Indonezia, 16 milionë euro për Mourinhon

Indonezia kërkon José Mourinho-n për stolin e përfaqësueses. Konfirmimi u dha nga ministri i Sportit në vend, Imam Nahrawi, duke shpjeguar se ka diskutuar për rreth idesë me presidentin e vendit Joko Widodo, i cili kërkon të ringrejë futbollin, pas rezultateve nën pritshmëritë. “E kemi diskutuar këtë ide, pavarësisht se nuk do të jetë e lehtë”, ishin fjalët e ministrit indonezian për agjencinë shtetërore të lajmeve, “Antara”.
Bëhet fjalë për një ofertë me vlerë rreth 16 milionë euro. Ndërkohë, qeveria e Indonezisë vlerësoi edhe pagën e trajnerit të përkohëshëm te Chelsea-t, holandezit Guus Hiddink. Pengesa e parë për emërimin e Mourinho-s te përfaqësuesja indoneziane është fakti se prej një viti, ky vend nuk merr pjesë në aktivitetet ndërkombëtare, pas dënimit të FIFA-s për ndërhyrjet e qeverisë në çështjet e futbollit.
Një tjetër problem është edhe fakti se Jose Mourinho pretendon emra prestigjiozë për rikthimin e tij. Aktualisht tekniku portugez është në pritje të Manchester United, ku cilësohet pasardhësi më i mundshëm i Louis van Gaal. Megjithatë, Mourinho është shprehur “i hapur për çdo klub apo ekip përfaqësues”, edhe pse pranoi se preferon punën me një klub, të cilën e vlerëson si më të mirë për karrierën e tij.

Artikulli paraprakBerlusconi, “ok” për shitjen e Milanit
Artikulli tjetërAtletico, klauzolë 100 milionë euro për Griezmann