Humbin jetën 3 familjarë nga Gjilani, dyshohet se u helmuan nga kërpudhat në Gjirin e Lalëzit

Tre anëtarë të një familjes nga Gjilani kanë vdekur në Shqipëri. Sipas burimeve të Syri Kosova, viktimat dyshohet se janë helmuar nga ushqimi, më saktësisht nga kërpudhat që ata i kishin marrë në një mal në Gjirin e Lalëzit në Shqipëri.

Burimet bëjnë të ditur se rasti tragjik i vdekjes së tre anëtarëve ka ndodhur në fillim të kësaj jave.

Vdekjen e tre anëtarëve të kësaj familje e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i cili ka kërkuar nga autoritetet në Shqipëri zbardhjen sa më të shpejt të këtij rasti.

“E nderuar familje Haliti, Me trishtim e mora lajmin për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të tre anëtarëve të familjes suaj, në Shqipëri, Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti.Kjo tragjedi na ka tronditur të gjithëve dhe apeli im është që të ndriçohet rasti sa më parë nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Familje e dashur Haliti, ju lus që të bëheni të fortë për ta përballuar këtë tragjedi që na tronditi të gjithë. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!”, thuhet në telegram.

Artikulli paraprakBasha uron Natën e Kadrit: Zoti i pranoftë lutjet tuaja dhe jua shpërbleftë sakrificat
Artikulli tjetërPD zbardh skemën kriminale: SPAK nuk hetoi por lejoi deformimin e votës nga grupimi kriminal i Tom Doshit