Interi e nis pa bujë

Vetëm 15 tifozë e pritën Interin në dyert e Pinetinas, për ditën e parë të përgatitjeve të zikaltërve. 25 lojtarët e grumbulluar kryen kontrollet mjekësore, si edhe takuan trajnerin e ri, Luciano Spalletti dhe stafin e tij. Pavarësisht punës së rëndësishme përsa i takon largimeve, që i lejoi skuadrës të respektojë rregullat e “Fair Play Financiar” pa sakrifikuar Perisiç apo titullarët e tjerë, Interi mbetet në vend.
Në grumbullim nuk u paraqitën 13 lojtarë, pjesa më e madhe lojtarë të ekipeve kombëtare, ndërsa mes atyre që munguan ishin edhe blerja më e re Skriniar dhe Gabigol, me klubin që shpreson se braziliani do të pranojë propozimet për t’u huazuar në një tjetër skuadër. Përsa i takon përforcimeve, në skuadër janë në pritje të Borja Valeros. Interi synon që në këtë fillim sezoni të afrojë të paktën 8 lojtarë të rinj, nga të cilët pjesa më e madhe do të jenë titullarë.
Nga Di Maria tek Vidal e Nainggolan, për të vazhduar me N’Zonzi apo edhe Douglas Costan. Por, shqetësimi më i madh është mbrojtja, e cila duhet riformatuar. Objektivi kryesor në repartin difensiv është Marquinhos i Paris Saint Germain apo edhe Dalbert i Nice. Mes shitjeve dhe blerjeve, grupi Suning është gati të shpenzojë 150 deri më 200 milionë euro, për të ndërtuar një Inter konkurrues në kampionat dhe për t’u rikthyer në kupat e Europës.
Teksa pas afrimit të Luciano Spallettit, zikaltrit shpalosën projektet e tyre për një ringritje në elitë, drejtuesit nisën punën për afrime emrash të njohur në orbitën e futbollit europian. Dëshira, ëndrra apo objektivi, cilido qoftë përkufizimi, mbetet Angel di Maria. Nëse lajmi i keq është vështirësia për të bindur drejtuesit francezë, pozitiv mbetet fakti se vetë argjentinasi dëshiron largimin nga Parisi.
Lojtari pretendon të paktën 9 milionë euro në sezon, të cilat “Suning” do t’ia garantonte pa shumë problem. Nga tre vitet e fundit ku janë shpenzuar vërtet shuma faraonike, Di Maria mbetet nga të paktët futbollistë që i ka dhënë shumë skuadrës.
Në 90 ndeshjet e tij për parisienët, 30-vjeçari ka shënuar 29 gola dhe ka kontribuar për golat e shokëve në 40 rastet kur ka shërbyer pasimin final. Meqenëse jemi tek asistet, mesfushori pret një të tillë nga kolegu dhe miku Leonel Mesi për një transferim të mundshëm në Barcelonë.
Dougllas Costa – Nëse në të tilla nivele mund të flasim për alternativa, braziliani i Bajernit mbetet alternativa e Di Marias. Këtu çështja komplikohet, pasi në garë për futbollistin është edhe Juventusi. Interi do të ishte kandidatja ideale pikërisht nëse bardhezinjtë lëshojnë terren mbi sulmuesin e krahut të Ançelotit, për të siguruar Injaki Uilliamsin e Bilbaos.
Në Bavari nuk kanë nevoja urgjente për likuiditet, ndaj e vetmja mënyrë për të parakaluar konkurrencën mbetet pagesa e klauzolës së plotë të Kostës. I blerë 30 milionë euro nga Shahtjori i Donetskut, braziliani 26-vjeçar tashmë vlen 50 milionë euro, për të cilat bavarezët nuk mendojnë të bëjnë ndonjë “skonto”.

Artikulli paraprakRepresioni shtetëror largoi investitorët e huaj
Artikulli tjetërMijëra biznese të falimentuara