Instituti izraelit: Kryeministri Rama favorizoi kompaninë e naftës në pronësi të Soros

Një institut kërkimor izraelit ka zbuluar se kryeministri Edi Rama ka favorizuar në mënyrë të dyshimtë një kompani nafte, e cila rezulton në pronësi të financierit George Soros. Sipas “Kohelet Policy Forum” Soros është aksioner në kompaninë San Leon, e cila ka fituar nga qeveria shqiptare kontratën për kërkim nafte në Bllokun e Durrësit, një nga blloqet më të mëdha të naftës në vend. Ky bllok përfshin 4200 kilometra katrorë, që shtrihet midis Kepit të Otrantos dhe Gadishullit të Karaburunit. Në vitin 2015, me firmë të kryeministrit Edi Rama, kompanisë San Leon ju miratua leja e ndërtimit për dy puse, Zverneci 1 dhe 2 të gjendur në zonën e Nartës në Vlorë. Edhe pse deri tani, kompania nuk ka bërë asnjë shpim, ajo vazhdon të ketë të drejtën ekskluzive të kërkimit në bllokun më të madh të naftës në Shqipëri.

Çfarë është ‘San Leon Energy’?

San Leon Energy është një kompani me qendër në Dublin të Irlandës. Ajo ka asete në disa shtete të ndryshme, përfshirë Shqipërinë, Francën, Irlandën, Nigerinë, Poloninë dhe Marokun. George Soros kontrollon një pjesë domethënëse të San Leon përmes kompanisë së tij Quantum Partners, një fond privat investimesh i zotëruar tërësish nga familja Soros. Sipas të dhënave të bëra publike nga Instituti izraelit ‘Kohelet Policy Forum’ në vitin 2010 Soros ishte aksioneri më i madh i San Leon me 20 për qind të kuotave, ndërsa në fund të vitit 2016 pjesa e tij rezulton të jetë 8.52 për qind. San Leon ka fituar liçencën ekskluzive të kërkimit në Bllokun e Durrësit që në vitin 2004. Por kompania nuk ka kryer investimet e parashikuara në kontratë. Ndonëse në vitin 2013 asaj duhet t’i ishte hequr licenca për mospërmbushjen e kontratës, kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por në vitin 2015 kompanisë ju dha leja e ndërtimit për pusin Zvërneci 1 dhe 2.

Çfarë është ‘Kohelet Policy Forum’?

Sipas një kërkimi në internet ‘Kohelet Policy Forum’ është një organizatë izraelite jofitimprurëse, që ka në qendër të vëmendjes, për mbrojtur të drejtën e popullit hebraik në një shtet sovran të pavarur në ligj dhe në politikën e shtetit. ‘Kohelet Policy Forum’, drejtohet nga Moshe Koppel, i cili nga një kërkim i shpejtë në internet rezulton të jetë inxhinier kompjuterik, dhe shumë aktiv në kauzat sociale dhe politike në Izrael. Po ashtu, ai është i investuar si protagonist në debatet për ndryshimin e Kushtetutës së Izraelit. / Hashtag.al

Artikulli paraprakKamerat e fshehta kapën Denar Bibën në afera të pista
Artikulli tjetërAksidentet, 22 të vdekur e 272 të plagosur në korrik