Interi në krizë!

Nëse ende mungonte konfirmimi përfundimtar, kjo është shumë e vërtetë pas humbjes në derbi dhe eliminimit nga Kupa e Italisë: Interi është zhytur zyrtarisht në krizë. Kjo bëhet më e shpjegueshme, kur merret parasysh se deri në gati tri javë më parë, kjo skuadër ishte e vetme në krye të renditjes së Serisë A. Një rënie kryesisht psikologjike, që përkoi me humbjen kundër Udineses, por edhe me bllokimin e performuesve më të mirë, Mauro Icardi dhe Ivan Perisic, të cilët ishin autorët e 24 golave nga 34 të tillë në total, të realizuar deri më tani nga zikaltrit. Produktiviteti ofensiv, shumë i kushtëzuar, ishte prekur javë pas jave. Në tri ndeshjet e fundit, kjo qasje ka humbur (katër ndeshje, në qoftë se në to përfshijë barazimin 0-0 kundër Pordenone), sepse është shënuar vetëm një gol kundër Udineses.
Edhe kundër Milanit është bërë vetëm një goditje në pjesën e parë (më keq kishte ndodhur vetëm kundër Juventusit, me zero goditje), ndërsa gjuajtja e parë në portën e mbrojtur nga Donnarumma mbërriti pas një ore lojë. Një tjetër e dhënë shumë negative është goditja e Joao Mario: apatik dhe aspak i mprehtë, ai shpërdoroi një mundësi të artë, duke mos e mposhtur dot Donnarumma nga një distancë e afërt dhe duke nxitur zemërimin e tifozëve, të cilët menduan se do të shijonin golin e parë. Spalletti ka lënë të kuptohet tashmë se i shërben sa më shpejt të jetë e mundur ndryshimi i kursit, për të shmangur zhgënjimin në kampionat. Me këtë zakon të keq, katër vendet e para, që janë me vlerë kualifikimi për në Ligën e Kampionëve, mund të bëhen një fantazi. Dhe në atë rast dështimi do të kthehej si trishtimi në modë.
Milan ka kaluar me shumë vuajtje në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Kuqezinjtë kanë fituar 1-0 në kohën shtesë në derbi ndaj Inter, një gol i ardhur në minutën e 104-t nga Cutrone. Koha e rregullt është mbyllur në barazim pa gola, edhe pse ndeshja ka pasur një ritëm të kënaqshëm, madje edhe me shumë raste për të shënuar. Kështu, Milan i pason krizën Inter-it, teksa në gjysmëfinale të Kupës së Italisë do të ndeshet me Lazio-n, që fitoi ndaj Fiorentina-s një natë më parë.
Ndeshja ka nisur me ritëm të lartë, e denjë për një sfidë derbi. Në minutat e parë është Milan që përpiqet të krijojë më shumë volum loje, por mungojnë goditjet drejt porte. Inter hyn në lojë me kalimin e minutave, madje zikaltrit kanë kaluar në avantazh në minutën e 25-të me një autogol të Antonio Donnarumma, vëllai i Gigio-s, i cili ka qenë titullar pas dëmtimit të vëllait të tij dhe portierit të dytë Storari. Gjithsesi, VAR ka shkuar në ndihmë të portierit kuqezi, me arbitrin që ka anuluar golin për shkak të një pozicioni jashtë loje të Ranochia-s.
Edhe pas këtij episodi, ndeshja ka vijuar me ritëm të lartë, teksa kanë mbajtur në ankth tifozët e pranishëm, në një “San Siro” të mbushur plot e përplot. Pjesa e dytë nis njësoj, të dyja skuadrat krijojnë volum loje dhe kishte kohë që nuk shihej një ndeshje me një ritëm të tillë në Itali. Mbyllet pa gola e gjithë ndeshja, për pasojë, shkon në shtesë. Në 15 minutat e para të shtesës duken zikaltrit më kërkues. Por pikërisht kur po mendohej të shënonte Inter, ndodh e kundërta. Suso jep një kros në zonë dhe aty Cutrone ndëshkon Handanoviç. 1-0 për Milan dhe kuqezinjtë janë të karikuar në 15 minutat e fundit.

Artikulli paraprakRenditja e UEFA-s, Reali e La Liga dominim në 2017
Artikulli tjetërSpalletti: Interi duhet të zgjohet