Historia e vërtetë e Traktatit të Maastricht

Versioni i Gianni De Michelis

Në origjinën e Traktatit për Bashkimin Europian është nevoja për ta kalëruar Gjermaninë në strukturat komunitare. Shkëmbimi është midis bashkimit gjerman me ritëm të përshpejtuar dhe europeizimit të dojçmarkës. Kur Andreotti dogji planet e Mitterrand.

Për Maastricht kanë lulëzuar tashmë shumë legjenda, që bëjnë të humbasë kuptimi i vërtetë i atij projekti të destinuar që t’i ndryshojë fytyrën Europës. Prandaj është e nevojshme që të rindërtohet në mënyrë kritike historia e Traktatit për Bashkimin Europian, edhe për të kuptuar se çfarë pasojash do të të ketë për të ardhmen tonë, si edhe për t’u bërë të qartë të gjithëve se nëse Maastricht do të dështonte, nuk do të kemi të bëjmë vetëm me një tërheqje të pjesshme: e gjithë ngrehina europiane do të kërcënonte të shembej, me efekte që nuk do të doja as t’i imagjinoja. Për këtë qëllim do të doja të përcillja këtu kontributin e dëshmisë time, si përgjegjës i politikës së jashtme italiane në vitet vendimtare (1989 – 1992) për konceptimin dhe përkufizimin e Traktatit të Maastricht.

Raketa e Delors
Zemra e Traktatit të Maastricht është padyshim monedha unike europiane. Ideja e Delors, kur më 1984 bëhet President i Komisionit Europian, është që ta përdorë monedhën unike si instrument për integrimin politik europian. Delors përmbys arësyetimin e Altiero Spinelli: ndërsa federalistët klasikë synonin gjithçka mbi konstruksionin politik – me rezultatin e shpërthimit të zjarrit sulmues të shteteve kombëtare – Delors konsideron se mënyra më e mirë për ta afruar integrimin politik është thellimi dhe bërja e pakthyeshme e integrimit ekonomik e monetar. Nëse Spinelli ishte maksimalist, Delors duket si minimalist, pasi niset nga poshtë, i paraqet përparimet në procesin integrues si krejtësisht të Tregut të Përbashkët. Por objektivi është dhe mbetet identik: Europa e bashkuar. Në fakt, Delors e koncepton projektin e integrimit europian si një raketë me tri stade, çdonjëri prej të cilëve shpreh shtytjen e mjaftueshme për të kaluar në të mëtejshmin. I pari, Akti Unik (1986), me krijimin pasues e Tregut të Përbashkët; i dyti, monedha unike, e sanksionuar nga Traktati i Maastricht (firmoosur më 11 dhjetor 1991), për t’u realizuar me etapa brenda 1999; i treti, integrimi politik europian, me konfigurimin institucional ende për t’u përcaktuar, por i vendosur deridiku në mes midis federalizmit dhe konfederalizmit. Domethënë një proces pastërtisht politik, që paraqitet si i futur në në një logjikë ekonomistike që t’u rezistojë më mirë sulmeve të kundërshtarëve të integrimit.

Kur projekti i bashkimit monetar i paraqitet samitit europian të Madridit (qershor 1989), zonja Thetcher zbulon lojën e Delors dhe ndez zjarrin e sulmit, i të cilit vetë ajo do t’i jetë viktima e parë. Nga ana tjetër, tashmë direktiva mbi qarkullimin e lirë të kapitaleve, e miratuar në Hannover në qershorin e 1988, implikonte tejkalimin e Sistemit Monetar Europian dhe mbikombëtarizimin e politikës monetare. Përveçse nga anglezët, objeksione ngrihen edhe nga vende të vogla si Danimarka e Portugalia, ndërsa Franca, Italia dhe Gjermania udhëheqin frontin e “po”-së. Në këtë moment, mbajeni mirë parasysh, Delors flet vetëm për bashkim ekonomik e monetar dhe jo për bashkim politik, por është e qartë për të gjithë se bërja e përbashkët e një prej simboleve të sovranitetit – monedhës – do të nënkuptonte një hap pothuajse të pakthyeshëm drejt Europës politike. Në këtë pikë, askush nuk e di nëse objeksionet e antieuropeistëve apo të skeptikëve do të mund të tejkalohen.

