Ibra, një zhgënjim!

Duket se ka zgjatur shumë pak entuziazmi në radhët e tifozëve të Manchester United për transferimin e Zlatan Ibrahimoviç te “Djajtë e Kuq”. Ai që në fillim u konsiderua afrim i goditur me parametër zero, tani po shihet si zhgënjim. Suedezi ka mundur të shënojë 6 gola që nga momenti i mbërritjes në “Old Trafford”, por në 6 ndeshjet e fundit nuk po e gjen më rrugën e rrjetës. Këto statistika të 34-vjeçarit po shndërrohen në një shqetësim serioz për tifozët e United sepse një ecuri të tillë, pra 5 ndeshje pa shënuar, Zlatan nuk e përjetonte që nga viti 2010.
Jo më kot kritikat ndaj tij në Angli kanë qenë të ashpra, si nga tifozët ashtu edhe nga përfaqësuesit e mediave sportive. Shigjetimet ndaj Ibras kanë shkuar deri aty sa ta konsiderojnë inspiruesin e kësaj minikrize që po kalojnë “Djajtë e Kuq”. Mediat në Angli, më konkretisht “Manchester Evening News” i sugjeron Jose Murinjos ta zëvendësojë suedezin me Anthony Martial ose me Marcus Rashford.
Por nuk është vetëm shterpësia e Ibras ajo që i shqetëson mbështetësit e United. “Sun Sport” në numrin e kësaj të marteje ka zbuluar se trajneri portugez i ka thënë Wayne Rooney-t se mund të largohet nga Manchesteri, duke lënë të nënkuptohet se nuk bën më pjesë në planet e tij. Një tjetër çështje kaq delikate nuk do të ndihmonte aspak në kapërcimin e kësaj situate aspak të këndshme, që kulmoi me poshtërimin që i bëri Chelsea skuadrës së Murinjos në “Stamford Bridge”.
Edhe ish-mesfushori i Manchester Junajtid, Rajan Gigs, nuk ka kapërdirë lehtë sjelljen e futbollistëve të Manchester Junajtid pas humbjes 4-0 që pësuan përballë Chelsea-t. Uellsiani e ka cilësuar si të papranueshëm faktin se pas një disfate kaq të thellë, lojtarë të ndryshëm ishin larguar nga fusha duke qeshur apo duke ndërruar fanellat me kundërshtarët sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
David de Gea u pa të fliste me Pedron, Ibrahimoviç dhe Mata po qeshnin me njëri-tjetrin, ndërsa shumë futbollistë po ndërronin fanellat pas mbylljes të kësaj ndeshjeje. “Mund të mposhtesh në një ndeshje futbolli, por kur mundesh keq e pastaj ndërron fanella, më quani edhe të vjetër në mendësi po deshët, por mua kjo nuk më pëlqen”, tha Gigs pas përfundimit të takimit. “Nëse mundesh 4-0, t’i përgëzon kundërshtarin, falënderon tifozët dhe pastaj del nga fusha e lojës. Nuk qëndron në fushë duke ndërruar fanellat e qeshur me skuadrën që sapo të ka mundur”, ishte kritika e Gigs.

Artikulli paraprakGashi shpallet “Futbollisti i vitit” te Colorado Rapids
Artikulli tjetër“Topi i Artë 2016”, lista e 30 kandidatëve