Hyn në fuqi ligji për produktet kozmetike, ja penalitetet

Ligji për produktet kozmetike ka hyrë në fuqi, çka nënkupton se efektet e tij dhe gjobat do të nisin të aplikohen menjëherë. Të gjithë importuesit, shitësit dhe përdoruesit e këtyre produkteve duhet të kenë marrë masat gjatë kësaj kohe, ndryshe përballen me penalitete, të cilat variojnë nga 100 mijë deri në 1 milion lekë. Ligji i ri përcakton si subjekte jomjekësore, ato subjekte që ofrojnë shërbimin e aplikimit të produkteve kozmetike. Sipas pikës 3, të nenit 26 specifikohet që nëse produkti kozmetik kërkon përdorim nga një profesionist, këto subjekte duhet të kenë staf të kualifikuar për aplikimin e tyre. Me fjalë të thjeshta, nëse një sallon kozmetike do të dojë të ofrojë shërbimin e mbushjes së buzëve, stafi që bën aplikimin me këtë produkt duhet të jetë i kualifikuar për këtë detyrë. Kjo vlen për çdo subjekt tjetër jomjekësor që kërkon të ofrojë shërbime të ngjashme. Shkelja e kësaj pike dënohet me 500 mijë lekë gjobë. Kurse gjobat e tjera janë si më poshtë: 500 mijë lekë gjobë dhe konfiskim i produkteve kozmetike, nëse produkti përbën rrezik për shëndetin e njerëzve apo nuk ka paraqitje të dallueshme nga produktet ushqimore, udhëzimet dhe etiketat përkatëse. 100 mijë lekë gjobë nëse personi përgjegjës nuk merr masa, nuk bashkëpunon për eliminimin e produktit nëse ai përbën rrezik për konsumatorin. 100 mijë lekë gjobë nëse shpërndarësi nuk bën verifikimet e nevojshme për produktin apo nuk merr masa për një produkt të dëmshëm. 1 milion lekë gjobë nëse personi përgjegjës nuk njofton në formë elektronike ministrinë për specifikat e produktit, paketimin, etj. 1 milion lekë gjobë dhe konfiskim i produkteve nëse hidhen në treg produkte që përmbajnë substanca të ndaluara. 100 mijë lekë gjobë nëse personi përgjegjës nuk njofton inspektoratin në raste të efekteve të padëshiruara serioze.

Artikulli paraprakBartra: Së shpejti kthehem në fushë
Artikulli tjetërImportet e cigares i rikthehen rënies, 6.7% më pak për dymujorin