Shkëmbimi gjeopolitik
Skenari ndryshon krejtësisht në semstrin e mëpasëm. Rënia e Murit të Berlinit prish ekuilibrat botërorë. Qysh në samitin e jashtëzakonshëm të Parisit (nëntor 1989) ravijëzohet ai që do të jetë shkëmbimi gjeopolitik implicit në Traktatin e Maastricht: Europa i hap dritën jeshile Gjermanisë për ribashkimin në afate të shpejta, duke siguruar në shpërblim europeizimin e dojçmarkës. Faktikisht monedha unike (më pas e quajtur euro) do të jetë dojçmarka – askush nuk ka interes që të vlejë më pak – me diferencën se ai që do e qeverisë nuk do të jetë Bundesbanku, i përbërë vetëm nga gjermanë, por Banka Europiane, në këshillin administrativ të së cilës gjermanët do të jenë vetëm një komponent. Në atë kohë, askush nuk e thotë publikisht, por midis nesh është paqësore që ky është posti në lojë. Pa e kuptuar, është e pamundur të rindërtohet historia e vërtetë e Maastricht, sidomos nëse nuk mund t’i shikohen implikimet gjeopolitike.

Nga nëntori i 1989 e deri në natën e dhjetorit të 1991, kur në qytezën hollandeze të Maastricht miratuam Traktatin, çështja gjermane dominon mendimet dhe negociatat tona. Çështja është shumë e qartë: ose Gjermania mbetet në Perëndim edhe pasi anekson REDGJ, ose rrëshqet drejt qendrës dhe lëkundet frikshëm midis nesh dhe Rusisë. Ne fund, Gjermania pranon të integrohet më ngushtësisht në Europë, duke hequr dorë deri nga sovraniteti ndaj dojçmarkës brenda një date të fiksuar (1 janar 1999), boll që të garantojë mbështetjen e partnerëve për ribashkimin. Në këtë pikë, shpesh e anashkaluar, do të doja të nënvizoja edhe pse traktativa e vërtetë zhvillohej e fshehtë, e rrethuar nga sekreti më absolut: ribashkimi gjerman nuk do të kishte qenë i mundur pa konsensusin e Europës. Kështu që nuk është e vërtetë se loja me Gjermaninë është luajtur vetëm nga Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara, me shtojcën e dy fuqive të tjera fituese të Luftës së Dytë Botërore, Francës dhe Gjermanisë. Nuk është e vërtetë as edhe se amerikanët mëshuan që të përfundohej sa më shpejt bashkimi. Jo, të vetmit që kishin ngut qenë gjermanët, të cilët e dinin shumë mirë se ne europianët mund t’i ndalonim. Aq më pak, mund t’ua vononim bashkimin. Për fat, kemi qenë aq inteligjentë sa ta përdorim pushtetin tonë kontraktues në mënyrë konstruktive.

