Interi shkarkon Piolin

Si një rrufe në qiell të hapur për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet skuadra. Edhe pse diçka e tillë pritej të ndodhte në fund të sezonit, në mënyrë surprizë drejtuesit e Interit kanë shkarkuar nga detyra, 3 javë përpara fundit të Serisë A trajnerin Stefano Pioli. 51-vjeçari nga Parma paguan kështu rezultatet e turpshme të 7 javëve të fundit me skuadrën zikaltër që ka grumbulluar vetëm 2 pikë duke regjistruar 5 humbje dhe 2 barazime.
Përfundon pas rreth 6 muajsh aventura e Stefano Piolit në drejtimin e Interit. Në 3 javët e mbetura të këtij kampionati klubi milanez do të drejtohet nga trajneri i skuadrës Primavera, Stefano Vecchi, i cili ka qenë në stolin e Interit edhe në sfidat ndaj Southampton-it në Europa League dhe Crotones në Serinë A, pas shkarkimit të Frank de Boer dhe përpara se drejtimin e skuadrës ta merrte pikërisht Pioli. Në pritje të njërit mes Antonio Contes dhe Diego Simeones, skuadra i është besuar Vecchit, ndërsa do të ketë lëvizje edhe në instancat drejtuese. Siç raportojnë mediat italiane, Valter Sabatini ish-drejtori sportiv i Romës shumë shpejt do të kalojë te Interi për t’u emëruar si përgjegjës i anës teknike, si dhe njeriu që do të kontaktojë gjatë gjithë kohës me pronarët kinezë të klubit zikaltër.
Tashmë është në dyshim edhe e ardhmja e Piero Ausilios, i cili vetëm disa javë më parë rinovoi zyrtarisht kontratën e tij me Interin sepse me ardhjen e Sabattinit, Ausilio nuk do të ketë më të njëjtin pozicion në klub. Përsa i përket shkarkimit të Piolit me një komunikatë në faqen zyrtare në orët e vona të mbrëmjes së të martës, Interi lajmëroi largimin nga skuadra të ish-trajnerit të Lazios duke e falënderuar atë për punën që ka bërë me skuadrën gjatë këtyre muajve. Tifozëve të Interit tanimë nuk u mbetet gjë tjetër veçse të kryqëzojnë gishtat që njëri mes dy emrave të mëdhenj të pankinës Conte ose Simeone të pranojnë ofertën e pronarëve kinezë për t’u bërë pjesë e projektit zikaltër në mënyrë që edhe ky Inter, të cilit financat tashmë nuk i mungojnë të dalë nga kjo errësirë e zymtë në të cilën është zhytyr që pas largimit të Leonardos në verën e vitit 2011.

Artikulli paraprakPërse Trump firmosi shkarkimin e Comey?
Artikulli tjetërVjen Sabatini