Tirja dhe Nusreti!

Ilirjan TAGA

Kishim 2-3 ditë që merreshim me Nusretin kur statuset na u zhvendosen tek Tirja. Tirja kështu e Tirja ashtu nëpër statuse. U bëra kureshtar: ore, ç’është kjo Tirja që po më nxjerr demode statuset që kisha menduar për Nusretin? Tirja na qenka sanitarja e spitalit, e denoncuar nga vajza e një fatkeqeje që ka humbur jetën në një nga spitalet COVID, se ka marrë duke mashtruar sikur ishte infermiere para në këmbim të kujdesit për të sëmurën.
Një mijë pyetje të vijnë në mendje duke dëgjuar historinë e Tires

▪️A është Tirja fenomen i ri dhe që të lë gojëhapur?
▪️Pse kishte kaq çmime të kripura Tirja?
▪️A i mori Tirja të gjithë lekët për vete, apo siç ajo tha i ndau sipas hierarkisë?
▪️Sa si Tirja janë në spitalet Covid njëherë dhe pastaj në të gjithë spitalet nëpër Shqipëri?
▪️Po vajza që i dha lekët Tires, a ka faj?
▪️A është e drejtë që të lusim që lekët e marra t’i kthehen në ilaçe Tires, siç dikush po bën? Kush janë këta që janë irrituar kaq shumë?
▪️…
▪️…

▪️Çfarë lidhje ka Tirja me Nusretin?
Tirja nuk është aspak fenomen i ri, i padëgjuar dhe i panjohur nga shqiptarët. Shqiptarët nuk i surprizon historia që një punonjëse e spitalit merr lek. Të tillëve ka 30 vjet që, kur fati i keq i ka përplasur dyerve të spitaleve, njerëzit u kanë futur dorën në xhep, jo për t’i marrë gjë por, për tu lënë bakshish. E reja e rastit është se Tirja e paska zhvilluar fenomenin duke u hequr si infermiere në një kohë që ishte sanitare dhe se, edhe pse merrte lekët, nuk e bënte shërbimin, duke i dhënë historisë ngjyra kriminale e shtazarake.

Situata nuk ishte e zakonshme, prandaj dhe Tirja kishte çmime të jashtëzakonshme. Çmimet i vendos tregu apo jo? Halli i madh, çmimi i lartë. Kërkesa e lartë, çmimi i kripur. Kështu ka qenë gjithmonë. Nga ky rregull tregu asnjë Tire nuk bën dot përjashtim. Se ka edhe logjikë në mes kur mendon deklaratën e Tires për një hierarki, një zinxhir me infermierë e mjekë, që prisnin në radhë për çfarë do u jepte Tirja. Kështu i bie që Tirja nuk ishte dorë e parë, normal që çmimi do rritej sa më shumë duar të kalonte malli (O zot, për çfarë malli po flasim, jetë njeriu!)

Nuk ka njeriu si të mos shtanget dhe të mendojë sa Tire ka që qarkullojnë nëpër spitalet Covid e nëpër gjithë spitalet e Shqipërisë. Me mijëra Tire. Edhe tani që flasim, shkruajmë a lexojmë, ato janë duke bredhur nëpër korridore e dhoma spitalesh. Nuk ka rëndësi nëse janë infermierë, mjekë apo sanitarë që hiqen si infermierë apo si drejtorë spitali. Tiret aty janë, duke bërë pazar me jetën, jetën e të afërmit tënd, jetën e të afërmit tim, jetën tënde, jetën time.

Sa të çuditshëm paskemi qenë! Edhe pse e jetojmë përditë këtë realitet, herë si aktorë e herë si spektatorë, prapë kur dëgjojmë histori të tilla mërzitemi dhe irritohemi duke mallkuar Tiren e radhës.

Në fakt çfarë është Tirja? A nuk është ajo një produkt i kësaj shoqërie? Çfarë mendoni se i është dashur Tires të bëjë për të zgjidhur hallet e veta, se nuk besoj se jeta i ka shkuar vaj? Ja përshembull, nuk e dimë në rastin konkret por, a nuk u duhet të paguajnë për vendin e punës, një tjetër Tire?! Po po, edhe për një copë sanitare. Nuk besoj se ka njeri që nuk ka dëgjuar edhe kështu historish. Po sikur të ketë pasur hall në gjykatë Tirja, si e ka zgjidhur mendoni? A nuk ka qenë atje një Tire gjyqtare që, ja ka “matur kokën me pe”?! Nëse nuk i ka qëlluar deri tani, do ia masin me pe kokën me këtë rast. Po ajo ndoshta ka hasur gjatë jetës edhe një Tire mësuese, një Tire polic, një Tire bankier, një Tire hipoteke e me radhë. E pra, Tirja nuk është personazh i një filmi horror dhe pse horror është historia e saj. Tirja është një nga të shumtët Tire të këtij vendi e kësaj shoqërie, është një hallkë e një zinxhiri që kësaj rradhe i ra të jetë hallka e fundit, ose çengeli në gurmazin e secilit prej nesh.

Se mos ma merrni sikur dua ta mbroj Tiren. As këtë dhe asnjë Tire tjetër me të cilën na bie të takohemi përditë. Zoti ua dhëntë dënimin që meritojnë! Por, thjeshtë, duke menduar këtë dëshirë-lutje, mu kujtua historia e Biblës me gruan të cilën njerëzit po e gjuanin me gurë sepse e kishin zënë në mëkat. Kur Jezusi u tha “Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!” asnjë nuk guxoi dhe të gjithë i hodhën gurët përdhe

Po vajza që denoncoi? Ajo nuk ka asnjë faj. Turp për kë mundohet që, për hatër të partisë, ta fajësojë edhe atë si korruptuese. Përtej ligjit, ajo kishte të drejtën e gjithë botës, për të bërë ç’të mundte për të shpëtuar jetën e nënës së vet që për fat të keq nuk ia arriti. Fanatikët, nostalgjikët, partiakët, le ta mbrojnë Partinë dhe Udhëheqësin, pa i rënë në qafë fatkeqes. Le ta mbrojnë Partinë ashtu siç po bënin me Nusretin, le t’ia ngarkojnë gjithë fajin Tires ashtu siç ia lanë kameramanit që regjistroi darkën me biftek floriri të udhëheqjes tek Nusreti.

Në këtë pikë, unë kam mbetur në dilemë dhe nuk e zgjidh dot. A jemi ne një shoqëri Tiresh që prodhojmë politikanë derra të kënaqur që zhgërryhen në biftekët e Nusretit, apo politikanët tanë derra të kënaqur që zhgërryhen në biftekët e Nusretit prodhojnë Tiret???

Ajo që unë di është se, mes Tires dhe Nusretit nuk ka asnjë hendek. Sa të kemi njërin, do të kemi edhe tjetrin. “Tirja dhe Nusreti” është si një telenovelë turke e mbushur me dramë, horror, krim, ryshfet, para të pista, që ka shumë vite që ka nisur (po e lëmë tridhjetë) dhe që për fat të keq duket se do të vazhdojë gjatë në këtë vend. Ne mbetemi në pritje të serive të radhës duke lutur Zotin që mos të jemi protagonistë vetë…

Artikulli paraprakBasha publikon videon: Rama premtoi shëndetësi falas, por e futi në kolaps!
Artikulli tjetërDenoncimi i kreut të FRPD: Mashtrimet e Erion Veliajt nuk njohin limite!