I bekuar qe oxhaku
Kam një kujtim personal mjaft të gjallë që mund ta ilustrojë betejën e shurdhër midis Kohl dhe liderëve të tjerë europianë, e zhvilluar prapa kuintave, por për këtë jo më pak eksplicite. Në nëntorin e 1989, me ftesë të Miterrand, liderët e të 12-ëve u ndodhën në Elize për të diskutuar pasojat e rënies së Murit. Duhej të ishte vetëm një takim fasadë, një demonstrim i unitetit të të 12-ëve në një fazë kaq të trazuar, pas asnjë impenjim lidhur me favorizimin e bashkimit gjerman. Gjatë darkës, Kohl ilustroi atë që do të ishte më pas plani i tij 10 pikësh për bashkimin, por që lëviz akoma brenda kornizës së një konfederate të dy shteteve gjermane. Pas darke, u mblodhëm rreth oxhakut për një kafe. Mitterrand në qendër, rreth tij 12 krerët e shteteve apo të qeverive të vendosur në formë gjysmërrethi, pastaj një radhë e dytë me ministrat e Jashtëm. Unë jam i ulur prapa shpatullave të Andreotti dhe Kohl. Mitterrand flet dhe lë menjëherë të kuptohet se për të çështja e bashkimit gjerman është një eventualitet historik, për t’u shqyrtuar në një të ardhme mjaft të papërcaktuar. Në të njëjtin ton ndërhyrjet e të tjerëve, nga Gonzalez tek Thatcher. Kohl skuqet gjithnjë e më shumë nga zemërimi dhe, kur i vjen radha atij, duket se thuajse po shpërthen në të qara. Thelbi i ndërhyrjes së tij është ky: ju nuk mund të më bëni të kthehem në Bon, tek populli im, pa një mesazh të qartë mbështetjeje të Europës për ribashkimin gjerman. Është shumë i emocionuar sepse kupton që po rrezikon të kthehet duarbosh.

Unë e di se pas Kohl i takon Andreotti. Atëhere, nga karrigia ku isha ulur, përkulem drejt tij dhe i pëshpëris në vesh: «President, tani të gjithë presin nga ty dorën e fundit. E dinë shumë mirë se çfarë mendon për bashkimin gjerman (për saktësi, Andreotti vinte nga një mbledhje e NATO ku kishte pasur një përplasje mjaft të fortë me Kohl, shënimi im.). Por këtu ke një rast të papërsëritshëm. Këtu nuk duhet kapur pas ideve tuaja, por pas politikës. Pikërisht pse të të gjithë e dinë sesi e mendon, nëse ti i hap një spirale Kohl, fjalët e tua do të vlejnë dyfish. Unë dhe Fagiolo (diplomat, në atë kohë këshilltar i ngushtë i De Michelis) kemi përgatitur një shprehje të vockël për ta fiksuar pozicionin italian. Me të gjitha maturitë diplomatike, kjë shprehje e vockël deklaron se Europa uron dhe promovon bashkimin e Gjermanisë. Asgjë definitive, por është pikërisht kjo ajo për të cilën Kohl ka nevojë të tejkalojë ngërçin».

Andreotti e kap fluturimthi idenë dhe e lexon shprehjen, e pavdekësuar më pas në komunikatën finale. Të tjerët janë kapur gafil. Në rast se Andreotti, që dihej se e donte Gjermaninë aq shumë sa do të donte dy prej tyre, i jep dritën jeshile Kohl, është e vështirë të mos mbahej parasysh. Papritmas ngërçi është tejkaluar dhe mbledhja mbyllet me një mbështetje eksplicite të Komunitetit ndaj idesë së ribashkimit gjerman. Besoj se Kohl nuk e ka harruar këtë moment dhe se raporti ynë i mirë me gjermanët lind edhe nga aty.

Fundjavë në Argentario
Është nga atëhere që nis të konceptohet kompromisi midis Gjermanisë dhe Europës, që e ndryshon krejtësisht logjikën fillestare e Maastricht. Monedha unike nuk mjafton më, i duhet shtuar pjesa politike, pasi Gjermania duhet të integrohet gjithnjë e më ngushtë në Europë. Është një pasojë e pashmangshme e përmbysjes së ekuilibrave ndërkombëtarë. Një Gjermani më e madhe, e çliruar nga kufizimet që buronin nga humbja e nazizmit, do të rrezikonte të çekuilibronte ndërtimin europian. E kujtoj akoma përshtypjen që do t’u krijojë të gjithëve, edhe amerikanëve, takimi Kohl – Gorbaçiov i korrikut 1990 në Kaukaz, kur Kancelari gjerman duket së bën traktativa si i barabartë me superfuqinë sovjetike dhe u paraqitet rusëve me një çek të majmë dhe u zhvat atyre “po”-në për Gjermaninë e bashkuar e gjitha në NATO. Ka mbaruar Bundesrepublika e Bonit, fillon ajo e Berlinit. Për këtë Delors dhe ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm, përderisa shpejtojmë hapin dhe e modifikojmë thelbësisht strategjinë.

