Integrimi, eurodeputetët kërkojnë zbatimin e kritereve të Kopenhagës

Integrimi europian i vendeve të Ballkanit ka qenë tema e konferencës së Parlamentit Europian, ku protagonistë ishin Shqipëria, Serbia dhe Mali i zi. E vërteta mbi integrimin europian të vendeve të Ballkanit del ndonjëherë në diell në konferenca jotipike të Parlamentit Europian. E tillë ka qenë ajo me titull “Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, nxënës të mirë në integrimit europian, e vërtetë apo e rreme? Eurodeputetët nuk iu referuan renditjes klasike të garës së integrimit europian në Ballkan, ku Mali i Zi është më i avancuar, i ndjekur më pas nga Serbia dhe Shqipëria, por problemeve të vërteta që hasin vendet. Madje për raportuesin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein është e vështirë të thuhet, se cili është nxënësi më i mirë, por fare e lehtë të përcaktohet më i keqi.
Knut Fleckenstein, Eurodeputet: «Nuk e di se kush është nxënësi më i mirë në integrimin europian, por di kush është më i keqi. Nxënësi më i keq është Maqedonia dhe këtë nuk e luan topi. Mënyra se si sillet qeveria maqedonase është 360 gradë larg qasjes dhe vlerave të Bashkimit Europian”. Një tjetër shpërthim erdhi nga eurodeputeti Eduard Kukan, i cili iu referua një shqetësimi të hapur të Shoqërisë Civile në Mal të Zi për një korrupsion sistemik në vend, shqetësim me të cilën përballen eurodeputetët sa herë që vizitojnë vendin:
Eduard Kukan, Eurodeputet: «Nëse korrupsioni në Mal të Zi është sistematik, atëherë si ka mundësi që Komisioni Europian dhe të gjithë të tjerët e tolerojnë? Shtroj pyetjen? Nëse është kështu? Serbia dhe Shqipëria kanë gjithashtu sfidat e tyre në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe probleme ekonomike dhe sociale. Lidhur me lirinë e shtypit, Mali i Zi dhe Serbia regjistrojnë probleme të konsiderueshme, ndërkohë që Shqipëria ka regjistruar hapa mbrapa. Besar Likmeta i rrjetit investigativ BIRN ka ekspozuar problematikën e gazetarisë ballkanike me presionin e politikës në media, problemeve ekonomike dhe vetëcensurimin. Për raportuesin Knut Fleckenstein, në Shqipëri duhet forcuar enti rregullues i mediave audiovizuale, strukturat drejtuese të medias publike, si dhe të forcohet profesioni i gazetarisë. Por shqetësimi kryesor për eurodeputetët aktualisht është se zgjerimi është jashtë fokusit të Bashkimit Europian dhe çfokusimin mund ta zhbëjë vetëm progresi në reformat e integrimit në Ballkan.
Knut Fleckenstein, Eurodeputet: «Zgjedhësit europianë pyesin, a nuk do ishte më mirë që të zgjidhim problemet tona njëherë dhe pastaj të pranojmë vende të tjera të Ballkanit? Dhe përgjigja jonë është: Nuk është ose njëra, ose tjetra, por mund të ecin të dyja paralelisht. Ne i themi, që do t’i gjykojmë vendet e Ballkanit mbi bazën e kritereve të Kopenhagës. Dhe votuesit e mi në Hamburg qeshin me mua, duke më thënë: Ah po, do gjykoni siç e bëtë me Rumaninë dhe Bullgarinë? Pra, në një farë mënyre Ballkani është viktimë në këtë kuptim, por zgjedhësit e mi në Hamburg nuk do më falin më, nëse e bëj sërish këtë në të ardhmen”.  Konferenca mbi Malin e Zi, Serbinë dhe Shqipërinë u organizua me inisiativën e 3 eurodeputetëve në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, zv/kryetarin e grupit socialist dhe demokrat, Jozo Rados, të grupimit liberal dhe Igor Soltes të grupimit të gjelbër në Parlamentin Europian.

Artikulli paraprakQeverisja Rama – “Made in Shukri”
Artikulli tjetërÇfarë di Saimir Tahiri për Edi Ramën që nuk e shkarkon dot?