Hidhet në erë me tritol makina e biznesmenit

Makina e një biznesmeni kromi në Bulqizë është hedhur në erë me tritol. Pak javë nga djegia e automjetit, biznesmeni i kromit Faik Dedja merr një tjetër paralajmërim. Makina tjetër e tij, një “Audi” Q7 e parkuar pranë banesës u hodh në erë mëngjesin e së hënës në fshatin Fushë- Bulqizë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:40 minuta pas mesnate. Shpërthimi shkaktoi dëme në pjesën e pasme të automjetit dhe panik tek familjarët dhe banorët e zonës. Policia konstatoi se vatra e shpërthimit ishte në pjesën e pasme të makinës, ku besohet se ishte vendosur një sasi prej rreth 200 gr lëndë eksplozive. Në vendngjarje shkuan ekspertët xhenierë nga Tirana për të përcaktuar llojin e lëndës shpërthyese.
Lënda eksplozive e tipit tritol ishte e vendosur në pjesën e pasme të mjetit të biznesmenit, i cili ka pësuar dëmtime të madhe. Siç mësohet nga burime të besueshme, biznesmeni që është dhe administrator i një galerie kromi, nuk është për herë të parë nën shënjestrën e atentatorëve. Atij i është djegur dhe një veturë një javë më parë, për të cilin policia po vijonte hetimet.
Sipas burimeve, mësohet se deri më sot, nuk është zbuluar ndonjë konflikt biznesmenit në fjalë, i cili nuk ka dhe precendet penalë. Prandaj, policia ka shtrirë hetimet tek familjarët dhe dyshimet paraprake janë se djali i tij, i cili ka precendent dhe se ka dëshmuar se ka marrë disa kërcënime, mund të jetë shkaku i ngjarjeve të fundit.
Vetë biznesmeni i kromit, Faik Dedja u tha hetuesve se nuk kishte konflikte dhe se nuk është kërcënuar nga persona të tjerë. Për djegien e makinës pak javë më parë 54-vjeçari kishte pohuar se automjeti i kishte marrë flakë në ecje. Dedja nuk rezulton të ketë rekorde kriminale. Policia po heton në pistën e konflikteve për shkak të konkurrencës, por nuk përjashton edhe çështje që lidhen me familjarët e tij.

Artikulli paraprakDigjet makina e oficerit të Policisë së Krujës
Artikulli tjetërVdes pas operacionit 18-vjeçarja, familjarët akuzojnë mjekët