Hysaj pasardhës i Lahm?

Jo vetëm Barcelona, Real Madrid, Chelsea dhe Arsenal. Elseid Hysaj është edhe në orbitën e merkatos të Bayern Munchen, për të trashëguar rolin e mbrojtësit të djathtë nga Philip Lahm. Më 11 nëntor kapiteni i kampionëve të Gjermanisë do të festojë 34-vjetorin e lindjes, por këtë do ta bëjë larg fushave të lojës. Menjëherë pas ndeshjes së Kupës së Gjermanisë kundër Wolfsburg-ut, Lahm njoftoi se në fund të sezonit do të tërhiqet nga futbolli.
Ka mjaftuar kjo deklaratë që bavarezët të nisin punën për të gjetur pasardhësit e lojtarit polivalent, të rritur në akademinë e Bayernit, për të veshur fanellën e skuadrës me të cilën deri më tani ka luajtur 501 ndeshje, duke fituar 8 tituj kampionë të Bundesligës, 1 trofe të Champions dhe 1 Botëror për klube.
Elseid Hysaj është në listën e kandidatëve potencialë që do të zëvendësojnë Philip Lahm. Sipas francezes “footmercato”, me shqiptarin në garë janë edhe Serge Aurier i Paris Saint Germain, Hector Bellerin i Arsenalt apo edhe Daniel Carvajal i Realit të Madridit.
Bayern Munchen shfaqi interes për mbrojtësin shqiptar prej verës së kaluar, me drejtuesit e klubit gjerman që vlerësuan mundësinë e transferimit të 22-vjeçarit nga Napoli.
Hysaj cilësohet një lojtar që pëlqehet së tepërmi nga trajneri Ançeloti, megjithatë për të siguruar shërbimet e futbollistit kuqezi, përveç konkurrencës së fortë, në “Allianz Arena” duhet të bëjnë gati edhe çekun me vlerë 50 milionë euro, shifër e përcaktuar nga Napoli për prishjen e kontratës së mbrojtësit.

Artikulli paraprakTuchel: Asnjë problem me Gotze
Artikulli tjetërKevin Prince Boateng: Tani jam tjetër njeri