I dashur demokrat, mos prit!…

Nga Erl KODRA

*) Letër motivuese për mikun tim,

Unë e di se ti gjendesh në një situatë të çuditshme, disi të pashpresë, duke pritur nëse do të ndryshojë diçka nga politika e lartë e Partisë Demokratike.

Mos prit!

Ti mund të shpëtosh edhe Partinë Demokratike. Dhe ja se si.

Çudia nuk qëndron thjeshtë në faktin se në krye të vendit është ai që është; një i çmendur i çertifikuar si i tillë, por në pamundësinë tënde për të ndryshuar këtë realitet të çmendur.

Unë e di se ti i bënë njëqind pyetje vetes, dhe për të njëqindtat ke nga një përgjigje, por asnjë nuk është aq adekuate, e mjaftueshme për të shpjeguar pafuqinë tënde për të ndalur çmendurinë e përbindëshit Edi Rama.

Unë e di se ti gjendesh mes njëqind hallesh ekzistenciale, siç është përshembull buka e përditshme për familjen tënde, megjithatë, bash këtu duhet ta gjesh forcën për të ndryshuar.

Po, për të ndryshuar realitetin tënd, të familjes tënde, të qytetit tënd, të vendit tënd.

Unë e di se organizimi politik i vendit, niveli ekonomik dhe politik i shoqërisë, por edhe e kaluara e errët nën diktaturë të këpusin krahët e shpresës. Por arsyeja jote për të imponuar ndryshimin është superiore; superiore në moral dhe në argumenta.

A ka argument më të madh se sa kërkesa e panegociueshme, për jetë dinjitoze dhe pa frikë?

Rrethanat ndonjëherë bëhen komplekse dhe të ndërlidhura me njëra tjetrën, duke u kthyer në një rrjet fjalësh të rrejshme, që shumëfishohen nga propaganda e pafre e përbindëshit. Mercenarët e Kryeministrit gjenden në të gjitha pikat e komunikimit publik dhe botën tënde e kthejnë përmbys.

Çfarë mbetet për ty, demokrati i shkretë?

Të mbyllesh në zhguallin tënd shpresë humbur?!

Pa provojeni njëherë të shikoni gjërat ndryshe. Domethënë, të përpiqeni të identifikoni pikat prej nga mund të fillohet. Të mendoni intensivisht, pa ndërprerje se çka mund të ndryshoni në veten tuaj, në sjelljen tuaj ndaj dhunës verbale, ndaj dhunës fizike, ndaj agresionit permanent të përversit Edi Rama. Të gjeni brenda vetes përgjigjet shembullore që mund t’ia përplasni në fytyrë mediave të mëdha që ju përçmojnë, diplomatëve që ju fyejn, politikanëve që ju vjedhin dhe mashtrojnë.

Mblidhu me demokratët e tjerë, në grupe të vogla, dhe ndizni zjarre në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Pa lider, pa parti politike. Mos u tundni vendit, derisa Angela Merkel dhe Mike Pompeo të flasin me ju, nominalisht.

Konfirmoje faktin se Shqipëria është Atdheu yt. Pa mëdyshje.

Kur të mos gjendesh vetëm, botën rreth teje do ta shohësh ndryshe.

Shpesh njeriu nuk e di se çfarë ka brenda vetes. Provojeni njëherë të bëni atë që ju thotë shpirti, të bëni saktësisht atë që ndjeni brenda vetes. Fundja, çfarë do humbisni përveç urisë, skamjes, mjerimit dhe poshtërimit?

E di se ke arsye të mjafta për pesimizmin tënd. E di se çka mendon rreth politikës, liderave, partive politike. Por ti je demokrat, ke gjenet më të mira të kombit tënd. Dhe mund t’ia djegësh skenarët çdo kujtë.

Fundja e fundit, çka pret? Të vijë pranvera, të mbijë barë, e bari të rritet, të digjet e të thahet përsëri?!

Askujt nuk i bëhet vonë për ty, nëse ti nuk e konfirmon ekzistencën tënde. Përndryshe, prej këtij momenti fillo e mendo se qysh mund ta ndryshosh realitetin tënd ekzistencial.

Dil nga udhëkryqi dhe jepi kuptim jetës tënde.

Ti je demokrat!

Artikulli paraprakDeklarata e fortë e gazetarit italian ndaj Kryeministrit shqiptar
Artikulli tjetërSi e talli Rama, Braçen para ambasadorëve: Ndjehem më i vogël se ai…