Humbja kundër Brighton, Manchester United vendos për të ardhmen e Mourinhos

Në ndeshjen e parë të sezonit të ri të Premierligës, “Djajtë e kuq” i siguruan tri pikët e para të sezonit. Megjithatë, ata nuk arritën ta vazhdojnë rrugëtimin me të njëjtin ritëm, pasi që në ndeshjen e dytë pësuan disfatë kundër Brightonit, përcjell Gazeta Express.
Megjithatë, bordi i Manchester Unitedit i beson ende trajnerit portugez dhe do t’i japë atij më shumë kohë për të arritur suksesin e kërkuar nga tifozët.
Mourinho ende nuk e ka skuadrën e tij të plotë në dispozicion për shkak të lëndimeve. Lojtarë si Alexis Sanchez, Nemanja Matic dhe Antonio Valencia, të cilët ishin titullar në shumicën e ndeshjeve të sezonit të kaluar, nuk ishin të gatshëm të luajnë kundër Brightonit për shkak të lëndimeve.
Në janar të këtij viti, Mourinho e rinovoi kontratën e tij me Manchester Unitedin, e cila do ta mbajë atë në Old Trafford deri në vitin 2020. Megjithatë, gjatë këtij afati kalimtar ai i kishte kritikuar shpeshherë bordin drejtues për punën e tyre dhe kjo gjë i kishte nxitur spekulimet për shkarkimin e tij.
Manchester Unitedi e kishin emëruar Mourinhon në pozitën e trajnerit pasi dy trajnerët paraprakë, David Moyes dhe Louis van Gaal, kishin dështuar të vazhdojë suksesin e klubit nën menaxhimin e Sir Alex Fergusonit, transmeton Gazeta Express.
Në sezonin e tij të parë, Mourinho i fitoi tre tituj me klubin e tij të ri. Megjithatë, sezonin e kaluar ata përfunduan duarbosh dhe nuk arritën t’i transferojnë lojtarët e kërkuar gjatë këtij afati kalimtar.
“Mourinho është njeriu i gabuar për këtë punë. Stili i lojës nuk është argëtues dhe ajo që e bën këtë dyfish më të keqe është se dy rivalët e tyre më të mëdhenj, Manchester City dhe Liverpooli, luajnë futboll me të vërtetë emocionues”, ka thënë Sharpe.
“Stili i tij negativ nuk i përshtatet llojit të futbollit që kërkojnë dhe duanë tifozët e Unitedit. Mendoj se ai do të shkarkohet para Krishtlindjeve”.

Artikulli paraprakTrump paralajmëron: Mueller dhe grupi i tij i banditëve demokratë të zemëruar duan të ndikojnë tek zgjedhjet
Artikulli tjetërHaradinaj: Tradhëtar kush negocion ndarjen e Kosovës, Thaçi s’e ka këtë të drejtë