Ikja masive e shqiptarëve, as INSTAT nuk fsheh dot më shifrat

Shqiptarët po largohen përditë nga vendi. Këtë e tregojnë edhe shifrat zyrtare të bëra publike nga INSTAT. Sipas të dhënave zyrtare vetëm në muajin janar të 2018, nga Shqipëria janë larguar 74997 qytetarë. Numri i qytetarëve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit janar 2018, është 448.103. Krahasuar me janar 2017, ky numër është rritur 20.8%.
Hyrjet e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj në muajin janar 2018, në rrugë tokësore zënë peshën më të madhe të hyrjeve gjithsej me 79,8%, ndërsa hyrjet në rrugë ajrore zënë 16,6% dhe detare zënë 3,6%. Numri i qytetarëve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në vend, në muajin janar 2018 është 605.444, duke u rritur 29,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i qytetarëve të huaj të hyrë në vend në muajin janar 2018 është 232.338, krahasuar me janar 2017, ky numër është rritur me 34,5%. Në janar 2018, hyrjet nga Maqedonia kanë patur rritjen më të madhe me 47,2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Qytetarët shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi, gjatë muajit janar 2018, janë 726.463 duke shënuar një rritje me 30,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Refuzimet e kërkesave të shqiptarëve

Fluksi i lartë i azilkërkuesve mund të mos ketë bërë që shqiptarëve t’u anulohet lëvizja e lirë në hapësirën Schengen, por padyshim që ka dhënë efekte negative. Gjatë vitit që lamë pas, u është mohuar hyrja mbi 32 mijë shqiptarëve. Të dhënat janë të pasqyruara në raportin e “Frontex” mbi analizën e riskut për vitin 2018. Shqiptarët janë kombësia e tretë më e përjashtuar nga Europa, pas ukrainasve me 37 mijë hyrje të mohuara dhe rusëve me 36 mijë hyrje të mohuara. Arsyeja kryesore është ashpërsimi i politikave të Greqisë për kalimin e kufirit. Ndonëse kontrollet e rrepta të dokumentacionit për shqiptarët kanë nisur që në vitin 2014, vitin e shkuar Greqia e dyfishoi numrin e refuzimeve. Pavarësisht se shqiptarët janë një ndër grupet kryesore të kombësive që tentojnë të kalojnë me dokumente të falsifikuara, kjo nuk ka qenë baza për refuzimet: Ndër 32 mijë raste, gati 11 mijë shqiptarë janë refuzuar për shkak se nuk kanë dokumentacionin përkatës që justifikon qëllimin dhe kushtet e vizitës. 9,331 shqiptarë janë refuzuar në kufijtë europianë për shkak se janë gjykuar si pa mjetet e duhura për të qëndruar në periudhën e deklaruar dhe pa para për t’u rikthyer në vend.

8,363 shqiptarë, ndërkohë kanë qenë në listën e alarmit për refuzimin e hyrjes në regjistrin kombëtar. 1,945 shqiptarëve u është mohuar hyrja për shkak se kishin qëndruar mbi 3 muaj gjatë periudhës 6-mujore në territorin e shteteve të BE, një fakt që flet mbi ndërgjegjësimin e ulët të qytetarëve mbi rregullat e lëvizjes së lirë. Numri i lartë i refuzimeve ka ndikuar në shtimin e rasteve të kalimit të paligjshëm të kufirit me 22%, duke arritur në 6500 kalime ilegale, më shumë se çdo shtet tjetër sa i takon kufijve tokësorë. Po ashtu, ka qenë i lartë edhe numri i zyrtarëve shqiptarë në kufij që ndihmojnë shqiptarët të shkelin ilegalisht në Europë.
Kjo e dhënë mbështetet nga raportimet e herëpashershme të Ministrisë së Punëve të Brendshme për shpërdorim detyre nga ana e punonjësve kufitarë. Krahas këtyre problematikave, Shqipëria renditet si grupi i parë edhe për kthimet në atdhe, megjithëse 84% kanë patur një kthim të forcuar, me mbi 21 mijë raste (4-fishi në raport me shtetin tjetër në renditje). Gjithashtu, Shqipëria renditet shteti i tretë, pas Ukrainës dhe Marokut, me numrin më të lartë të qëndrimeve të paligjshme në një shtet të Bashkimit Europian.

Artikulli paraprakKu u gabua me Korenë e Veriut?
Artikulli tjetërHahn: “Gjermania dhe Franca kritika të mëdha ndaj Tiranës”