Inceneratori i Tiranës, aktivistë dhe qytetarë në protestë: SPAK të shkojë edhe te vendimmarrësit, jo vetëm te vendimzbatuesit

Sot para Gjykatës së Posaçme dalin 12 të ndaluarit për aferën me inceneratorin e Tiranës, ku do të njihen me masën e sigurisë ndaj tyre.

Para GJKKO, aktivistë dhe qytetarë po protestojnë dhe bëjnë thirrje që SPAK të shkojë më tej me hetimet, duke arrestuar vendimmarësit, jo vetëm vendimzbatuesit.

“Hetimet në lidhje me inceneratorit, të vërë para përgjegjësisë personat realë. Të arrestuarit mund të jenë pjesë e abuzimit me detyrën, por SPAK duhet të shkojë më lart, te vendimmarrës, jo te vendimzbatuesit. SPAK të shkojë te koka e korrupsionit në bashkinë e Tiranës”, tha një qytetar.

Në protestë është parë dhe nënë Liza, banore e 5 Majit, e cila thotë se prej 2 vitesh ka mbetur pa çati, ndërsa u bëri thirrje ndërkombëtarëve për ndihmë.

“Të vijë Erion Veliaj te 5 Maj, të shoh se si është rruga. Dua shtëpinë, jam 80 vjeçe, nuk kam ku mbledh fëmijët e mi, jemi 14 veta. Erion Veliaj, Edi Rama do festojnë vitin e ri, unë jo. Kam një llaf për kryeparlamentarët, flasin për veten jo për ne. Unë jam jashtë, nuk kam ku rri. Më 12 janar bëhen 2 vjet. Unë i bëj thirrje ndërkombëtarëve të na ndihmojë”, tha nënë Liza.

Seanca në GJKKO për 15 urdhërarrestet e SPAK:

Dy ditë pasi SPAK lëshoi 15 urdhërarreste në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës, sot në GJKKO zhvillohet seanca për masat e sigurisë.

Kujtojme arrest në burg është kërkuar për Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Jetmir Llapaj.

Ndërsa është kërkuar arrest shtëpie për Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.

SKEMA E ABUZIMIT

Sipas SPAK, nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe në gjatë fazës së zbatimit të kontratës koncesionare me vlerë mbi 128 milionë lekë të lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë tregtare “Integrated Energy B.V SPV”, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke renditur shtatë shkelje të kryera gjatë këtij procesi.

Prokuroria e Posaçme informon se nga hetimet ka rezultuar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ndodhen në arrati, janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”.

Më herët SPAK ka vendosur sekuestro ndaj inceneratorit të Tiranës, pasi nga hetimi paraprak zbuloi se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit e Tiranës, Durrësit e bashkive fqinje me të.

Artikulli paraprakPD, Kulluri: Mbështesim SPAK-un për Inceneratorin e Tiranës. Të zbardhet përgjegjësia e Erjon Velisë në këtë aferë korruptive
Artikulli tjetërRindërtimi përtej 2024, ku po shkojnë 115 milionë eurot e buxhetit të rishikuar 2023