Më 11 shkurt të 1990, gjatë samitit të KSBE në Otava, konceptohet negociata 2+4 (të dy Gjermanitë, plus katër fuqitë fituese) lidhur me bashkimin gjerman. Kam një përplasje me Genscher, që sokëllin: «Ju italianët jeni jashtë loje!». Sigurisht, jemi jashtë nga 2+4, por ama jemi brenda dhe bile me nje rol të rëndësishëm (nga 1 korriku Italia është presidente e KEE) në negociatën paralele që duhet të fusë RDGJ brenda komunitetit europian. Një gjë për të cilën gjermanët kanë absolutisht nevojë dhe që i jep Europës, por edhe ne italianëve, një peshë të konsiderueshme kontraktuese. Bëhet fjalë për të sjellë me një negociatë ndër më të shpejtat e në historinë e një vendi me 16 milion banorë brenda një Komuniteti që i janë dashur 7 vite traktativa për të inkorporuar Spanjën dhe Portugalinë, gjithsesi vende të shndërruara tsshmë në demokratike. Mrekullia arrihet midis qershorit dhe shtatorit të 1990.

Ndoshta jo të gjithë e kujtojnë se për një ditë të vetme, më 30 shtator 1990, ne kemi qenë një Komunitet prej 13 anëtarësh, duke pranuar hyrjen e Gjermanisë Lindore si entitet strukturor i veçantë. Duhet kujtuar se akoma në fillimin e 1990, vitit të bashkimit gjerman (1 tetor), shumë nuk e besojnë se procesi do të jetë kaq i shpejtë. Por qysh në shkurtin e 1990, gjatë samitit të Otavës, unë hedh në një copë letër dy rrugëtimet e mundshme e bashkimit, prej të cilëve më i shpejti parashikon përfundimin brenda 6 muajve (dy më pak prej atyre më pas të nevojshëm). Kuptojmë se përderisa Kohl i duhet të përballet me zgjedhje në tetor, ai ka interes jetik që të shkojë në to me një Gjermani të bashkuar. Kështu që shtyn për një bashkim sa më të shpejtë. Ne italianët jemi të zgjuar sa ta kuptojmë se koha nuk pret. Duhet përfshirë Gjermania e re në Europë përpara se gjermanët të ribashkohen dhe të bëjnë ligjin.

Trenit që do të çojë në Maastricht i duhet të ecë shumë shpejt dhe të sjellë njëkohësisht zgjerimin (fillimisht Gjermaninë Lindore, pas 2000 shtete të tjera të ish bllokut sovjetik) dhe thellimin. Zgjerim duke e lënë europën siç është nënkupton ta shkatërrosh. Do të thotë të hedhësh farërat e shpërbërjes dhe të lësh që të kalben institucionet e përbashkëta dhe shtetet tona. Për këtë jemi dakord me Delors dhe me partnerët e tjerë, duke filluar nga vetë gjermanët. Aq sa qysh më 20 prill, në samitin e Dublinit, për herë të parë miratohet një dokument zyrtar i Këshillit të Ministrave të Europës që flet për bashkim politik. Fillon të ravijëzohet edhe nevoja e një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Anglezët, që bile do të donin t’i jepej përparësi zgjerimit të Europës, nuk mund të kundërvihen dhe kufizohen në disa përjashtime dhe rezerva në thelb.

