Hetim tërheqjes masive të parave nga bankat në maj

Një tërheqje masive parash nga bankat në periudhën parazgjedhore, konkretisht gjatë muajit maj, ka ngritur dyshimet për përdorimin e tyre për favorizimin dhe financimin e subjekteve të caktuara politike gjatë fushatës zgjedhore. E njohur tashmë si një nga fenomenet që gjithnjë minon standardet e zgjedhjeve, tërheqja masive e këtyre parave mund të shkojë për blerjen e votave të qytetarëve dhe tjetërsimin e vullnetit të tyre. Në kushtet kur ka informacione të shumta krahas dhe të dhënave zyrtare të tërheqjeve të mëdha nga bankat, zv.kryeministrja Ledina Mandija ka vendosur të mbikëqyrë jo vetëm rreptësisht rastin, por edhe ta hetojë atë. Dje, zv.kryeministrja Mandija është shprehur se të gjitha tërheqjet e parave cash nga bankat e nivelit të dytë duke filluar nga muaji maj 2017 do të kalojnë në sitën e Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Mandija është kryetare e Task Forcës për monitorimin e procesit zgjedhor për garën e 25 qershorit. Në njoftimin për mediat të Task Forcës dhe zv.kryeministres në cilësinë e kryetares sqarohet se, “u diskutua lidhur me informacione të dërguara zv.kryeministrit, ku pretendohet tërheqje shumash të mëdha monetare gjatë muajit maj 2017 në bankat e nivelit të dytë”. “Sipas pikës së katërt të rendit të ditës, u diskutua lidhur me informacione të dërguara zëvendëskryeministrit, ku pretendohet tërheqje shumash të mëdha monetare gjatë muajit maj 2017 në bankat e nivelit të dytë. Task Forca kërkoi nga Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave që të ndjekë me përparësi këtë informacion, duke kryer hetimet e duhura administrative dhe të vlerësojë nëse ka basueshmëri të pretendimeve të tilla duke bërë krahasime edhe me të njëjtat periudha të viteve të mëparshme në mënyrë që të garantohet një proces zgjedhor i pandikuar nga përdorimi i parave me burim të paligjshëm për financim të subjekteve elektorale”, thuhet në njoftimin e zv.kryeministres. Pas këtyre informacioneve të disponuara nga zv.kryeministrja i është kërkuar Agjencisë së Pastrimit të Parave “të ndjekë me përparësi këtë informacion duke kryer hetimet e duhura administrative dhe të vlerësojë nëse ka bazueshmëri të pretendimeve të tilla duke bërë krahasime edhe me të njëjtat periudha të viteve të mëparshme në mënyrë që të garantohet një proces zgjedhor i pandikuar nga përdorimi i parave me burim të paligjshëm për financim të subjekteve elektorale”. “Në rast se do të ketë dyshime të arsyeshme që shumat e tërhequra kanë lidhje më financime të paligjshme të subjekteve politike, drejtori i Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave orientohet të referojë rastin në Prokurori për ndjekje dhe hetim të mëtejshëm, si dhe të informojë zv.kryeministrin për gjetjet”, mbyllet reagimi i zv.kryeministres. Task Forca për monitorimin dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të çojë përballë ligjit këdo që përpiqet të cenojë procesin apo ta minojë. Prej dy javësh, Task Forca ka referuar me dhjetëra raste ku punonjës të administratës publike e veçanërisht punonjës në poste të lartë drejtues janë shkarkuar nga detyra për shkak të përfshirjes së tyre në fushatë elektorale, ndërsa masa të tjera janë marrë në çdo rast ku është konstatuar cenimi i procesit zgjedhor.

13 milionë euro u tërhoqën gjatë muajit prill

Historikisht çdo periudhë parazgjedhore në dy dekadat e fundit është shoqëruar me një rritje të parasë jashtë bankave, teksa intensifikohen shpenzimet (zyrtare dhe jo zyrtare) për fushatat e partive politike. Ndonëse ky vit nuk ka qenë normal dhe fushata zyrtarisht ka nisur vetëm pasi Edi Rama dhe Lulzim Basha arritën që marrëveshje ku Partia Demokratike pranoi të hynte në zgjedhje, sërish tendenca e rritjes së parave jashtë banke është konstatuar që në prill. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë sistemit bankar (korporatave depozituese) në muajin prill shënoi një rritje me gati 2 miliardë lekë në prill (13 milionë euro), për herë të parë përgjatë këtij viti, duke arritur në 246 miliardë lekë apo gati 1.8 miliardë euro. Dy periudhat kur tradicionalisht ka rritje të parasë në qarkullim jashtë bankave janë në korrik-gusht kur vijnë emigrantët dhe turistët dhe dhjetor, kur sërish ka prurje nga emigrantë, ndërsa gjatë muajve të tjerë përgjithësisht ky tregues shënon rënie. Përjashtim kanë bërë vetëm periudhat para zgjedhore, kur paraja jashtë bankave shënon rritje të pazakontë. Për shembull, në maj-qershor 2015, para zgjedhjeve vendore, ky tregues u rrit me gati 10 miliardë lekë. Në prill-maj 2013, për zgjedhjet e përgjithshme paraja jashtë bankave shënoi rritje me rreth 9 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në prill qershor 2009, ky indikator u zgjerua me rreth 6.6 miliardë lekë. Periudhat para zgjedhore tradicionalisht shoqërohen me rritje të inflacionit (për shkak të rritjes së parasë në qarkullim) dhe zhvlerësim të monedhës vendase. Por këtë vit, aktorët e tregut valutor kanë konstatuar një rritje të pazakontë të përdorimit të euros këtë prag fushate, që ata e cilësojnë dhe si një ndër arsyet e zhvlerësimit të fortë të monedhës europiane në tregun vendas. Gjatë kësaj euro arriti një tjetër rekord në tregun vendas, duke u këmbyer me 134.14 lekë, niveli më i ulët që nga shtatori 2009. Teksa euro në bursa vijon të mbetet relativisht e fortë, në 1.11 USD, larg nivelit prej 1.05USD ku zbriti në dhjetor të vitit të kaluar, oferta e lartë e brendshme për valutë mbetet arsyeja kryesore që po forcon lekun në vend.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërPresidenti përkujton Rezistencën e Gribës