Hipokrizia me kërkesën për ndryshimin e sistemit

Nga Red VARAKU

Edhe amatorët e politikës e kanë të qartë që thelbi i krizës në vendin tonë nuk është asfare pasojë e sistemit, por është pasojë e drejtëpërdrejtë e lidhjes simbiotike të politikës me krimin. Sistemi politik thjesht reflekton krizën e rëndë ku e ka futur vendin kombinimi vdekjeprurës i politikës me krimin.

Ndryshimet kushtetuese, që u bënë në vitin 2008 pretendonin të parandalonin pikërisht këtë fenomen që kemi dhe sot. Përfaqësimin politik dhe marrjen peng të demokracisë nga një grup i vogël njerëzish me qëllim plaçkitjen e vendit dhe sundimin e këtij populli.

Por, këto ndryshime jo vetëm që nuk e parandaluan këtë fenomen, por u bënë shkak që ai të konsolidohej edhe më shumë. Ato sollën një deformim të rrezikshëm të demokracisë, që në çdo rast mund të shndërrohet në ekploziv që mund të na hedhë në erë të gjithëve ,nëse nuk marrim masa dhe e parandalojmë. Kjo për faktin e thjeshtë se asnjë sistem në botë, sado i sofistikuar qoftë, nuk mund ta ndalojë degradimin që sjell lidhja e politikës me krimin.

Nuk ka asnjë argument që vërteton që kriza e thellë ku ndodhet sot vendi, është për shkak të dobësisë së sistemit. Kriminalizimi i shtetit dhe kthimi i tij në një instrument të krimit të organizuar për të vjedhur zgjedhjet dhe për të plaçkitur më pas pasuritë e këtij kombi, as që ka lidhje me sistemin, por është pasojë e degradimit që i vjen çdo lloj sistemi për shkak të lidhjes me krimin.

‘Virusi’ që ka nxjerrë jashtë loje sistemin tonë do të neutralizonte çdo lloj sistemi, madje edhe ata më të konsoliduarit. Ai është i paparashikueshëm dhe i pakontrollueshëm.

As konstitucionalistët më në zë në të gjithë botën nuk mund ta parashikojnë këtë që ka ndodhur në vendin tonë. Që politika të bëjë aleancë me krimin për të sunduar qytetarët e saj, është thjesht e paimagjinueshme, madje është kriminale.

Pra, është fare naive të mendohet që fenomeni më i rrezikshëm që po vuan sistemi aktual, që është rrënimi i demokracisë për shkak të asgjësimit të procesit politik, nëpërmjet bashkëpunimit me krimin, infiltrimit të krimit dhe kasnecëve të tij në nivele të larta të qeverisjes, mund ndalohet përmes ndërrimit të sistemit. Ky mutacion politik mund të ndalohet vetëm përmes shkatërrimit të kësaj aleance të rrezikshme, e cila ka krijuar këtë përbindësh, që po na rrënon të gjithëve.

Nëse nuk e ndërpresim këtë aleancë, edhe një sistem zgjedhor perfekt do të sillte të njējtin produkt, të njëjtin përbindësh. Vetëm pasi ta asgjësojmë këtë përbindësh, do të kemi mundësi të mendojmë për masat parandaluese që duhet të ndërmarrim në mënyrë që të kemi imunitet ndaj viruseve të tilla shkatërruese.

Ndaj, çdo kërkesë për ndryshim sistemi, sidomos kur vjen me mbështetjen e atyre që deri tani kanë qenë veglat më të diskretituara të pushtetit, është më së paku injorancë e pafajshme, në mos është një përpjekje dinake për të devijuar thelbin e debatit politik në këto momente shumë të vështira që po kalon vendi.

Artikulli paraprakShqipëria merr kryesimin e OSBE, reagon Berisha: Kësaj i thonë Kallam diplomaci dhe minak injorance!
Artikulli tjetërErjon Veliaj duhej të ishte sot para drejtësisë!