Iniesta: Verrati pasardhësi im te Barça

Marko Verrati mund të jetë pasardhësi i Andres Iniestës në skuadrën e Barcelonës. Diçka të tillë e ka pranuar edhe vetë kapiteni i katalanasve, i cili gjatë ndeshjes PSG-Barcelona ka shprehur hapur vlerësimin për mesfushorin italian. Mediat spanjolle dhe ato franceze kanë zbuluar një bisedë mes Matuidisë dhe Iniestës, e cila ndodhi gjatë momentit, kur skuadrat ishin në fushën e lojës.
Matuidi i është afruar numrit tetë të katalanasve dhe i ka thënë se, Verrati është një lojtar shumë i fortë dhe e sheh si pasardhësin e tij te Barcelona. Nuk ka munguar pohimi i Iniestës, i cili i ka thënë se edhe ai mendon të njëjtën gjë. “E shoh si pasardhësin tënd te Barcelona. Është shumë i fortë dhe i talentuar”, mësohet t’i ketë thënë Matuidi në fillim. Edhe Iniesta iu përgjigj menjëherë. “Edhe unë mendoj të njëjtën gjë”, iu përgjigj kapiteni katalanas. Kjo gjë duket se forcon akoma më shumë bindjen se Barcelona duhet të hidhet në sulm për të firmosur me mesfushorin italian në merkaton e verës.
Ai prej disa kohësh është një nga objektivat kryesorë të skuadrës spanjolle, por në këtë merkato, duke parë vështirësitë që ka Barcelona, do të bëhen tentativa të shumta për ta bindur që të pranojë transferimin në Spanjë. Përpara disa ditësh, u publikua lajmi se Verrati ka thënë se dëshiron të shkojë te Barcelona në rast se do të braktisë PSG-në, lajm i cili u mohua menjëherë, pasi këta të fundit shkatërruan Barcelonën dhe hodhën një hap të sigurt drejt triumfit në Ligën e Kampionëve. “Don Andres Iniesta” e dha bekimin e tij që Barcelona ta blejë, tani është objektivi i drejtuesve për të bërë realitet ëndrrën e tij.

Artikulli paraprakGjermania gjen sulmues
Artikulli tjetërLiderja nacionaliste gjermane takohet me aleatët e Putinit