Është momenti që të fillohet ofensiva finale. Delors, President i Komisionit, dhe unë, që në atë moment kryesoja Këshillin e Ministrave të Jashtëm europianë, jemi në unison të plotë. Lind ideja e mbylljes në konklavë e neve të dyve vetëm me këshilltarët më të ngushtë për të konceptuar një bocë të parë të elementëve të parë të mundshëm të atij që më pas do të bëhej Traktati i Maastricht. E bëmë në fillim të shtatorit, në fshehtësinë më të madhe. Në këtë fazë të parë gjermanët nuk përfshihen fare. Në fundjavën e kaluar në Hotel “Il Pellicano” të Argentario arrijmë të biem dakord për një kanovaço që përkufizon sidomos renditjen e argumentave për t’u diskutuar dhe zgjidhjet maksimale për t’u propozuar, në kuadër të negociatave lidhur me bashkimin politik. Një ide mjaft besnike e rezultatit të Argentario mund të krijohet po të lexosh tekstin e dokumentit që presidenca italiane qarkulloi disa javë më pas (në nëntor), rezultati më domethënës, i konfirmuar më pas në Maastricht, përfaqësohet nga indikacioni për një impiant institucional në mes të rrugës midis federalizmit (i dashur sidomos për Hollandën e Belgjikën) dhe konfederalizmit (preferenca jonë) për Europën e së ardhmes.

Tani lexoj se Delors e kritikon atë politikë të përbashkët mbrojtjeje dhe të sigurisë që është padyshim pika e dobët e Maastricht, ama askush si ai nuk i njeh aq mirë rezistencat që hasëm në negociatat e periudhës 1991 – 1992 dhe, për pasojë arësyet që na shtynë të pranojmë një kompromis, pjesërisht jo i kënaqshëm, me qëllim parasëgjithash inkasimin e hapjes së kreditit që kishim kundrejt Gjermanisë. E kuptoj se sot Delors, për arësye subjektive, është zvjerdhur paksa me Maastricht, por në atë kohë qemë të gjithë dakord me të gjitha çështjet thelbësore.

Carli dhe parametrat
Në muajt e fundit të negociatave, në zhvillim gjatë 1991, forcohet krahu i hekurt me gjermanët lidhur me bashkimin monetar. Pikat e Kohl janë parametrat e konvergjencës dhe pavarësia e Bankës Europiane, sidomos si garanci e stabilitetit të çmimeve. Është e qartë se monedha europiane nuk mund të bëjë pa një nivel konvergjence midis politikave ekonomike të shteteve anëtare. Por Carli, Ministri ynë i Thesarit, lufton me forcë kundër një interpretimi ideologjik të parametrave. «Nuk ka nura magjikë, për të cilat 3.1 është i keq dhe 2.9 i mirë», u përsërit ai gjermanëve. Nuk është rastësi që të katër parametrat për të cilat diskutohet kaq shumë në media nuk janë përfshirë në tekstin e Traktatit, por janë vendosur në një protokoll shtesë. Kjo do të thotë se organet e Bashkimit mund t’i interpretojnë pa u dashur që kjo të sjellë një modifikim të Traktatit dhe, për pasojë, nevojën e kalimit për një ratifikim nga ana e parlamenteve kombëtare. Kriteri i vetëm i ngurtë, mbi të cilin marrëveshja është e përgjithshme, është ajo që ia rezervon hyrjen në fazën e tretë e bashkimit monetar vetëm vendeve që e kanë ruajtur të qëndrueshëm për të paktën 2 vjet raportin e këmbimit e monedhës së tyre me monedhat e tjera europiane.

