet në degën e filozofisë, por vetëm atëherë kur kjo të jetë vërtet shkencë filozofike”.

Artikulli paraprakSi e zgjodhën studentët, Azemin, kronologjia e orëve historike
Artikulli tjetërUragani i studentëve dhe Azemi