Holanda kërkon konsensus për zgjedhje të lira e të ndershme

Ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders kërkoi dje nga Tirana zyrtare dialog dhe kompromis për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Koenders vizitoi dje Tiranën, ku zhvilloi takime me liderët politikë në vend. Një klimë mirëbesimi dhe kompromisi për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme ishte thirrja që kreu i diplomacisë holandeze u bëri palëve për t’u ulur në dialog për zgjidhjen e krizës politike.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm Bushati, Bert Koenders tha se është me rëndësi të zbatohet vettingu, por edhe të kemi një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
“Shqipëria ka marrë hapa të mira për të miratuar reformën legjislative, po punojmë bashkërisht për këtë. Do të doja të theksoja dhe një herë rëndësinë dhe mbështetjen për Reformën në Drejtësi dhe pushtetin e së drejtës në Shqipëri. Vitin e shkuar, Parlamenti shqiptar miratoi në mënyrë unanime ndryshimet kushtetuese, mendoj se ka ardhur koha që të gjithë këto ndryshime të fillojnë nga zbatimi.
Mendoj që edhe zgjedhjet në vijim, padyshim që është çështje e brendshme dhe nuk dua të ndërhyj në këtë gjë, por mendoj se është e rëndësishme që të ketë dialog politik, është e rëndësishme që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe është e rëndësishme të bëhet progres në fushën e vettingut, që është shumë e rëndësishme dhe jemi plotësisht në mbështetje të qeverisë në këtë fushë. Ne mbështesim fort përparimin në fushën e drejtësisë, që është bërë deri më tani. Mezi pres të shoh progresin e integrimit në Europë, Reformën në Drejtësi dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, u shpreh Koenders.
Ai theksoi dialogun mes palëve edhe për zbatimin e reformës në drejtësi. “Duhet të zbatohet Reforma në Drejtësi. Rëndësi ka të arrihet dialogu politik. Është në interesin e Holandës që ndryshimet kushtetuese të mund të zbatohen. Partitë të përshpejtojnë procesin, pasi njerëzit presin zbatimin e Reformës në Drejtësi”, u shpreh Koenders.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta konfirmoi mbështetjen ndaj rrugës europiane të Shqipërisë.
“Vizita ime e parë ka qenë më 1991 dhe jam i lumtur që vizitoj sërish Shqipërinë. Dua të jap mbështetjen e Holandës në mbështetjen e Shqipërisë në BE. Jam shumë i kënaqur në marrëdhëniet tona bilaterale në fusha të ndryshme. Ne jemi investitori i dytë më i madh në Shqipëri. Gjithmonë e më tepër ne e gjejmë veten në fusha të ndryshme si turizmi. Kemi bashkëpunim të mirë edhe në luftën kundër radikalizimit dhe ISIS. Holanda mbështet perspektivën e Shqipërisë në BE”.

Fluturime low cost Tiranë-Amsterdam

Duke filluar nga muaji i ardhshëm do të ketë fluturime low cost tre herë në javë drejt Amsterdamit. Lajmi u bë i ditur dje nga vetë ministri i Jashtëm i Holandës. “Në muajin maj do të ketë fluturime direkte Tiranë-Amsterdam. Ne e mbështetin perspektivën europiane të Shqipërisë. Përshëndetim angazhimin e qeverisë shqiptare në realizimin e reformave në fushën e drejtësisë ka ardhur koha që të gjithë këto reforma të fillojnë realizimin. Mendoj se edhe zgjedhjet në vijim janë të rëndësishme. Janë një çështje e brendshme dhe nuk dua të përfshihem, por theksoj se është e rëndësishme të ketë dialog politik”, tha ministri holandez.

Artikulli paraprakNjë ndeshje e madhe
Artikulli tjetërInjorimi i drogës, ndëshkim për vendin