Ibra nuk bën pjesë në listën e Milanit

Milani ka bërë një merkato fantastike deri tani, duke afruar në skuadër plot 10 futbollistë mes tyre edhe emra shumë të rëndësishëm si Leonardo Bonucci, Lucas Biglia, Andrea Conti, Franck Kessie e Andre Silva. Gjithsesi, për të kompletuar skuadrën drejtuesit e klubit prej kohësh po lëvizin për të realizuar edhe goditjen e fundit që do të jetë afrimi i një sulmuesi me shumë peshë që të mbajë mbi shpatulla repartin e avancuar të Milanit, pasi Carlos Bacca dhe i riu Andre Silva nuk e bindin plotësisht trajnerin Vincenzo Montella.
Në orët e fundit është folur shumë për një rikthim të Zlatan Ibrahimoviç te kuqezinjtë. Shtatlarti suedez po e merr veten nga dëmtimi i rëndë që pësoi në Prill dhe mund të jetë gati për të luajtur në fillim të tetorit. Megjithatë për të frenuar disi entuziazmin e tifozëve të Milanit për një afrim të mundshëm të Ibrës, ka menduar drejtori sportiv Massimiliano Mirabelli, i cili në një intervistë ka theksuar se në listën prej 3 emrash për sulmin e kuqezinjve nuk bën pjesë ai i Zlatan Ibrahimoviç.
Borussia e Dortmundit dhe vetë Pierre Emerick Aubameyang i kanë mbyllur dyert kuqezinjve por Mirabelli nuk e përjashton ende mundësinë që sulmuesi nga Gaboni mund të bëhet pjesë e Milanit. Diego Costa dhe Nikola Kalinic janë dy emra të tjerë që janë lakuar shumë për të afruar te Milani. Mirabelli edhe pse e pranoi se Milani ka nevojë për një sulmues të madh, ai dhe Fassonne nuk duan të gabojnë dhe do të presin deri në ditën e fundit të merkatos për të bërë zgjedhjen e duhur.
Aventura e Stephan Lichtsteiner te Juventusi mund të jetë drejt fundit. Në rast se bardhezinjtë do të firmosnin me Joao Cancelo, zvicerani nuk do të kishte hapësirën e dëshiruar në formacion dhe për këtë po studion alternativa të reja. “Zonja e Vjetër” e vlerëson 7-8 milionë euro kartonin e 33-vjeçarit, i cili për momentin kërkohet vetëm nga Nice, pasi mësohet se Wolfsburg është tërhequr nga gara për mbrojtësin.
Valentin Eysseric është lojtari më i ri i Fiorentinës. Mesfushori, i cili vjen nga skuadra e Nice, zhvilloi vizitat mjekësore me klubin vjollcë, për të firmosur më pas kontratën. 25-vjeçari deklaroi se është shumë i lumtur që ndodhet në Firenze. Eysseric do të jetë në dispozicion të Stefano Piolit, për miqësoren e ditës së enjte, kundër Pistoieses.

Artikulli paraprakTronditet Barcelona
Artikulli tjetërFruta dhe perime, grindje tregtare mes Kroacisë dhe Serbisë