Po ikin, eksod masiv drejt BE

Një tjetër eksod tjetër masiv duket se po nis. Fotot tregojnë një kamp refugjatësh në Lion, Francë. Ishin të gjithë shqiptarë. Vetëm ditët e fundit janë 500 persona që kanë mbërritur nga Shqipëria në Lion, shprehje e zhgënjimit të madh dhe humbjes së shpresës.
Fakt është se ky emigrim po ndodh vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 25 qershorit dhe shndërrimit të tyre në një Vaterlo të blerjes masive të votave. Aty ku votat shiten dhe blihen nuk mund të ketë të ardhme. Shqipëria duket se do të kthehet në një çiflig në shërbim të një grushti pushtetarësh që e kanë blerë pushtetin, ndërsa për pjesën tjetër të shqiptarëve, e vetmja rrugë mbetet emigrimi masiv. Ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë u shprehën entuziastë për zgjedhjet e 25 qershorit, tani duhet të përgatisin vendet e tyre edhe për valën e emigrantëve që duket se ka nisur.
Vendet që braktisen në shumicën e rasteve janë ato që nuk kanë shpresë. Në Shqipëri mungon gjithçka, mungon punësimi, mungojnë të ardhurat, mungon perspektiva. Të pyetur se përse largohen, ata shprehen qartazi se arsyeja e parë është mungesa e punësimit dhe të ardhurat e pakta për të siguruar minimumin jetik për familjen. “Jemi pa punë, pa të ardhura, pa asgjë. Çfarë do të bëjmë atje, s’ka asnjë lloj mënyre për të jetuar. Këtu do të shohim ndonjë mundësi se është vend i madh, por dhe politikat janë të tilla që të paktën fëmijët të arrijnë të kenë një të ardhme”, thotë njëri prej tyre. Por Edi Rama në fushatë elektorale kishte vetëm mendjen tek tepsia se si ta gllabëronte i vetëm dhe asnjëherë nuk përmendi hallet e njerëzve, por mendoi se si t’u blinte votën pjesës më të madhe të shtresës së pambrojtur. Ajo pjesë që i rezistoi këtij tundimi sot shikon se ku mund të gjejë zgjidhjen dhe ajo mbetet një dhe unike. Të ikin nga sytë këmbët, më mirë atje në çadër në Lion apo gjetkë sesa në një Shqipëri, e cila nuk afron asgjë, në radhë të parë nuk afron shpresë. Shumica e shqiptarëve sot jetojnë nën minimumin jetik dhe kjo ishte një tjetër arsye se përse shumë prej tyre s’e menduan gjatë para se të shisnin votën. Vota u shit me idenë se si ta shtyjmë dhe një ditë më shumë për të plotësuar pak nga ato shumë nevoja jetike që kanë dhe jemi këtu ku jemi. Shqiptarët vazhdojnë të lenë Shqipërinë e tyre dhe kjo është një nga gjërat më të rënda që i ndodh një vendi. Të ikë forca më e kualifikuar e punës, një investim dhjetëra vjeçar do të thotë që një vend të rrënohet. Të ikin fëmijët e të rinjtë do të thotë që një vend të shkojë me shpejtësi drejt plakjes. Në rast se vazhdon me këtë ritëm të ikjes dhe braktisjeve ndoshta s’do të jetë e largët dita kur në Shqipëri nuk do të flitet më për popullsi të aftë për punë, por vetëm për popullsi të aftë për të tërhequr pensionin e pleqërisë.
Sipas statistikave europiane, të paktën 32 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil vitin e kaluar në vendet e Bashkimit Europian. Nga këta, 7.445 shqiptarë aplikuan për azil në Francë. Më datë 15 qershor, në media do të qarkullonte lajmi se 10 familje prej dy muajsh jetojnë në çadra të improvizuara në një lagje të Lionit. Po ta vësh re nga fotot, ky numër është rritur së tepërmi, çka do të thotë se numri është shtuar më shumë pas datës 26 qershor. Ky është vetëm një ndër kampet që janë ngritur në Lion të Francës dhe hemorragjia vazhdon edhe sot. Në fakt ka një tkurrje të  prurjeve të emigrantëve nga Afganistani apo Siria përgjatë fundit të muajve të 2016 dhe vitit 2017. Vetëm nga Shqipëria jo. Këtu po flasim vetëm për të dhënat zyrtare që po synojnë kufijtë e BE, po ka shumë nga ata që megjithëse janë kthyer një herë dhe i është refuzuar azili i qëndrimit tentojnë të ikin sërish. Kjo është vetëm shenja e parë dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë të tjera grupe në vijim. Kjo ndodh kur pushteti uzurpohet nga despotë dhe nga njerëz që të vetmen alternativë kanë vetëm vjedhjen dhe korrupsionin. Në fakt, një sondazh i Gallup, jepte alarmin përpara zgjedhjeve se, 56 për qind e shqiptarëve kërkojnë të emigrojnë.

