Imazhi që trondit më shumë se tërmeti

Nga Red VARAKU

Pamje më të rënda se edhe vetë pamjet shkatërrimtare të gërmadhave që la pas tërmeti, janë pamjet e këtyre ditëve të shumë qytetarëve në mjerim, që garojnë për t’i puthur dorën ‘kryeshërbëtorit’, ndërkohë që ky i fundit gati i përlotur, në delir të plotë impostohet si ‘padroni’ i tyre, madje jo vetëm i kësaj bote, por edhe i botës tjetër.

Një imazh, që në fakt nuk është dhe aq i panjohur për popullin tonë, përkundrazi është një imazh i ngulitur thellë në psikën e tij, sepse na rikujton imazhin e diktatorit Enver Hoxha, i cili me kalimin e viteve kishte marrë dhe atributet e vetë Zotit.

Një imazh primitiv, që tenton me djallëzi ta veshë liderin me atribute gati hyjnore. Një imazh, që të kujton imazhin e zotave, që me madhështi zbresin me shenjtërinë e tyre nga Olimpi, ulen këmbëkryq me popullin dhe dëgjojnë me lotë në sy hallet e tyre, duke tundur kokën e tyre të trashë.

Kjo jo vetëm që është një pamje e pështirë, që na sposton pas në kohë, por reflekton hapur neverinë dhe përbuzjen, që ndjen ky kryeministër për popullin e tij.

Sigurisht, që kjo nuk bëhet krejt ashtu kot, krejt pa qëllim, sepse nëpërmjet kësaj strategjie, ai e ka të qartë që mund të heqë përgjegjësinë nga vetja dhe të sulmojë dhe asgjësojë këdo.

Mjafton të kujtojmë që udhëheqësi i tij shpirtëror, diktatori komunist Enver Hoxha, nëpërmjet kësaj strategjie, asgjësoi elitën më europianiste shqiptare për t’u bërë më pas zot absolut i vendit.

Duke dalë mbi institucionet, madje duke i sulmuar hapur ato, ai tenton ta identifikojë veten me viktimat, kësisoj ai e zhvesh veten nga përgjegjësia dhe ndëshkon fajtorët.

Nuk është hera e parë që ai djallëzisht e vendos veten në rolin e udhëheqësit të ndershëm, të cfilitur që nuk di gjë se ç’ bëjnë vartësit e tij, ama kur merr vesh ndonjë të pabërë të vartësve të tij, shndërrohet në xhelat të tyre.

Gjatë gjithë qeverisjes, ai është përpjekur ta ndërtojë mitin e udhëheqësit ‘shpëtimtar’, mitin e ‘zotit’ që është padron i gjithçkaje dhe i gjithkujt, por këto ditë ky mit po del në pah si asnjëherë tjetër.

Në çdo vend normal të botës, (përjashto Korenë e Veriut), përfaqësuesit e popullit ose i shikojmë me mëngë të përveshura krah për krah tyre me çizme në baltë, duke ndihmuar viktimat e katastrofës, ose i shikojmë në zyrë duke marrë vendime strukturore për të zgjidhur situatën e krijuar në terren. Ky imazh, jo vetëm i shton vlerë një shtetari të përgjegjshëm, por gjeneron kohezion shoqëror me viktimat dhe familjet e tyre duke rikthyer shpresën.

As që mund të përfytyrohet ndonjë lider perëndimor në foto të tilla gati perverse, ku qytetarët të gjunjëzuar nga mjerimi i puthin duart udhëheqësit . As që mund të imagjinohet që kjo të ndodhë në ndonjë shtet serioz, me një hierarki të qartë, me institucione të pavarura dhe pushtete të ndara.

Perēndimi është shkëputur prej kohësh nga ky soj i neveritshëm udhëheqësish primitivë. Duke trashëguar konceptet e shtetit romak, shtetet perëndimore e kanë lënë pas kultin e individit me kohë. Ata kanë marrë prej kohësh një kah zhvillimi të bazuar mbi burokracinë shtetërore të strukturuar vertikalisht, me konceptet e ndarjes së pushteteve, me institucione të pavarura e kështu me radhë.

E pra e parë nga ky këndvështrim, kuptohet se sa e tronditëse, është kjo pamja e ‘profetit’ të Republikës, që pretendon t’i zgjidhë hallet e popullit duke shkuar si ‘turist’ në rrënojat e papërgjegjshmërisë së vet.

Artikulli paraprakKriminale! Basha: Qeveria rrezikon jetën e qytetarëve që të mos prekë lekët për oligarkët!
Artikulli tjetërReagon PD Durrës: Dako jashtë juridiksionit të prokurorisë, sepse është nën juridiksionin e Ramës