Hasi, mes “armiqve” ka edhe mbështetës

Besnik Hasi nuk po kalon një moment të mirë në Greqi sepse mediat, tifozët, por edhe zyrtarë brenda klubit të Olympiacos nuk e shikojnë me sy të mirë një shqiptar në pankinën e skuadrës më të titulluar të Greqisë. Kualifikimi në fazën e grupeve të Champions League është harruar shumë shpejt prej armiqve të shqiptarit që pas dy barazimeve në kampionat dhe humbjes në fazën e grupeve të Champions League kundër Sportingut të Lisbonës i numëron mbështetësit e tij me gishtat e njërës dorë. Gjithsesi, jo i gjithë ambienti është kundër trajnerit shqiptar të Olympiacos, pasi media më e klikuar online “Gazzetta.Gr” ka publikuar një editorial të specialistit Kostas Vemaqis, i cili mbron pa kushte trajnerin e bardhekuqve. Dy testet e radhës për Hasin janë derbi i Athinës në “OAKA” kundër AEK-ut dhe më pas transferta e vështirë e Torinos kundër Juventusit. Në editorialin e portalit helen, Vemaqis sulmon gjithë gazetarët kritikë të shqiptarit, duke theksuar se ata presin me padurim që Hasi të dështojë për t’i dhënë goditjet e radhës. “Në fillim kur erdhi siguroi kualifikimin europian u kthye në një yll dhe pas dy barazimeve dhe një humbjeje papritur u bë prapë shqiptar. Po nëse fiton derbin ndaj AEK-ut, çfarë do të thonë sërish kanibalët?”, shkruan me jo pak ironi gazetari grek. Pas 4 javëve të para të Superligës greke, Olympiacos mban vendin e dytë me 2 pikë më pak se AEK-u, që do të presë të dielën skuadrën kampione në një test të rëndësishëm për Hasin dhe skuadrën e tij.

Artikulli paraprakStarton turi i forcës për Skënderbeun
Artikulli tjetërVazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nga tërmeti në Meksikë