HIV/AIDS, 1 në 10 persona në BE është pozitiv dhe nuk e di

Një në 10 qytetarë europianë është HIV pozitiv dhe nuk e di dhe kjo çon në përhapjen e vazhdueshme të HIV/AIDS.

Ky është alarmi i ngritur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) duke komentuar të dhënat e raportit të publikuar së bashku me OBSH-në Evropë në kuadër të Ditës Botërore të SIDA-s, më 1 dhjetor.

“Më shumë se një në 10 persona që jetojnë me HIV në Bashkimin Evropian/Zonën Ekonomike Evropiane janë ende të pavetëdijshëm për statusin e tyre, gjë që kontribuon në diagnozat e vona që po shohim, rezultate më të dobëta në trajtim dhe përhapje të vazhdueshme të HIV-it”, shprehet drejtori i ECDC Andrea Ammon.

Rritja e diagnozave të HIV e regjistruar vitin e kaluar, e barabartë me +4.2% në rajonin evropian, është provë se po shkojmë në drejtimin e duhur, thekson Ammon.

Në vitin 2022, 110.486 diagnoza HIV u regjistruan në rajonin evropian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga të cilat 22.995 në Bashkimin Evropian/Zonën Ekonomike Evropiane, gjë që e çoi numrin total të njerëzve që dihet se ishin pozitivë për virusin HIV në mbi 2.4 milionë.

Përmirësimi i aksesit në testim ka rezultuar në një rritje të diagnozave të HIV-it prej +4.2%, ku 37 nga 49 vende raportojnë numra në rritje dhe disa vende raportojnë shifrat më të larta të regjistruara ndonjëherë në një vit të vetëm, del nga raporti i publikuar nga OBSH Europe dhe ECDC.

Ndër faktorët që kontribuan në rritjen e diagnozave të HIV-it në vitin 2022, OBSH Europe dhe ECDC përmendin rifillimin e aktiviteteve normale të testimit pas pandemisë Covid-19, shërbimet e zgjeruara dhe të synuara të testimit dhe zbatimin e strategjive të reja të testeve.

Megjithatë, ndonëse është bërë progres në luftën kundër HIV në rajonin europian, për autoritetet shëndetësore, sfida të rëndësishme mbeten në identifikimin dhe trajtimin e rasteve, si dhe në parandalimin e infeksionit në radhë të parë.

Artikulli paraprakShëndetësia, Shqipëria e fundit në rajon/ Eurostat: Shpenzimet sa 3.1% e PBB-së, mesatarja e BE-së rreth 8.5%
Artikulli tjetërFinancimet për kontratat koncesionare në shëndetësi u rritën me 127 për qind, në spitale të mbyllet dera, ku shkojnë paratë e shqiptarëve