INSTAT gënjen për papunësinë

Teksa norma e papunësisë erdhi në një trend ulje në tremujorin e parë të 2016, një tregues që INSTAT publikoi për herë të parë, tregon që qytetet e Vlorës dhe Tiranës kanë papunësinë më të lartë në vend në krahasim me mesataren në shkallë vendi prej 16.9 për qind.
A mund të besojë kush se papunësia më e lartë është në këto dy qytete, ndërkohë që niveli më i mirë i punësisë është në qytetet si Kukësi apo Dibra, ku varfëria është në nivelet e skajshme?
Papunësia e lartë në kryeqytet duket se po pasqyron presionin fiskal mbi njësitë e shërbimeve, ndaj të cilave janë dyfishuar taksat lokale këtë vit. Tirana e ka të bazuar punësimin 69.4% në sektorin e shërbimeve, 25.7 për qind në industri dhe vetëm 4.7% në bujqësi.
Shkalla e lartë e papunësisë në Tiranë, arsyetohet edhe me numrin më të lartë të forcës së punës, pasi vetëm në tremujorin e parë, popullsia e kryeqytetit është shtuar me 10 858 persona.
Zhvendosjet e popullsisë nga periferitë drejt qendrës së vendit, do ta bëjnë Tiranën qytetin me normë pozitive të rritjes së popullsisë ndryshe nga të tjerat, të cilat do të pësojnë rënie të ndjeshme në vitet në vijim sipas projeksioneve të popullsisë të INSTAT.
Vlora renditet e para për normën më të lartë të papunësisë me 26.7 për qind, duke u ndjekur nga kryeqyteti me një normë papunësie 23%. Më tej, normat më të larta të papunësisë i kanë Kukësi, Lezha, Gjirokastra dhe Durrësi.
Harta rajonale e papunësisë zbardh të dhëna interesante për disa prefektura që në perceptimin e parë shquhen për nivel më të lartë të mirëqenies se sa tregojnë shifrat. Të dhënat tregojnë se, qytetet me bazë zhvillimin e turizmit të tilla si Durrësi, Vlora dhe Lezha, kanë papunësi të lartë mbi mesataren kombëtare.
Ndërsa qarqet që kanë të zhvilluar industrinë e rëndë dhe atë fasone të tilla si Berati, Shkodra, Elbasani dhe Fieri, kanë papunësi më të ulet se mesatarja.
INSTAT publikoi këto ditë për herë të parë treguesit kryesorë të tregut të punës sipas qarqeve.
Instituti i Statistikës sqaroi se, llogaritja e treguesve sipas qarqeve u mundësua si pasojë e rritjes së numrit të njësive ekonomike familjare në anketë, nga 5.040 gjatë periudhës 2012-2015 në 7.924 për tremujorin e parë të vitit 2016.

Artikulli paraprakBien çmimet e prodhimit në Kosovë
Artikulli tjetërBiznesmeni akuza qeverisë për terror me tatimet