Interi kërkon Vidal

Interi po synon që të transferojë Arturo Vidalin nga Bayern Munich. Drejtuesit e Interit, Suniga, janë të gatshëm t’i përmbushin kërkesat e trajnerit italian, Luciano Spalletti. Sipas “Gazzetta dello Sport”, nerazzurrët do të tentojnë që të transferojnë yllin e Bayern Munichut, Arturo Vidal. Ky i fundit mund të largohet nga “Allianz Arena” gjatë kësaj vere, pasi Bayern Munich ka transferuar Corentin Tolisso nga Lyon. Përveç Vidalit, Interi është duke kërkuar edhe mesfushorin e Romës, Radja Nainggolan, i cili mbetet objektivi kryesor i klubit.
E ardhmja e Perisiç ka marrë një kthesë 180 gradë. Interi e ka tërhequr mesfushorin kroat nga lista e lojtarëve të nxjerrë në merkato. Vendimi është marrë pasi për dyshen Sabatini-Ausilio ofertat për kroatin ishin shumë poshtë 32 milionë eurove që kërkoheshin nga ata.
Perisiç kërkohej nga ish-trajneri i tripletës zikaltër, Jose Mourinho. Por oferta e bërë prej Manchester United, sipas mediave sportive italiane qëndron shumë poshtë kufirit të vendosur nga drejtuesit e Interit. Perisiç ishte ndër emrat e parë që Interi e lidhte me nevojën për të grumbulluar 30 milionë euro deri më 30 qershor për të qenë brenda rregullave të fair play-t financiar.
Vendimi i Interit nuk është pritur mirë nga lojtari. Agjenti i kroatit këmbëngul tek transferimi në Premier Ligë, ku klientit të tij i propozohet një pagë prej 5 milionë paundësh në sezon.
Tashmë gjithçka varet nga 28-vjeçari kroat, që ka dy rrugë; ose të pajtohet me vendimin e drejtuesve të Interit dhe të rifitojë besimin e tyre dhe të tifozerisë, ose të këmbëngulë për t’u transferuar tek “Djajtë e kuq”, këmbëngulje që nëse nuk do të ishte e suksesshme rrezikon ta vendosë atë në stolin zikaltër për sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, Roberto Mançini po synon që ta transferojë Jeison Murillon në Zenit Saint Petersburg. Kostas Manolas, mbrojtësi i Romës, në momentet e fundit ka refuzuar ofertën e klubit rus, Zenit Saint Petersburg. Sipas “Sky Sports”, trajneri i klubit rus, Roberto Mançini tani i ka hedhur sytë nga mbrojtësi kolumbian i Interit, Jeison Murillo.
“Sky Sports” shkruan se trajneri italian do të mundohet që ta bindë reprezentuesin e Kolumbisë që të transferohet në Rusi. 25-vjeçari ka kontratë me Interin deri në vitin 2020. Nerazzurrët vështirë se do të pranojnë që ta shesin mbrojtësin nën 20 milionë euro.

Artikulli paraprakMehmedi, Favre e kërkon te Nice
Artikulli tjetërIbrahimoviç i jep lamtumirën United