Hetuesit: 20-vjeçari italian nuk u vra nga shqiptarë

Emanuele Morganti, 20-vjeçari italian i cili ndërroi jetë nga plagët e rënda në kokë pas një sherri me bashkëmoshatarët, nuk është vrarë nga të rinjtë shqiptarë. Policia italiane ka arrestuar orët e fundit dy të rinj italianë, gjysmë-vëllezër, që sipas hetuesve kanë luajtur një rol kyç në vrasjen barbare të tij. Shkon kështu në 9 numri i të arrestuarve për ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në një pab në Altari, në rajonin e Lacios.
Fillimisht u dyshua se italiani ishte qëlluar për vdekje nga dy shqiptarë, me të cilët ishte përfshirë në sherr për të mbrojtur të dashurën që ata e kishin ngacmuar. Por pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, hetuesit thanë se 20-vjeçari Morganti ishte konfliktuar me një grup prej disa personash, me të cilët rezulton të ketë patur konflikte të mëparshme. Kanë qenë italianë ata që e kishin goditur me hekur në kokë. Në grupin e të rinjve italianë ishin vetëm 3 shqiptarë, të cilët nuk ishin shkak i sherrit sikurse u tha fillimisht.
Bujë bëri dëshmia e të dashurës së Emanuelit, Keti Lisi, e cila ishte dëshmitare e ngjarjes. Hetuesve ajo u tha se dyshonte se ishin shqiptarë agresorët e tij, çka tani rezulton të ketë qenë e pavërtetë. Emanuele Morganti ndërroi jetë në spital pas dy ditësh në koma, për shkak të plagëve që agresorët i kishin shkaktuar, duke e goditur me hekur në kokë.

Artikulli paraprakDisfatë e De Biazit
Artikulli tjetërAksidentet me vdekje, Shqipëria shifra rekord në krahasim me BE-në