Gallup: 56% e shqiptarëve kërkojnë të largohen jashtë vendit

Agjencia e njohur e sondazheve Gallup ka bërë një sondazh me 587 mijë njerëz nga 160 vende të ndryshme të botës. Sipas Gallup, në listën e vendeve ku njerëzit duan ta braktisin vendin, Shqipëria mban vendin e dytë me 56% të popullsisë që kërkon ta braktisë. Më mirë se ne paraqiten dhe vende si Haiti, Kinshasa, Congo, Gana, Sudani, Nigeria, madje dhe fqinji ynë Bosnje-Hercegovina. Vendi më i keq se sa ne është Sierra Leone e zhytur në luftëra civile dhe ku jetëgjatësia mesatare e njerëzve atje është 30 vjeç. Si shkak kryesor se përse shqiptarët kërkojnë të emigrojnë në këto përmasa Gallup rendit papunësinë, gjendjen e rënduar ekonomike dhe mungesën e shpresës. Shifrat janë më shumë se skandaloze për një vend që aspiron të anëtarësohet në BE dhe është vend anëtar i NATO-s, tashmë prej 9 vjetësh. Në fakt shenjat shqiptarët i kanë dhënë, por vetëm Edi Rama s’ka dashur t’i pranojë ato. Por në pasqyrën e sondazhin bëhen krahasimet dhe para vitit 2013 dhe rezulton një tjetër panoramë. Sipas sondazhit, deri në vitin 2013 vetëm 36 për qind e shqiptarëve shprehnin dëshirën për të emigruar. Por duket se gjithçka ka ndryshuar pas këtij viti, kur Rilindja mori pushtetin. Deri në vitin 2016, pra në një hark kohor prej tre vitesh, shifra e shqiptarëve është rritur dhe me 20 për qind të tjera ose pak a shumë 600 mijë më shumë shqiptarë që kërkojnë të largohen nga vendi i tyre për shkak të mungesës së shpresës. Kjo është prova më e mirë, e asaj se çfarë po ndodh në këtë vend nën qeverisjen e Edi Ramës, i cili me anë të metodave të tij ka vrarë shpresën dhe ka rritur papunësinë dhe varfërinë ndër shqiptarë, duke detyruar forcën më aktive për punë të shohë të ardhmen për veten dhe fëmijët diku tjetër.

Eurostat: Kërkesat për azil nga Shqipëria arritën në 439% më shumë më 2015-ën

Sipas të dhënave të Eurostat, numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar një rritje të frikshme në vitin 2015. Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë. Një tjetër rekord ishin aplikimet për lotarinë amerikane, që në vitin 2015 arritën në 200 mijë. Kjo shifër mbeti e palëvizur dhe në vitin 2016. Sipas mediave britanike, brigjet e Anglisë po kthehen në destinacionin më të fundit të emigrantëve shqiptarë. Nga Shqipëria deri në vitin 2013 mendohet të ishin larguar rreth 30% e popullsisë, ndërsa në regjistrimin e fundit të vitit 2016, kjo shifër kishte arritur në 40 për qind të saj. Pra, mund të thuhet se Rama në 3 vjet e ka rritur numrin e atyre që kërkojnë të largohen aq sa është rritur në një nga dekadat e fundit dhe kjo rrjedhje po vazhdon gjithnjë e më shumë. Ministria e Brendshme e Gjermanisë paralajmëroi se, Shqipëria është vendi, i cili ka pasur kërkesat më të shumta pas Sirisë në vitin 2016. Sipas njoftimeve të ministrisë, në vendin e parë për kërkesa për azil ishin refugjatët nga Siria për të pasuar ata nga Shqipëria, Afganistani dhe Iraku. Nëse i analizojmë të gjitha shtetet me radhë, Shqipëria dhe Kosova kanë arsye kryesore për emigrim ekonomik. Sipas një përllogaritjeje, nëse vazhdohet me këto ritme Shqipëria në një të ardhme jo shumë të largët do të ketë një popullsi shumë të vogël. Përgjatë viteve kanë emigruar në botë rreth 1.4 milionë mijë shqiptarë, ku natyrisht pjesën më të madhe të largimeve e kryesojnë vitet ‘90-të. Hemorragjia do të vazhdonte dhe për pjesën e parë të viteve 2000, por kurba do të zbriste diku pas vitit 2006. Me marrjen të pushtetit nga qeveria e PD në vitin 2005, u vu re një hov jo i paktë zhvillimi, ku ekonomia rritej me shifra dyshifrore. Në vitin 2007 për shembull, rritja ekonomike kapi shifrat e 12 për qindëshit. Por nga ana tjetër, një sërë zhvillimesh si anëtarësimi në NATO në vitin 2008 apo dhe liberalizimi i vizave në vitin 2010 do të ndiznin një rreze shprese, e cila frenoi ikjen e shqiptarëve nga vendi i tyre. Ulja e taksave, thithja e investitorëve, krijimi i hapësirave në arsim, punimet në infrastrukturë e turizëm do të hapnin jo pak vende pune për inxhinierë, ekonomistë dhe specialistë të të gjitha fushave. Në vitin 2008, për shembull niveli i varfërisë shënoi ulje në rekorde historike diku tek 11 për qind. Të gjitha këto bënë që trendi i të larguarve të ulej. Ky trend u mbajt dhe përgjatë kohës së krizës globale, që filloi në vitin 2009. Megjithëse në vitet 2010-2013, (që përkon dhe me liberalizimin e vizave), ajo ishte në kulmin e saj sërish numri i atyre që kërkonin azil në vendet e BE-së ishte afër zeros. Kjo bënte që Shqipëria të përmendej në raportet evropiane si vendi shembull që respektonte rregullat e Shengenit.

Artikulli paraprakPapunësia dhe korrupsioni, probleme madhore në Ballkan
Artikulli tjetërMziu – Dogjani debati për Kamzën