Helmimet nga uji/ Situata në Krujë vijon të jetë e rëndë, dhjetëra qytetarë drejt spitalit

Situata e helmimeve në Krujë vijon të jetë shqetësuese edhe ditën e sotme. Pranë spitalit të Krujës edhe sot kanë nisur të paraqiten për shërbim mjekësor banorë, të cilëve iu janë shfaqur shenja helmimi. Fluksi duket se ka rënë, krahasuar me dy ditët e para, megjithatë qytetarët vijojnë të kenë simptoma. Ndërkaq nga mjekët e spitalit mungon informacioni për numrin e personave që janë paraqitur për këtë shqetësim.

Përzierja e ujërave të zeza me ujërat e bardha dyshohet të jetë bërë shkak i helmimit masiv të banorëve në Krujës. Kjo ishte deklarata e bërë nga Ujësjellësi i Krujës, i cili deklaroi se nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike të deritanishme, dyshohet se reshjet e dendura të shiut në veçanti në Malësinë e Krujës ku ndodhen kanalizimet e marrjes së ujësjellësit, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm. Paraprakisht është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë. Kryesisht amonikau gjendet në ujërat e zeza dhe reshjet e dendura dyshohet se kanë bërë përzierjen me ujin e pijshëm.

Gjithsesi ky rast mbetet për t’u verifikuar pasi analizat periodike të kryera nga laboratorët e NjVKSh përpara kësaj periudhe, kanë rezultuar të jenë në norma optimale. Një ditë pas helmimit masiv në Krujë, banorët kanë nisur të blejnë ujin për konsum, për shkak të dyshimeve se helmimi është shkaktuar nga uji i pijshëm. Shenjat kryesore të qytetarëve që kanë pasur probleme kanë qenë të vjella, diarre, dhimbje barku dhe temperaturë.

Deri më tani janë kryer të gjitha analizat në burime. I gjithë qyteti i Krujës furnizohet nga dy burime të cilat ndahen në 6 depo.

Banorët: Për të pirë po e blejmë, për t’u larë, hiç!

I revoltuar, një qytetar, pasi del nga spitali ku mori mjekimin e duhur, u shpreh se nuk kanë ujë për t’u larë.

“Erdha në spital sepse kisha dhimbje barku, dhimbje koke. Mungesa e ujit shumë problem. Qeveria duhej të na kishte sjellë ujë me bote që të hënën. Për të pirë po e blemë ujin, për t’u larë hiç. Do zëmë morra e pleshta. Pleshta mirë se nuk të bëjnë gjë, por morrat”, tha ai për mediat.

Bashkia e Krujës, pas shumë orësh, nisi pasditen e djeshme shpërndarjen e ujit me bote për qytetarët. Megjithatë nuk dihet nëse ky furnizim me ujë vijon edhe ditën e sotme.

Artikulli paraprakPrishja e banesave tek “5 maji”, Rushaj takon banorët: Paligjshmëri, hakmarrje politike, interesa të mëdha…
Artikulli tjetërShpërthejnë revoltat në burgje! Pas grevës së Burrelit, të burgosurit në Peqin futen në grevë urie