Historia e pazakontë e familjes që u arratis nga Koreja e Veriut: I droguam fëmijët dhe i fshehëm në thasë gruri

Media britanike, BBC, ka sjellë një histori të pazakontë, të një burri që u arratis nga regjimi totalitar i Koresë së Veriut në atë të Jugut, së bashku me familjen e vet.

Z. Kim, siç e quan ai veten, u arratis nga deti, gjatë një nate të stuhishme, duke zgjedhur qëllimisht motin e keq për të zvogëluar shanset e tyre për t’u dalluar nga patrullat. Ai u largua me gruan shtatzënë, nënën, familjen e vëllait dhe hirin e babait të tyre.

Gjatë arratisjes, fëmijët e vëllait të tij po flinin sepse u kishin dhënë pilula gjumi. Për të arritur në det, ata duhej të kalonin një fushë të minuar dhe të shmangnin dritat e kërkimit nga rojet. Pasi hipën në barkë, fshehën fëmijët në thasë gruri të vjetër dhe u nisën për në Korenë e Jugut – burrat e armatosur me shpata, gratë me shishe me helm. Një gabim, dhe ata do të përfundonin në skuadrën e pushkatimit.

Duke folur për jetën në Korenë e Veriut, zoti Kim tha se “kemi vuajtur shumë” dhe se veçanërisht në ditët e para të pandemisë, “ishim të tmerruar”. Aty ku kishte dyshim për korrupsion, banorëve iu ndaloheshin furnizimet minimale ushqimore dhe çoheshin deri në vdekje nga uria. “Pasi kishin kaluar një periudhë urie, qeveria do të shfaqej me furnizime ushqimore, të cilat pretendonte t’i shiste lirë, në mënyrë që njerëzit ta uronin, si shpëtimtaren e fëmijëve”.

Siç e sheh ai sot, pandemia ishte një tjetër rast për të zbatuar masat e represionit ekstrem nga qeveria, duke rritur në qiell çmimet e produkteve. “Për shtatë apo tetë vjet nuk folëm shumë për urinë, derisa filluam të dëgjojmë për raste të ndryshme. Zgjoheshe në mëngjes dhe dëgjoje: “Ah, dikush në këtë lagje ka vdekur nga uria”. Dhe të nesërmen në mëngjes, ne po mësonim diçka të re”.

Nuk ka shifra zyrtare për vdekje nga uria në Korenë e Veriut, megjithatë është fakt se në mars 2023 vendi kërkoi ndihmë nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB . Ndërsa zëdhënësi i Amnesty International Choi Jae-hoon tha se kishte dëgjuar për raste të vdekjeve nga uria nga të tjerë koreanë të veriut të arratisur nga Seul.

Kim kishte vënë re shumë herët praktikat të qeverisë së Koresë së Veriut, e cila po përpiqej të bindte botën se “çdo gjë që kishin njerëzit i përkiste shtetit. “A mendoni se oksigjeni ju takon? Epo, jo,” i kishte thënë një oficer.

Ai vetë ishte dëshmitar i publik ekzekutimit të një 22 -vjeçar, i cili u qëllua “sepse kishte dëgjuar 70 këngë nga Koreja e Jugut dhe kishte parë tre filma, të cilët i kishte ndarë me miqtë e tij”. Joanna Hosaniak, një përfaqësuese e një organizate që lufton për të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut, komentoi se “nuk i jep asaj ndonjë përshtypje” përshkrimi i këtij ekzekutimi, sipas intervistave që ajo ka marrë me qindra dezertorë brenda rreth dy dekadash.

“Fyerja” më e keqe ishte konsumimi dhe shkëmbimi i informacionit nga bota e jashtme, veçanërisht nga Koreja e Jugut. “Nëse të kapnin, do të të qëllonin, do të të vrisnin ose do të të dërgonin në një kamp pune të detyruar”.

Megjithatë, pika e fundit për zotin Kim ishte vetëvrasja e një miku, i cili për të mbledhur para të mjaftueshme për procesin e divorcit, u zhyt në borxhe dhe hyri në një kamp pune të detyruar.

Z. Kim dhe vëllai i tij, të cilët për vite me radhë operonin ilegalisht një biznes me prodhime deti, ishin detyruar të pezullonin funksionimin e tij, pasi po përballeshin me një problem të rëndë mbijetese dhe planifikuan arratisjen e familjeve të tyre për

Fakti që ata të dy jetonin në një fshat të vogël peshkimi pranë kufirit me Korenë e Jugut u dha atyre një dalje të mundshme, por jo të sigurt, nga deti. Për ta realizuar këtë, zoti Kim iu afrua rojeve kufitare dhe u shtir si mik i tyre, derisa nxori disa informacione për të pasur një pamje të mirë të lëvizjeve të tyre.

Më pak e prirur për të shpëtuar ishte gruaja e Kim, e cila megjithatë ndryshoi mendje kur mësuan se po prisnin një fëmijë. “Ti je nënë, dëshiron që ne të rrisim fëmijën tonë në këtë dreqin ?” i tha ai për ta bindur.

Artikulli paraprakSPAK “bastis” shtëpinë e prindërve të Monika Kryemadhit, sekuestron telefona dhe prova!
Artikulli tjetërEdhe pse në koma, emri i Schumacher bën para. Byzylyku nga goma e Ferrarit shitet në ankand për 30,000 euro