Haradinaj, “Qytetar Nderi” i Qarkut Shkodër

Këshilli i Qarkut Shkodër në mbledhjen e tij të ditës së djeshme i akordoi titullin “Nderi i Shkodrës” zotit Ramush Haradinaj. Me unanimitet të plotë, të djathtë dhe të majtë, votuan në Këshillin e Qarkut Shkodër për dhënien e titullit “Nderi i Shkodrës” zotit Ramush Haradinaj.
Propozimi i kryetares së Këshillit të Qarkut Shkodër, zonjës Greta Bardeli Gjoni, njëkohësisht dhe zv.kryetare e Partisë Demokratike Dega Shkodër, u mbështet në mbledhje nga të gjithë anëtarët, si dhe kryetarët e bashkive të Shkodrës, Malsisë së Madhe, Vaut të Dejës dhe Pukës.
Ky titull u dha me motivacionin: Në shenjë solidariteti, nderimi e respekti për luftëtarin e lirisë së Kosovës, politikanin e vlerave europiane që nuk rresht përpjekjen për t’u përballuar me dinjitet me kundërshtarët e lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve.
Vendimi i Këshillit të Qarkut Shkodër vjen në një kohë kur Haradinaj po përballet me drejtësinë franceze pas një urdhërarresti nga Serbia në vitin 2004 me pretendimin për krime lufte gjatë luftës në Kosovë, ndonëse është shpallur dy herë i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Ditën e enjte gjykata franceze e la në liri me kusht ish-Kryeministrin e Kosovës dhe njëkohësisht kryetar i AAK-së. Ai duhet të paraqitet dy herë në javë tek autoritetet dhe të qëndrojë në territorin francez.
Në Kosovë udhëheqës të institucioneve kanë kërkuar zyrtarisht nga Franca lirimin e Haradinajt dhe “janë zotuar për zbatim të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë”, nëse urdhërarrestet që datojnë nga fillimi i viteve 2000 nuk tërhiqen.
Qeveria e Kosovës mori vendim ndërkaq javën e kaluar që t’ia ndalojë hyrjen në Kosovë presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliç dhe zyrtarëve të tjerë në Ditën e Krishtlindjeve ortodokse. Autoritetet në Francë thonë se rasti nuk ka “implikime politike” meqë po trajtohet nga organet e drejtësisë franceze dhe kanë pohuar faktin se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Kosovë për çështjen Haradinaj.

Artikulli paraprak400 familjet e izoluara nga bora në Dukagjin, të braktisura nga qeveria
Artikulli tjetërKë pret zoti Balla?