Atëhere, Carli dhe unë qemë të bindur se Italia mund të hynte menjëherë në grupin e vendeve që do të kishin të parët monedhën unike. Me pak fjalë, nuk ka asnjë tentativë për ta përjashtuar apriori askënd, aq më pak Italinë. Me që ra fjala, deri në fund ka një tentativë gjermane për ta bërë jodetyrues vendimin lidhur me monedhën unike. Në versionet përgatitore të Traktatit lihet e hapur mundësia për të ndryshuar ide në momentin e fundit. Por, me iniciativën tonë, në tekstin final kalon në fakt norma detyruese që i impenjon të gjithë ta bëjnë monedhën unike duke filluar nga 1 janari i 1999. Ky aspekt anashkalohet sot, por është themelor. Në rast se dikush, të themi Gjermania, nuk do të donte më ta bënte monedhën unike, atëhere do të duhej ta refuzonte Traktatin e Maastricht, do të duhej ta hidhte në erë Bashkimin Europian. Dhe do të ndodhte më pak shkëmbimi, për të cilin Kohl ka qenë gjithmonë i vetëdijshëm, midis bashkimit gjerman dhe europeizimit të Gjermanisë.

Në sprovën e Jugosllavisë
Marrëveshja e Maastricht u nënshkrua pak ditë përpara se Gjermania, duke shkelur rregullat e lojës, i imponon partnerëve të saj njohjen e përshpejtuar e Sllovenisë dhe Kroacisë. Mund të spekulohet gjatë lidhur me arësyet që shtynë Kohl dhe Genscher ta braktisnin linjën e maturisë që vetë ata kishin mbështetur fillimisht, dakord me ne europianët, me amerikanët dhe me sovjetikët. Është një goditje e rëndë për Europën. Por nuk është e vërtetë, siç thekson dikush, se gjermanët na shantazhuan, duke kërcënuar se do ta hidhnin në erë Maastricht në rast se nuk do t’i njihnim dy republikat e shkëputura ish jugosllave. Mbledhja vendimtare u zhvillua në Bruksel natën e 13 dhjetorit 1991, domethënë dy ditë pas nënshkrimit të Traktatit. Genscher njofton se Gjermania do ta njohë gjithsesi Slloveninë dhe Kroacinë brenda Krishtlindjeve, siç ishte njoftuar publikisht disa ditë më parë nga Kancelari Kohl.

Duke qenë se kam marrë pjesë në këtë mbledhje, kujtoj se përshtypja ime ishte se francezë e gjermanë qenë dakord për të mos qenë dakord. Genscher dhe Dumas bëjnë lojën e palëve, por në realitet francezët nuk kanë asnjë qëllim që t’i bllokojnë gjermanët. Duan të mbajnë një pozicion fasade, në homazh të opinionit publik, por sigurisht që nuk luftojnë fort kundër njohjeve.

Van den Broek, Presidenti i radhës, dhe unë në emër të Italisë kërkojmë që të pajtojmë një pozicion të përbashkët, për të shmangur që Europa të përçahet në provën e parë të madhe. Dhe ia arritëm. Veç të tjerash, duke e shtyrë me 4 javë njohjen europiane e Sllovenisë dhe Kroacisë i japim Vance, ndërmjetësuesit të Kombeve të Bashkuara, kohën e nevojshme për ta çaktivizuar minën e territoreve kroate të mbajtura nga serbët në Krajinë. Kompromisi i vendosur nga ne për Tuxhmanin e detyron që të ngrijë për vite një situatë që shikon një të tretën e territorit të tij në duart serbe, në këmbim të njohjes, veç të tjerash, e kushtëzuar. Në mbledhjen e asaj nate unë shpjegoj se mos gjetja e një pozicioni të përbashkët do të ishte vendimtare për Europën. Në rast mosmarrëveshjeje, çfarë do të kishte ndodhur në fakt? Gjermania, Belgjika, Danimarka dhe ndoshta Italia do t’i njihnin të dy republikat, ndërsa të tjerët do të rrinin të shikonin, duke sanksionuar një çarje vertikale midis të 12-ëve dhe duke u mundësuar palëve të ndryshme ish jugosllave që të ndesheshin njëri me tjetrin. Maastricht do të vdiste dy ditë pas lindjes.

Më e mira e Europave të mundshme
Është e lehtë ta kritikosh Maastricht tani. Ama cila ishte alternativa? Ne vendimmarrësit nuk lëvizim në një hapësirë abstrakte. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, të llogarisim koston dhe fitimet e opsioneve të ndryshme. Mbetem i bindur se Traktati i Maastricht, me të gjitha difektet e tij, ishte zgjidhja më e mirë e mundshme me rishfaqjen e papritur të çështjes gjermane. Më shpërbërjen e perandorisë sovjetike ne ndodheshim në një udhëkryq. Një rrugë na kthente prapa në ‘800, në logjikën e ekuilibrit të forcave. Tjetra, rruga e integrimit, na projektonte drejt viteve 2000. Kemi zgjedhur këtë rrugë të dytë, ndoshta më e vështirë, sigurisht më ambicioze. Shkëmbimi gjeopolitik midis bashkimit gjerman dhe integrimit të ngushtë të Gjermanisë në Europë, sanksionuar nga europeizimi i dojçmarkës, ishte opsioni i vetëm realist dhe koherent me interesat tona.

Do të duhej ndoshta ta kishim ngadalësuar bashkimin gjerman? Më duket rriskuese ta mbështes. Opinioni publik nuk do ta kishte kuptuar. Veç kësaj, do të kishte qenë shumë e rrezikshme për ruajtjen e paqes. Konkretisht: çfarë do të kishte ndodhur nëse në momentin e tentativës për grusht shteti në Bashkimin Sovjetik, në gushtin e 1991, Gjermania të kishte qenë akoma e ndarë, me qindramijëra ushtarë sovjetikë të gatshëm për të ndërhyrë? Kujtoj se të hënën 19 gusht isha në Jugosllavi, në Liqenin e Ohrit, për një takim me Kryeministrin Markoviç, i cili më tha: «Sonte në mbrëmje më duhet të kthehem në Beograd. Në rast se grushti i shtetit në Bashkimin Sovjetik del me sukses, atëhere mua do më pushkatojnë…». Një tjetër shembull: Lufta e Gjirit në fillimin e 1991. Sikur të mos e kishim zgjidhur çështjen gjermane në kohë, vështirë se do të kishim ndërtuar atë front kompakt, përfshi në një masë të madhe vetë sovjetikët, që çliroi Kuvajtin dhe pengoi një zgjerim të konfilktit në të gjithë Lindjen e Mesme, duke vënë në rrezik deri ekzistencën e Izraelit.

Suksesi i Maastricht dhe, për pasojë, rregullimi përfundimtar i çështjes gjermane do të vendoset në vitet e ardhshme, kur do të bëhet fjalë për ta përfunduar bashkimin monetar, për të vazhduar më pas, drejt një integrimi më të ngushtë politik pa të cilin zgjerimi në lindje do të ishte një katastrofë. Bashkimi europian është proces. Për ta zhvilluar integrimi ne duhet të përcaktojmë procedura, të cilat nga ana e tyre, duke u zbatuar, krijojnë vijueshmërinë dhe kanë një efekt vetëforcues. Unë besoj se me Maastricht ne kemi vënë në lëvizje një mekanizëm që e bën për shumicën e gjermanëve më komode të qëndrojë brenda Europës sesa të tentojë aventura të reja vetmitare. Rrugëdalja nga procesi i integrimit europian është shumë më e kushtueshme për Gjermaninë. Mjafton kjo konsideratë, besoj, për ta vlerësuar rëndësinë historike këtij Traktati, që herët a vonë do të duhet të përfundojë në integrimin politik e kontinentit tonë.
(nga Limes Nr. 3 i vitit 1996)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprak8 Dhjetori është ftesa për të qëndruar dhe për tu kthyer në atdhe
Artikulli tjetër17 të vdekur dhe mbi 800 të infektuar çdo ditë nga Covid-19, zëvendësministrja: Eshtë situatë e qëndrueshme…